Me vlerësimet për bibliotekat si arkiv i dijes dhe institucione të rëndësishme për trashëgiminë kulturore të një vendi, të martën ka nisur edicioni i trembëdhjetë i “Javës së bibliotekës në Kosovë”. Nën organizimin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës tema kryesore e ligjëratave të ditës së parë ka qenë për koleksionet e veçanta.
Për këtë ka folur Carrie Marsh, drejtoreshë e bibliotekave dhe koleksioneve të veçanta të “The Claremont Colleges” në Claremont të Kalifornisë së ShBA-së. Sipas saj të gjitha materialet e rralla që hyjnë në kategorinë e koleksioneve të veçanta duhet të jenë të disponueshme për përdoruesit.
“Koleksionet e veçanta në kontekste të ndryshme kanë kuptime të ndryshme. Librat e rrallë, hartat, fotografitë e gazetat janë pjesë e koleksioneve të veçanta. Ato nuk qarkullojnë sikur materialet tjera bibliotekare dhe nuk dalin nga biblioteka”, ka thënë ajo të martën në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. Sipas saj kjo kategori e aseteve bibliotekare ka nevojë për një prezantim e ruajtje të specializuar.
Marsh e cila ka ardhur në Kosovë me mbështetjen e Ambasadës së ShBA-së, që bashkorganizon “Javën…”, ka thënë se ekzemplarët e këtij lloji kërkojnë po ashtu edhe masa të larta të sigurisë.
Ajo ka përmendur mundësinë e digjitalizimit të këtyre koleksioneve, proces ky që ua bën të mundur përdorurve qasjen on-line në asete me vlera të rralla.
Sipas saj zakonisht studentët janë kureshtarë që të pyesin për vlerën monetare të tyre, por ajo ka thënë se këtë debat e riorienton duke e shpjeguar rëndësinë që bartin këto koleksione për historinë e kulturën e një vendi.
“Tregojmë për rëndësinë që ka, sepse përmes një aseti të tillë mësojmë historinë tonë për civilizimin dhe kulturën”, ka thënë Marsh.
Sa u përket këtyre koleksioneve, ka thënë se botimi i parë i një libri është gjithmonë më i rëndësishmi. Por edhe botimin e censuruar e ka cilësuar si mjaft të veçantë për këtë kategori bibliotekare.
“Interesant është që edhe botimi pirat të futet në koleksione të tilla”, ka thënë Marsh.
Në ditën e parë të këtij organizimi Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë ka sjellë në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës ekspozitën “Noli/Konica – Album i një bashkëkohësie”. Për ekspozitën që është hapur në hollin e BKK-së janë paraqitur vepra, dorëshkrime, fotografi e shkrime publicistike të dy figurave të shquara letrare, politike e shoqërore të mbarë botës shqiptare.
“Pikërisht në përkujtim të 50-vjetorit të vdekjes së Fan Nolit dhe 140-vjetorit të lindjes së Faik Konicës kemi hapur këtë ekspozitë. Ishin dijetarë të hollë”, ka thënë drejtoresha e BKSh-së, Persida Asllani, në fjalën e hapjes së “Javës…”. Për ekspozitën, që fillimisht është hapur në ambientet e BKSh-së, Asllani ka thënë se është konceptuar në trajtën e një albumi sekuencial me tekstet dhe imazhet që përcjellin rrugëtimet dhe pikëtakimet midis dy intelektualëve me nam.
“Realitete ende kërsheritëse të historisë sonë kulturore e politike, ku përkthyesi i flet shkrimtarit, ku muzikanti i gjegjet muzikologut, ku shkrimtari thërret kritikun, ku politikani i ngjan artistit, ku njeriu i perëndisë kuvendon me aktivistin”, ka thënë Asllani. Sipas saj koncepti i ekspozitës shpie tek një bashkëkohësi e dyfishtë: ajo reale mes tyre dhe e sotmja po aq e fuqishme dhe reale me të tashmen.
Në emër të Ambasadës së ShBA-së në Kosovë të pranishmëve u është drejtuar Jeffrey Jamison, drejtor i sektorit për marrëdhënie me publikun.
Sipas tij bibliotekat duhet ta perceptojnë misionin dhe vizionin e tyre. Përse ekziston biblioteka, çfarë drejtimi duhet të marrë biblioteka dhe çfarë dëshiron komuniteti nga biblioteka janë disa pyete të cilat i ka shtruar ai.
“Nuk mjafton që këtyre pyetjeve t’u përgjigjemi me ‘po’ ose ‘jo’. Bibliotekat duhet të dëshmojnë se janë të rëndësishme për njerëzit dhe komunitetin ku veprojnë. Në një kohë kur institucionet publike po i nënshtrohen një mbikëqyrjeje më rigoroze, njerëzit duan më shumë rezultate nga bibliotekat”, ka thënë Jamison. Sipas tij bibliotekat duhet të kenë raporte të mira me shfrytëzuesit e tyre. Ka thënë se çdo institucion ka nevojë për menaxhment të mirë e po ashtu edhe bibliotekat.
“Duhet bërë trajnim i personelit dhe ata të kenë respekt për klientët. Zhvillimi profesional është jetik”, ka thënë Jamison.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të “Pjetër Bogdanit”, Tefik Mehmeti, ka thënë se “Java e bibliotekës në Kosovë” është shprehje e vullnetit dhe e përkushtimit të komunitetit bibliotekar për t’u bashkuar në idenë si të zhvillohen këto institucione, si të grumbullohet, përpunohet e ruhet kultura e dija e shkruar dhe e shtypur.
“Qe trembëdhjetë vjet bibliotekarët tanë marrin dije nga njohës të dijes e të kulturës, udhëheqës e specialistë të bibliotekave nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Evropa. Kujtojmë këtu edhe kontributin e njohësve të kësaj fushe nga Shqipëria”, ka thënë ai. Sipas tij ky organizim është një veprimtari që përpiqet t’ua kthejë vështrimin institucioneve kah biblioteka.
“Vetëm Biblioteka Kombëtare, sado të përpiqet, nuk mund të mbështesë veprimtarinë e saj, as për grumbullim të trashëgimisë kulturore që është jashtë bibliotekës, as të ruajtjes së saj në format tjetër, as të mundësisë për ta bërë të përdorshëm për publikun”, ka thënë Mehmeti.
Pos Carrie Marshit gjatë ditës së martë në BKK kanë ligjëruar edhe Etleva Domi me temën “Trashëgimi kulturore kombëtare në arenën e ‘demokracisë’ digjitale”, Lavdie Rrahmani me temën “Materialet e rralla – disa faktorë që determinojnë raritetin” dhe Fazli Gajraku me temën “Realiteti i fshirë i Kosovës”. Takimet e punës, ligjëratat dhe pasurimi me koleksione të reja do të jenë aktivitete tjera që për tri ditë do të mbahen në disa qytete të vendit në kuadër të “Javës së bibliotekës në Kosovë”.
Sulmohet me raketa agjencia paqeruajtëse e OKB-së në Liban
Mali i Zi “plotësisht gati” që ura mbi lumin Buna të përfund...
Rina Balaj dhe Mato Lale publikojnë këngën “Të dy”
Qytetarët ankohen për ngecje të punimeve në rrugën Prishtinë...
Tottenhami ‘gjunjëzon’ Man Cityn – fiton me rezultat të thel...
Swica: SHBA e interesuar të thellojë bashkëpunimin me Kosovë...