Të premten në Pejë fillojnë Takimet Ndërkombëtare Letrare “Azem Shkreli” të 14-at me radhë. Në edicionin e sivjetmë do të marrë pjesë edhe Ismail Kadare, shkrimtari i përmasave botërore. Ai kësaj radhe do të jetë lauerat i çmimit “Azem Shkreli”, kurse Komuna e Pejës e ka shpallur Qytetar Nderi. Kësaj radhe në këto takime po marrin pjesë edhe krijues nga Shqipëria, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Turqia, Bullgaria, Maqedonia dhe Mali i Zi, shkruan sot gazeta “Kosova Sot”.
Engelbert Zefaj, drejtor për Kulturë në Komunën e Pejës, i ka thënë gazetës “Kosova Sot” se janë bërë të gjitha përgatitjet e duhura për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti. Sipas tij, në garën për poezinë më të mirë do të jenë 28 poetë, të cilët kanë konkurruar jo me emra por me kode. Në këto takime ndahen tri çmime: Çmimi ‘Bulëzat’ për poetë të rinj, Çmimi ‘Azem Shkreli’ për fituesin e vitit dhe Çmimi ‘Poezia më e mirë’. “Kadare do të na nderojë direkt me pjesëmarrjen e tij në këto takime”, shprehet Engelbert Zefaj për shkrimtarin, i cili në vitin 2015 u nderua me Çmimin “Jerusalemi”. Çmime të ndara për Kadarenë kohëve të fundit janë edhe ai i Panairit të17-të të Librit në Tiranë, ku i është ndarë Çmimi “Jeronim de Rada”, Çmimi “Ali Podrimja” në Kosovë.
Shkrimtari i përmasave botërore, i përkthyer në më shumë se 45 gjuhë të botës, kandidat disa herë për Çmimin ‘Nobel’ për Letërsi, të premten vjen në Kosovë për të pranuar Çmimin “Azem Shkreli”. Në mbrëmjen e së premtes Kadare do të ketë takim me lexuesit e tij, ndërsa në paraditen e së shtunës do të pranojë Çmimin “Azem Shkreli”, që i ndahet në kuadër të takimeve ndërkombëtare letrare “Azem Shkreli”. Përveç kësaj, qyteti i Pejës ka shpallur Kadarenë Qytetar Nderi, derisa në bibliotekën e qytetit “Azem Shkreli” do të hapet këndi me emrin e Ismail Kadaresë.
“Të shtunën më 21 maj, në orën 11:00, është ceremonia qendrore e takimeve ‘Azem Shkreli’, ku Ismail Kadaresë do t’i dorëzohet Çmimi ‘Azem Shkreli’. Në po të njëjtën ceremoni, Kadaresë do t’i dorëzohet edhe Çmimi Qytetar i Nderit, të cilin do ta marrë nga Komuna e Pejës. Komuna e Pejës e ka shpallur Qytetar Nderi Ismail Kadarenë në mbledhjen e mbajtur më10 maj”, ka thënë Zefaj. Në të njëjtën ditë do të inaugurohet edhe këndi “Ismail Kadare” në bibliotekën “Azem Shkreli”, në qytetin e Pejës.
Olmo realizon golin e parë në Ligën e Kampionëve me Barcelon...
Rriten çmimet e vezëve, SHBA ka mungesë para festave
Si t’i manifestojmë gjërat pozitive në jetë?
Në këto vende është e ndaluar të vozitësh me xhaketë apo pal...
Pritet rritje e madhe e shitjeve të veturave elektrike
Ky lajm do t’i gëzojë fansat e PlayStation