Hapet festivali i muzikës, artit dhe teknologjisë

17:56 | 21 Korrik 2016
M. A.

Në Parkun e Gërmisë në Prishtinë, nga sot deri të shtunën do të kenë mundësinë të shijojnë muzikën e huaj dhe të shohin nga afër edhe artistët e njohur ndërkombëtar por edhe ata shqiptar. Kjo u bë e mundur, pasi që në pasditen e së enjtes në këtë hapësirë gjelbëruese u hap festivali P+, festival ky i muzikës, artit dhe teknologjisë.

Ky festival është më ndryshe se festivalet që jemi mësuar të shohim në Kosovë, e më të veçantë e bënë kreativiteti i të rinjve kosovarë, ku përmes bimëve paraqesin tinguj të muzikës, “piano bimore”.

Njëri ndër organizatorët e festivalit tre ditor që do të jetë i hapur nga ora 15:00 deri në orën 06:00, të mëngjesit, Rron Gjushinca, ka treguar detajet e këtij festivali për KosovaPress.

Ai tha se veç skenës që të festivalit e cila është po e njëjta si e skenave botërore, më ndryshe dhe më interesante e bënë teknologjia që do të prezantohet dhe arti. Veç kësaj më të veçantë e bënë edhe hapësira ku do të mbahet festivali.

“Këtë festival e bënë më ndryshe vetë fakti që po shihet edhe skena që është një prej skenave botërore që i sheh nëpër festivale tjera. Këtu përveç muzikës që ka me qenë është më interesant që ka me pas edhe teknologji dhe art, është sektori i ICK, që do të prezantojnë, teknologji të reja, ide të reja…ka aktivitete të ndryshme përveç muzikës, ka artistë shumë të njohur, një prej tyre është  natën e parë, Bushido, që është një prej artistëve më të njohur gjerman dhe botëror. Por përveç tij kemi edhe repera të njohur shqiptar”, tha Gjushinca.

Por festivale të këtij lloji dhe këtij organizimi, Gjushinca e sheh si të domosdoshme për të rinjtë e Kosovës, ku siç tha ai këta të rinj e meritojnë një angazhim të këtij lloji.

“Përveç faktit se kemi shumë rini dhe njihemi si  shtet me shumë rini, unë duke ia nisur nga vetja e di se shumë prej shoqërisë sime sa më shumë që njoh janë të involvuar shumë në muzikë, sidomos  janë në trend me këngët e reja, me artista të ri dhe besoj që e meritojnë me pas kësi angazhimesh dhe kësi aktivitetesh”, theksoi Gjushinca.

Bashkë organizator i pjesës së teknologjisë ICK, Oltin Beshiri tha se në natën e parë të këtij festivali do të shpalosin printerin 3D, ku do të prezantojnë disa pamje virtuale. Megjithatë, ai shpreson që kjo nismë të vazhdojë edhe në vitet në vazhdim.

E reja e cila ishte pjesëtar të akademisë së teknologjisë, ka prezantuar edhe projektin e saj të tingujve muzikor të krijuar nga bimët e ndryshme.

“Kjo është një kitarë me lule, apo me lloje të bimëve të ndryshme, ku jemi munduar të bëjmë me prekje që të del tingujt e kitarës, pasi që është festivali më shumë për tokën, muzikën dhe artin, kemi përdoru bimën përndryshe do të mund të bëhej edhe me pemë, perime  apo çdo gjë që e gjejmë në shtëpi” ka treguar ajo.

Ndryshe, çmimet e biletave për këtë festival në natën e parë do të jenë 20 euro, vlen për biletat të cilat do të blihen në hyrje, ndërsa, do ketë edhe bileta me çmim prej 15 euro.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme