Premiera e një versioni të ri kroat të shfaqjes të bazuar në tregimin e famshëm botërorë të vajzës hebreje holandeze, e cila vdiq në një kamp nazist, është planifikuar të vihet në skenë të premten në teatrin e fëmijëve në Zagreb.
Vizitorët në teatrin e fëmijëve “Tresnja” në Zagreb do të kenë mundësi të premten të shohin premierën e shumëpritur të “Ana Frank”, një vepër e bazuar në historinë e vërtetë të një vajze hebreje në Holandën e pushtuar nga nazistët, e cila mbante një ditar të fshehtë.
Frank e shkroi ditarin midis qershorit të vitit 1942 dhe gushtit të vitit 1944, ndërsa familja rrinte e fshehur në një papafingo në Amsterdam.
Familja u tradhtua dhe u kap nga nazistët. Më pas u transferua në Aushvic dhe më vonë në kampin e përqendrimit në Bergen Belsen, ku ajo vdiq në mars të vitit 1945, në moshën 15-vjeçare.
Babai i saj e botoi ditarin e vajzës në vitin 1947 dhe së shpejti u kthye në një nga librat më të shitur, me më shumë se 30 milionë kopje të shitura në shumë gjuhë. Ai konsiderohet gjerësisht si një dëshmues i Holokaustit si edhe një vepër e hollë letrare.
Data e premierës u zgjodh që të shënonte 70-vjetorin e vdekjes së saj. Është hera e parë që vepra vihet në skenë në Zagreb që prej vitit 1957.
Drejtori i teatrit dhe regjisori Jakov Sedlar, i cili e ka prekur çështjen e Holokaustit në disa prej filmave të tij dhe njihet për filmat “Four Rows” dhe “Gospa” (Nëna e Zotit), të cilët disa i konsiderojnë shembuj revizionizmi historik.
Sedlar tha se vepra përqendrohet në historinë e një fëmijërie të shkatërruar nga kaosi i luftës, por gjithashtu merr një qasje largpamëse.
“Edhe pse vepra i referohet një situate të caktuar dhe një personi i cili aksidentalisht u bë një simbol i Luftës së Dytë Botërore, ajo është në fakt një ‘homazh’ për të gjithë të rinjtë që kanë vuajtur dhe vdekur në historinë e njerëzimit,” deklaroi ai.
Sedlari theksoi se as ditari dhe as vepra nuk përqendrohen vetëm te Holokausti dhe lufta, por gjithashtu te “dashuritë e para, puthjet, marrëdhëniet familjare dhe ëndrrat” e një adoleshenteje.
Vepra merr vetëm disa pjesë të ditarit dhe përfshin një video origjinale të Anës duke përshëndetur me dorë nga dritarja e apartamentit të saj gjatë një dasme.
Ajo përfundon me një video të Branko Lustig, një regjisor kroat në Hollivud (regjisori i “Lista e Shindlerit”) nga Bergen Belsen, ku ai kaloi dy muaj e gjysmë në vitin 1945.
Lustig, i cili i mbijetoi kampit dhe u lirua nga Ushtria Britanike në prill të vitit 1945, i kushtoi jetën e tij promovimit të së vërtetës rreth Holokaustit.
Sedlari theksoi se dëshmia e Lustigut në fund të veprës nuk është një mesazh urrejtjeje, por “një mesazh tolerance, paqeje dhe dashurie”.
Vepra e Sedlarit do të shkojë në Tel Aviv në Izrael në pranverë me ftesë të teatrit hebre-arab nga Jafa./kallxo
Kancelari gjerman Scholz do të kandidojë për një mandat të d...
Vrau Martin Canin gjatë një sherri dhe plagosi shokun e tij,...
Rama uron ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
Analistët: Përdorimi i raketave të shpejta nga Rusia, sinjal...
Ndodh edhe puthja e shumëpritur mes Lelës dhe Leos
Real Madridi mund të futet në garë për Lookman, por çmimi i ...