Kadare për shpalljen e Nobelit në Letërsi: Nuk kam asnjë përjetim

15:56 | 6 Tetor 2022
Emir Abduramani

Shkrimtari i njohur shqiptar, Ismail Kadare, e ka ndjekur ceremoninë e ndarjes së Çmimit Nobel i ulur në një nga lokalet në zonën e Liqenit Artificial në Tiranë me bashkëshorten dhe miqtë e tij.

I pyetur nga Euronews Albania nëse ishte zhgënjyer që përsëri nuk kishte mundur të fitonte këtë çmim, Kadare u përgjigj se nuk kishte asnjë lloj përjetimi.

“Siç e shikoni nuk kam ndonjë përjetim. 40 vjet më parë edhe mund të kisha”, tha Kadare.

Ndërkohë bashkëshortja e tij, Helena Kadare, u shpreh se shkrimtaren që fitoi Nobelin nuk e njohin, madje nuk e kanë dëgjuar edhe pse prej shumë vitesh jetojnë në Francë.

“Nuk e njohim shkrimtaren që fitoi Nobelin, edhe pse jetojmë në Francë. S’e kam dëgjuar kurrë, për të njohur jo se jo, por nuk e kam dëgjuar as si emër. Derisa në Nobel është e njëjta juri dhe ka thënë jo 40 vjet, nuk ke pse ta ndryshosh mendimin”, u shpreh shkrimtarja Helena Kadare.

Shkrimtarja franceze, Annie Ernaux, fitoi Çmimin Nobel në Letërsi.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme