Javën tjetër nis Festivali i Teatrove të Kosovës

19:13 | 16 Tetor 2015
M. A.

Edicioni i 45 i Festivalit të Teatrove “Ferizaj-2015” që pritet të fillojë më 21 tetor do të ketë në repertorin e tij nëntë shfaqje që vijnë nga të gjitha trevat shqiptare

Drejtues të festivalit, gjatë një konference për medie kanë bërë të ditur se ky festival me një historik të gjatë të ekzistimit dhe me vlera të larta artistike edhe kësaj radhe ka synuar që para dashamirëve të artit skenik të sjellë ato shfaqje që janë vlerësuar si më të mirat.

“Në konkurrencë kanë qenë 23 shfaqje, ndërsa janë përzgjedhur vetëm 9 prej tyre. Trupat teatrore vijnë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia”, ka thënë me këtë rast drejtori i festivalit, Fatmir Hyseni.

U bë e ditur se hapja e festivalit do të bëhet të mërkurën me shfaqjen e Qendrës Multimedia nga Prishtina “Lufta në kohën e dashurisë” të Jeton Nezirajt, për të vazhduar ditën e dytë me shfaqjen “Mbledhje në parlament”, e teatrit të Gjilanit, ndërsa në ditën e tretë do të jenë në repertor dy shfaqje, ajo e Teatrit “Dodona” nga Prishtina “Lojë martese” dhe shfaqja “Art” nga Teatri i Tetovës.

Në ditën e katërt në skenë do të ngjitet shfaqja e Teatrit Kombëtar nga Prishtina, “Dashnori i nënës sime”, ndërsa në ditën e pestë do të paraqiten dy Trupa Teatrore, ajo nga Tirana me shfaqjen ” Dikush që do të kujdeset për mua” dhe shfaqja e Teatrit Profesionit” Adriana” nga Ferizaj,”Duke pritur trenat”, e Bardhe Frangut.

Në ditën e parafundit do të prezantohet Teatri i Prizrenit me shfaqjen “Shërbetori i dy zotërinjve”, ndërsa në ditën e fundit Teatri Çajupi nga Korça me shfaqjen “Doktor Shuster”.

Merret vesh se këtë festival e ka mbështetur komuna e Ferizajt, Ministria e Kulturës, Raiffaisen bank, RTV Tema etj.

“Programi përcjellës do të publikohet në ditët në vijim, dhe prej nesër është zyrtar dhe do të publikohet, ndërsa për çmimet, janë ato që tashmë dihen, çmimi i mediave, roli episodik më i mirë , roli dytësor më i mirë i femrës, roli dytësor më i mirë i mashkullit, çmimi Ismajl Rama- aktori më i mirë, çmimi Adriana- aktorja më e mirë, regjia më e mirë dhe shfaqja më e mirë”, ka thënë Hyseni.

Bëhet e ditur se këtë vit këshilli i festivalit ka vendosur për jurinë pesë anëtarëshe në përbërje, Fadil Hysaj, Mehmet Xhelili, Ismajl Ymeri, Dardana Mehmeti dhe Shkëlzen Marevci, ndërsa tryezën e festivalit do ta udhëheqë dramaturgu Haqif Mulliqi.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme