Luan Rama
Një Princ shqiptar në Paris? Kur dhe në ç’kohë? Vallë bëhet fjalë për Esat Pashë Toptanin që në selinë e tij “qeveritare” në Hôtel Continental, pranë Place de la Concorde të Parisit, i cili paraqitej kudo si Princ i Shqipërisë apo Alejandro Kastriota, ky pinjoll i një prej degëzimeve të familjes Kastrioti, që si “Princ”, ishte pretedent i fronit të Shqipërisë krahas Princit Wied në vitin 1913? I zemëruar ndaj këtij të fundit, poeti i famshëm Apollinaire kishte shkruar artikullin e njohur “Tri princër të rremë të Shqipërisë”, botuar në gazetën L’Européen…
Jo, është fjala thjesht për një emigrant shqiptar, që s’kishte asgjë mbretërore në gjakun e tij, i cili në fillimet e shekullit XX kishte zbarkuar në Paris, pikërisht atëherë kur Evropa mendonte për një Princ të huaj për Shqipërinë.
Ka një treg të madh vjetërsirash në Paris, i cili gjendet në periferi të qytetit, në Porte de Saint-Ouen. Thuhet treg vjetërsirash meqë janë gjëra të përdorura, por në fakt është një botë objektesh nga më të habitshme dhe shpesh me shumë vlera ku gëlojnë antikuarët e gjithë botës, deri nga Amerika, të cilët vijnë të gjejnë objekte që u përkasin epokave të kaluara. Mjafton të hysh në labirintet e tij për tu gjendur pas pak midis uniformash të vjetra ushtarake të ushtrisë mbretërore apo napoleoniane, midis mobileve të stilit Louis XIV apo Louis XV, tablo të vjetra, afishe, kartpostale të shekullit XIX, maska afrikane etj. Ja pse para disa vitesh regjisori i njohur Woody Allen erdhi këtu të xhironte një skenë filmi, i tërhequr në mënyrë të veçantë për rrugicat dredharake e frakturat e këtij tregu gjigand, ku çdo ditë vizitohet nga 120 mijë njerëz.
Tregu “Malik” gjendet pikërisht këtu, përkrah tregut “Biron” apo “Vernaison”, por të gjithë së bashku përbëjnë një ansambël tepër tërheqës, që rrallë e gjen në një vend tjetër të botës. Sidoqoftë, sapo zbret nga metroja dhe shkon drejt këtij pazari gjigand, të bije në sy tabela ku shkruhet “Malik”. Kisha shkuar disa herë në këtë vend të zhurmshëm, ku gëlojnë dhjetra mijra njerëz në kërkim të objekteve të rralla. Janë të kombësive të ndryshme: francezë, italianë, afrikanë, ballkanikë, aziatikë. Kohët e fundit, aty është vendosur dhe një shqiptar që ka hapur një dyqan mobiljesh antike. Dhe kjo gjë atë e pasionon. Por, gjithnjë ai emër “Malik” më kishte intriguar.
Vallë një emër shqiptar?…
Dhe kështu, duke u interesuar, zbulova më së fundi se krijuesi i parë i këtij pazari të madh të “Porte de Saint-Ouen” kishte qenë shqiptari Maliq Hajrullahu, një shqiptar që kishte ardhur gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore, ashtu siç kishin ardhur dhe disa shqiptarë të tjerë nga bregu i jugut shqiptar apo nga Përmeti, Leskoviku etj. të cilët ishin futur në “La Legion Etrangère” (Legjioni i të huajve) një formacion ushtarak me njerëz të kombësive të ndryshme, të cilët, pas luftës kishin të drejtë të merrnin kombësinë franceze, meqë kishin luftuar për Francën.
Kur Maliq Hajrullahu kishte zbarkuar në Paris, pas një eksperience të vështirë në kryeqytetin francez, ai arriti të blejë restorantin e një italiani, “A Piccolo”, dhe më pas bleu një terren prej 3000 metra katrorë që shkonte nga cepi i Parisit në rrugën “Jules Valles” të Saint-Ouen dhe pikërisht aty ai krijoi një treg të hapur objektesh të vjetra, duke ngritur dy shtylla hekuri me xhama të mëdha.
Në fakt, që prej shumë kohe këto tregje ishin hapur në Paris dhe së pari në vitin 1350 në sheshin e kishës Saint-Medard nga vetë peshkopi i kishës. Por, ato lulëzuan më shumë në shekullin e XIX. Çuditërisht, për disa dhjetëvjeçarë ato u zhdukën deri sa të shfaqej ky shqiptar. Ata që shisnin atje quheshin në atë kohë “chiffoniers” (“leckaxhinj”) apo “pecheurs de lune” (“peshkatarë hënash”) dhe vendet ku shiteshin objektet quheshin “cours des miracles” (oborret e mrekullive) etj.
Pra, Maliq Hajrullahu, ky shqiptar i zgjuar mori një nismë të guximshme: rihapjen e tregjeve të vjetërsirave, të quajtur “Marchés aux Puces” (“Tregjet e Pleshtave”). Kështu, pas këtij shqiptari apo në të njëjtën kohë me të (1919-1920), ishte dhe Romain Vernaison dhe Paul Bert që erdhën të hapin tregjet e tyre. Në vitet 1930-50, Maliq Hajrullahu njihej në mjedisin francez si “Princi Malik”, meqë gërma “Q” shqiptohet në “K”.
“Malik u martua më pas me një franceze nga Mesle-sur-Sarte e Normandisë dhe kishte një djalë”, më thoshte një ditë vajza e një emigranti shqiptar, Alice Shushi. Madje, ajo mbante mend se një ditë ai i kishte sjellë tek i ati në restorant, një kukull të bukur… Ai mbahej si një zotëri i madh, me kostum e kravatë, prandaj dhe nisën ta thërrasin “Princi Malik”. Ajo e kishte njohur “princin” Malik qëkur ishte adoleshente: “Vërtet, qëndronte si fisnik, me shtatin e tij të lartë dhe lëvizjet e tij hijerënda. Ishte mik i babait. Por megjithatë ishte një njeri i qeshur. Vinte shpesh në restorant, madje dhe kur mblidheshin shqiptarët në darkat e zhurmshme dhe plot këngë të Ditës së Flamurit më 28 nëntor”.
“Po më vonë, ç’u bë me të?” – e pyeta unë me kuriozitetin për të ditur më shumë rreth këtij personazhi të jashtëzakonshëm sikur të kishte dalë nga bota e përrallave.
“Nuk di gjë për vitet e fundit të tij. Di që kishte një familje dhe banonte në Paris. Por, sigurisht ai ka vdekur si gjithë gjenerata e tim ati”, shtoi ajo duke vazhduar bisedën rreth mbrëmjeve simpatike në atë restorant ku jo rrallë shërbente dhe ajo bashkë me të ëmën e më pas me njerkën e saj.
Ishte pikërisht Alice që më vuri në gjurmë të këtij personazhi jo të zakontë dhe ta kërkoja atë në restorantin “A Piccolo”, në periferinë parisiene. Sipas një vize greke të datës 30 korrik 1931, të cilën ai e kishte marrë në Konsullatën greke në Paris, emri i tij ishte shkruar Malik Hairoulah, pra sipas shqiptimit francez, ndërsa në certifikatën e lindjes të po kësaj periudhe dhënë nga Konsullata shqiptare, shënohej se Hajrullahu kishte lindur në vitin 1896 dhe në vendlindjen e tij shënohet Konispol (edhe pse shkruhet se është nga Margëlliçi – Margariti).
Miqtë e tij më të afërt ishin shqiptarët, ndër ta Gjergj Thanasi – një çam tjetër të cilit i thërriste “mon frère” (“vëllai im”), Serveti – si dhe Nastas Celo, apo “le moustachu”, (Mustaqja, siç e thërrisnin mes tyre). Malik Hajrullahu kishte një djalë të quajtur Pierre, i cili i martuar me një franceze pati tre fëmijë, mes të cilëve Joséphine. Maliq Hajrullahu nuk e kishte imagjinuar se një ditë mbesa e tij e vogël do të bëhej aktore e njohur dhe do të interpretonte në skenat parisiene dhe teatrin e Saint-Ouen, duke krijuar gjithashtu në “A Picolo” një sallë teatri dhe spektaklesh, duke iu drejtuar në krijimet e saj dhe Ballkanit të trazuar të fundit të shekullit XX.
Kjo është aktore, ish-studente e “Cours Simon” e më pas e Qendrës Kombëtare të Artit Dramatik të Parisit, (CNSAD), kujton me një dashuri të veçantë si gjyshin e saj, ashtu dhe gjithë ata shqiptarë që mblidheshin në kafenenë “A Picolo”. Kujton pronarët e tjerë shqiptarë të restoranteve, si Thanasin me restorantin e tij “L’Ideal Bar” në Avenue Gabriel Perri, si dhe Xhaferr Zhepovën dhe vajzat e tij që e mbanin gjithnjë në gjunjë; po kështu Servetin, mikun besnik të gjyshit i cili pas Luftës së Dytë Botërore u nis për në Shqipëri ku u martua dhe krijoi familjen e tij.
“Kur gjyshi im vdiq, unë isha 16-vjeçare, por ajo që më habiti ishte se në varrimin e tij në varrezat në Saint-Ouen u mblodhën qindra e qindra njerëz, që nga njerëz me emër dhe zyrtarë, e po ashtu dhe ciganë apo njerëz të mbetur rrugëve ndaj të cilëve ai tregohej gjithnjë bujar dhe i ndihmonte… Pikërisht në këtë kohë ne dëgjuam tregimet e hebrenjve të Saint-Ouen; se si gjatë luftës ai i kishte strehuar dhe mbrojtur nga policia franceze shumë tregtarë të vegjël hebrenj, me të cilët bënte tregti dhe i fshihte në mansardën e restorantit të tij apo ndër miq, duke i ndihmuar dhe me ushqime. Ishte një ‘Juste’ i vërtetë, por ai nuk mburrej asnjëherë me vetveten. Mbaj mënd që në shtëpinë tonë kishte gjithnjë armë, të cilat im gjysh i fshihte poshtë dyshekut ose nën çati. Armët ishin diçka normale tek ne. Thanasi përdorte një revolver ‘à barillet’ (revole me mulli), me të cilën qëllohej me të dyja duart. Ai na donte shumë ne fëmijëve. Kur u rrita, më thërriste gjithnjë ‘la rouge’ (e kuqja, sepse në atë kohë aktivizohesha me lëvizjen punëtore). Disa vite më parë, vëllai im Gérard u nis për të kërkuar rrënjët e origjinës së gjyshit tonë. Shkoi në Margëlliç, në Epir, ku gjeti shumë rrënoja të vjetra shtëpish të stilit venecian, midis të cilave ishte rritur gjyshi ynë…”!
Një pinjoll i familjes së Maliq Hajrullahut është dhe nipi i tij Serge Malik, i cili e tregon prejardhjen e tij shqiptare me një lloj krenare. Nip i Malikut, kitarist i talentuar dhe shef orkestre, që shiste dikur “Gjithçka për 100 franga”, e ktheu bistronë që drejtonte nëna e tij në një mjedis të muzikës dhe të lancimit të talenteve të reja, ku nuk mungonin dhe koncertet e një emigranti të famshëm, Django Reinhard.
Siç thotë ai, “nëna e tij kishte jetuar gjatë në Rue des Rosiers pranë restorantit ‘A Picolo’, që sot është si të thuash mbretëria e motrës së vet, Josephine”. Serge, i dekoruar nga qeveria franceze me “chevalier des Arts et des Lettres” në vitin 2009, është tashmë një emër i njohur në fushën e muzikës si dhe drejtuesi i një festivali xhazi apo i Festivalit të përvitshëm të “Puces de Saint-Ouen”. Bashkë me aktorin dhe këngëtarin e njohur Richard Bohringer, ai ka botuar më 1993 “Cité – chanson pour une voix et piano” dhe “Y’avait du foin”.
Restoranti “A Picolo” shumë pak ka ndryshuar nga pamja e fillimit të shekullit XX, kur dhe atëherë në lokal luhej muzikë. Atmosfera është gjithnjë miqësore, e gëzueshme dhe tepër e ngrohtë, me një potpuri popujsh. Por, ajo që më ka mbetur në kujtesë nga biseda me Josephinen ishte se para se të vdiste, Maliqi e kishte lënë amanet që kur të vdiste “vëllai i tij” Gjergj Thanasi, ta varrosnin në të njëjtin varr me të. Dhe kështu do të ndodhte… Dy emigrantët shqiptarë nuk u shqitën nga njëri-tjetri dhe në varr.
Përfshihet nga zjarri një veturë në Prishtinë, policia jep d...
Mori një goditje të fortë në fytyrë nga kundërshtari, dalin ...
BBVA4 nis të shtunën, mesazhi i Sara Hoxhës: Kemi sakrifikua...
Nesër seanca e përbashkët plenare, deputetët shqiptarë dhe k...
Ledri Vula lanson këngën e re “Oj oj oj”
Osmani: E ardhmja e Kosovës në BE është e pashmangshme e për...