Elda Shabani
“Ngjyrat, si tiparet, ndjekin ndryshimet e emocioneve” – Pablo Picasso
Perceptimi i ngjyrave nuk është aspak një çështje subjektive. Në botën e marketingut, ngjyrat luajnë një rol shumë të rëndësishëm, sepse ato imponojnë dhe transformojnë poetikisht shijet tona. Gjuha në vetvete përdor një sistem simbolesh. Një gjë e tillë ndodh edhe në letërsi. Simbolizmi i ngjyrës nuk shërben vetëm për të kuptuar karakterin e personazhit, por është gjithashtu një mënyrë për të informuar lexuesin rreth një skene, pa hyrë në shumë detaje. Një lexues mund të krijojë edhe një lidhje më të fortë me personazhet. Shkrimtarët dhe poetët përdorin ngjyrat për të krijuar imazhe konkrete të karaktereve, skenave dhe ngjarjeve.
Ngjyrat simbolikisht përdoren edhe nëpër filma, jo vetëm për qëllime estetike, por edhe për nxjerrjen në pah të zhvillimeve dramatike. Ne shpesh shikojmë filma, pa e ditur se sa shumë domethënie ka simboli i ngjyrave për një regjisor. Në romanin “Gatsby i Madh”, nga F. Scott Fitzgerald, ngjyrat përdoren për të treguar realitetin, për të përcjellë një mesazh më të thellë tek lexuesi, si dhe për të kuptuar ngjyrat e vërteta të personazheve. Ngjyrat, të tilla si jeshilja dhe e bardha, përdoren për të zbuluar ndjenjat e vërteta; ndërsa të tjerat për të fshehur personin e tyre të vërtetë.
Ngjyra e gjelbër tek “Gatsby i Madh” simbolizon zgjedhjen që Jay Gatsby bën gjatë gjithë jetës së tij dhe ngjyra jeshile, e cila shoqëron gjatë gjithë kohës në këtë film prej fillimit dhe deri në çastet e fundit, simbolizon lakminë, fatin dhe shpresën. Ai e dinte se përpara e priste një e ardhme e e suksesshme. Gatsby gjithmonë u përpoq të ngrihej në një status më të lartë në shoqëri. Ndërsa Daisy, e veshur me të bardha, shihet si një grua e re dhe e pafajshme. Shpeshherë duket sikur e përdor këtë pafajësi si një mënyrë për të vepruar si një fëmijë i shkujdesur. Daisy, brenda këtij imazhi prej ëngjëlli e veshur me të bardha, fsheh imazhin e saj të vërtetë, snob dhe ekstravagant.
Ngjyrat janë gjithashtu të ndjeshme ndaj kontekstit – kur zgjedh veshje të ditës, në thelb po zgjedh një ngjyrë (ose kombinim ngjyrash) në përputhje me programin e ditës. Ngjyra zakonisht merr përparësi ndaj rrethaneve dhe mjedisit, materialit dhe stilit. Jo të gjithë kanë një kostum të kuq të ndezur, ndërsa të gjithë ne e kemi të paktën një kostum blu të errët. Përdorimi i simboleve nuk janë aspak rastësore por rezultat i proceseve historike dhe kulturore. Kështu, bluja, në antikitet, konsiderohej si një ngjyrë aspak e rëndësishme e madje vulgare. Në Romë, veshja me tonalitetet e blusë, zakonisht shihej si një ngjyrë e çuditshme, ose një shenjë zie. Sytë e kaltër pothuajse konsideroheshin si turp. Për gratë, ato tregonin një karakter të shthurur; për burrat, u perceptuan si vulgare, barbare ose thjesht qesharake.
Në Mesjetë, bluja nuk kishte një rol të veçantë dhe nuk ishte shumë e përhapur në raport me koloritet e tjera, ndërsa e kuqja ishte një shenjë e fuqisë, e bardha e pastërtisë shpirtërore dhe simboli i Krishtlindjeve në fund të shekullit të XII-të dhe jeshilja ishte ngjyra e fatit. Prej shekullit XII e tutje, disa teologë promovuan zbukurimin e tempujve: bluja u shfaq gradualisht pranë argjendit dhe të bardhës, duke u lidhur ndjeshëm me kultin e Virgjëreshës Mari. Henry III i Anglisë ishte ndër mbretërit e parë që përdori blunë në veshjen e tij.
Në fund të shekullit XIV, bluja u zëvendësua me të kuqen. Ajo u bë ngjyra e modës, një ngjyrë fisnike, plot gëzim, duke u lidhur me virtytin e Virgjëreshës Mari. Megjithatë, shekujt XV dhe XVI mbartin “Fobinë e Koloreve.” Arsyeja ishte qëndrimi i ashpër ndaj veshjes nga Reformat Protestante, ku mbizotëronin në veshje ngjyrat si grija, e zeza, kafja dhe bluja. Në këtë kontekst teologjik, rrobat gjithmonë shiheshin si disi mëkatare: zbukurimet, luksi, konsideroheshin shprehje të krenarisë të pakontrollueshme.
Po kështu, ngjyrat patën ndikim edhe në politikë, në simbolin e identitetit të shteteve, si flamuri ku e kuqja, bluja, e verdha u konsideruan simbolikisht si ngjyra në garë me njëra-tjetrën, për shkak të përdorimit të gjerë të tyre. P.sh. gjatë Revolucionit Francez, e kuqja mbeti e lidhur me patriotizmin, madje deri te pantallonat e kuqe të ndezura të ushtarëve francezë, të cilat u përdorën në pranverë të vitit 1915.
Ndërsa veshja moderne mori formën e saj gjatë fundit të shekullit XIX, ngjyrat u shndërruan në një kod të rreptë; e zeza u përdor për veshjen profesionale dhe formale. E zeza mbretëronte, ashtu siç ishte në shekullin XV. Ndërkohë bluja bëri rikthimin krenar të saj në shekullin XX. Bluja e marinës u bë uniforma standarde (për policinë, punonjësit postarë dhe natyrisht forcat e marinës etj.), duke u përhapur masivisht edhe në jetën e përditshme.
E zeza përfaqëson veshje formale, ndërsa bluja e marinës ka evoluar si një formë e “zbutur” e së zezës, një version më social dhe i gjithanshëm. Ngjyrat që i veshim sot vijnë nga riorganizimi i ngjyrave ose KODI i veshjes: e zeza tani përdoret në mënyrë specifike për raste formale të kodifikuara (evente, funeralet, uniformat.) Ndërsa bluja mund të jetë formale dhe zyrtare kur është në tone të errëta, ajo mund të jetë rastësore ose festive, kur është shumë e çelur dhe e ndritshme. Sot, gjëndemi në një komoditet të ri të ngjyrave. Ngjyrat sot kanë një ndikim të madh në kreativitetin e stilistëve. Pa marrë parasysh se sa i mrekullueshëm është stili ose prerja e një fustani, ngjyra mund t’ia shtojë ose shkatërrojë bukurinë veshjes. Ngjyra është gjëja e parë që vihet re në veshjen tonë dhe ndikimi është i menjëhershëm. Në artin e veshjes njësoj si piktura, stilisti depërton në botën e brendshme të figurave dhe modeleve. /Lexo.al/
Vdes një person në QKUK
Policia sekuestron armë dhe municion në Rahovec, arrestohet ...
Predha godet një shtëpi në Mitrovicë Veriore, policia heton ...
Arabia Saudite do të ndalojë alkoolin gjatë Botërorit 2030
Pas sulmit në Magdeburg seancë e posaçme në Bundestag
Slot lavdëron një futbollist për paraqitje të mrekullueshme ...