Kinematografia pati një vit të suksesshëm

08:52 | 22 Dhjetor 2016
Arbresh.info

Për Qendrën Kinematografike të Kosovës, viti që po lëmë pas, ishte një vit i suksesshëm.

Që në fillim të 2016- ës ky institucion pa rezultatet e para të punëve paraprake, ndaj edhe sukseset nuk i munguan.

Në këtë fundvit, gjatë një takimi me filmbërës, aktorë e përfaqësues të medieve, drejtuesit e kësaj qendre rikujtuan edhe njëherë projektet që u finalizuan gjatë këtij dymbëdhjetë mujori.

Drejtori i Qendrës Kinematografike të Kosovës, Arben Zharku, kur flet për këtë vit e ka të pamundur të mos e përmend në krye të bisedës suksesin e filmit “Shok”, që hyri në historinë e kinematografisë shqiptare, duke u bërë kështu i pari film shqip që dominohet për çmimin prestigjioz “Oscar”.

“Jemi mbledhur këtu ta pimë nga një gotë dhe të flasim pa stres për këtë vit. Për gjithë ekipin e Qendrës Kinematografike të Kosovë, por edhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka qenë një vit shumë i ngarkuar me plotë aktivitete. Po gjëja që na e ka kthyer vëmendjen e industrisë kinematografike botërore dhe medieve gjithashtu, gjëja që na ka bërë më së shumti krenarë, ka qenë nominimi i filmit ‘Shok’ për Oscar këtë vit. Kjo ka ndryshuar krejt pikëpamjen e partnerëve tanë nëpër botë dhe ka treguar seriozitetin tonë për të realizuar filma dhe për t’i prezantuar ata në mënyrën më të mirë të mundshme”, kujtoi Zharku.

Filmi “Shok” është i bazuar në ngjarje të vërtetë dhe është i vendosur gjatë periudhës së luftës në Kosovë, kur vendi ishte nën okupimin e Serbisë.

Këtu sprovohen kufijtë e miqësisë mes dy djemve të vegjël, të cilët luftojnë për të mbijetuar gjatë luftës në Kosovë.

Në anën tjetër, në vitin 2016, Qendra Kinematografike e Kosovës pati edhe disa projekte të tjera.

Gjatë këtij viti u xhiruan 18 filma dhe u dhanë premierë 12 filma të tjerë.

“Ne kemi qenë në festivalet më të mëdha të botës, në Kanë, Berlin, American Film Art dhe shumë festivale tjera. Me pjesëmarrjen tonë ne kemi tentuar të vazhdojmë të promovojmë filmin e Kosovës, Kosovën dhe gjithë artistët që bëjnë filma në Kosovë”, tha ndër të tjera drejtori Zharku.

Një film tjetër i suksesshëm që doli këtë vit nga Kosova ishte filmi “Home sweet home” me regji të Faton Bajraktarit. Film ky që si premierë ndërkombëtare u dha në Festivalin prestigjioz Karlovy Vary dhe ishte propozimi i Kosovës për Oscar në kategorinë e filmave në gjuhë të huaj. Përveç “Home Sweet Home” ka pasur edhe shumë filma të tjerë që kanë vazhduar ta mbajnë gjallë vëmendjen e publikut ndaj filmave të Kosovës. Ne gjithashtu ishim në festivalin e madh të Sarajevës m filmin ‘Daullet e rezistencës”, tha Zharku.

“Daullet e Rezistencës”, me skenar dhe regji nga Mathieu Jouffre dhe producente dhe bashkëskenariste Besa Lucin, rrëfen për atë se si një shoqëri dhe realiteti paralel ishin ndërtuar në Kosovë gjatë viteve 1990.

Ai shfaq  mënyrën si segregacioni dhe aparteidi u bënë normë e asaj kohe. Filmi eksploron historitë e mësimdhënies nëpër shkolla, bodrume, banesa private, dyqane dhe shumë hapësira të tjera të kthyera në objekte shkollore.

“Një punë që na ka bërë të ndihemi krenar ka qenë momenti kur i kemi prezantuar listën e filmave të metrazhit të gjatë që i kemi të gatshëm për Berlinale. Ne kemi pasur një numër rekord. Pesë prej këtyre filmave do të realizohen në Kosovë, kurse një në Maqedoni”, bëri të ditur Zharku.

Lart u vlerësua edhe marrëveshja me shkollën e filmit FAMU, e cila u vazhdua edhe për tri vitet e ardhshme.

Drejtuesit e Qendrës Kinematografike të Kosovës falënderuan Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit që përkrahën këtë shkollë dhe këta studentë që do të studiojnë në njërën nga shkollat më të mira të filmit në botë.

Drejtori Zharku nuk la pa përmendur as konkursin e Qendrës Kinematografike të Kosovës për përkrahjen financiare që u bën filmbërsve, e që sivjet ngjalli shumë debat.

“Sa herë që vjen konkursi ne jemi në ‘llupën’ e të gjithëve dhe kemi presion jashtëzakonisht të madh, mirëpo jemi munduar që bashkë më Këshillin Drejtues të sjellim njerëz kredibil që marrin vendime në rolin e jurisë”, theksoi Zharku duke u shprehur i kënaqur që juritë vazhdojnë të kenë anëtarë ndërkombëtarë që sjellin përvojën e tyre dhe ndihmojnë në gjitha projektet.

Në vitin në të cilin po hyjmë, udhëheqësi i Qendrës Kinematografike bëri të ditur se pritet të hyjë në fuqi edhe fondi i lehtësirave financiare. Ky është një fond i veçantë prej 1 milion eurosh, i premtuar nga Qeveria e Kosovës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme