Hamleti dhe Ofelia shpesh nuk janë në frekuenca të njëjta. Katër litarë që mund t`ia marrin jetën dikujt, por në ndërkohë ata dy puthen edhe pse në relacionin e tyre kjo duket si diçka e pështirë.
Vallëzimi bëhet i egër, me të qeshura, Ofelia bëhet histerike ndërsa Hamleti kërkon Horacion, shokun e tij, ose ndoshta edhe jo më. Hamleti vjen më pas në një pozë kurve.
“Televizori, neveria jonë. N-E-V-E-R-I. Rehati – R-E-H-A-T-I. Rroftë Coca Cola”.
Shfaqja “Hamletmachine” me tekst nga Heiner Muller dhe regji të Hana Qenës kësisoj ka dhënë premierën e saj sonte në Teatrin Kombëtar të Kosovës, shkruan sot KultPlus. Shfaqja ka ardhur në Skenën e Vogël të institucionit teatror, me audiencë në numër të madh dhe me emocione prej një tabloje teatrore tek tjetra, me vetëm dy aktorë, një burrë e një grua, dhe një Hamlet që me duar në fytyrë në një moment dëshiron të jetë grua.
Teksti origjinal daton në vitin 1979, i bazuar në Hamletin e Shekspirit, por si kundërpërgjigje për problematizimin e rolit intelektual në Gjermaninë e Komunizmit. Në vitin 2007, teksti ka gjetur inskenim në teatrin Samuel Beckett në Dublin, tri vite më pas në Barcelonë e më pas ka udhëtuar edhe për në Kinë, fakt që tregon relevancën dhe fuqinë që ky tekst ka mbi secilën shoqëri, edhe atë më perfekten.
“Vetë në shfaqje ceken shumë herë tradhtia e gënjeshtra, apo fakti se intelektualët përfundojnë në rrugë të dështuar. Në Kosovë, kasta politike është e dështuar dhe ky tekst shkon për ta” tregon Hana Qena, regjisorja e shfaqjes.
Alketa Sylaj dhe Ermal Sadiku janë munduar që për më shumë se 40-të minuta të mbajnë për vete publikun, në misterin që bart shfaqja. Teksti i Muller është paralele e fuqishme me aktualitetin kosovar.
Qena jo pa arsye e ka marrë këtë tekst për ta sjellë në shfaqjen që vjen si krijimin i saj, një rikthim i regjisores pas disa vitesh pauzë.
“Nuk është një shfaqje e zakonshme, sidomos sikur shfaqjet në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Janë performanca të shkurtra të cilat ndërtojnë një performancë komplete. Unë nuk kam pasur frikë nëse publiku do ta kuptojë këtë dilemë hamletiane, por kam dashur që ata të kuptojnë aktorët dhe kam dashur të krijoj në fakt një ekspozitë, një galeri ku njerëzit janë në lëvizje” vazhdon Qena për KultPlus.
Alketa Sylaj, aktore, vjen në rolin e Ofelisë, që hedh jashtë spermën e të gjithë meshkujve, e tërbuar, me mantelin e saj të zi. Ermal Sadiku, në anën tjetër, pikë ujë gjatë performancës duke sjellë Hamletin, atij që nuk dëshiron të luajë më asnjë rol, që dëshiron t`ia hajë zemrën Ofelisë, për pallatin e mbytur në një mut mbretëror. New York Times, në vitin 2000, e quajti tekstin si tekst të mbushur me aurë të krizës, një lojë dramatike në formë të shakasë, një tekst që është shkruar nga një person që ndoshta nuk ka besuar as vetë në një lojë kaq të fuqishme dramatike.
Kritikët thonë që Hamletmachine është kritikë për paaftësinë e intelektualëve evropianë për të bërë ndonjë ndryshim në ciklin e dhunës e revolucionit e në këtë situatë janë edhe personazhet e tekstit.
“Hamletmachine, për mua si regjisore është përpjekje për çlirim nga sindroma e Ofelisë” thotë regjisorja Hana Qena. Repriza e parë e shfaqjes “Hamletmachine” është nesër mbrëma, 14 qershor, e martë, me fillim prej orës 20:00, në Teatrin Kombëtar të Kosovës.
Këshilli i Sigurisë me masa për sigurinë pas shpërthimit në ...
Parashikimi i motit në Shqipëri, ulen temperaturat, vranësir...
Rusia thotë se ka bombarduar forcat antiqeveritare në Siri
Sigurohet furnizimi i rregullt me rrymë për vendin dhe ngroh...
Mundësohet furnizimi i papenguar i KEK-ut me ujë nga kanali ...
Shpërthimi në Ibër Lepenc/ Policia rrit masat e sigurisë, pë...