Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prizren (ish Instituti për Mbrojtje të Monumenteve) shënoi mbrëmë gjysmë shekulli jete që nga themelimi i këtij institucioni të trashëgimisë.
Në një ceremoni të organizuar në Hamamin e Gazi Mehmet Pashës në Prizren u shënua ky jubilar, ku u promovuan edhe katër botime të QRTK-së: “Zejet dhe Artizanatet e Prizrenit në Kompleksin Monumental të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit” të autores Shpresë Siqeca, “Gurët Mbivarrorë në Kompleksin e Teqesë Sinani në Prizren” të Media Fishekqiut, “Katalog me Eksponate nga Rajoni i Prizrenit” dhe “Katalog Araste Vice-Versa”.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, i cili mori pjesë në këtë ngjarje, me këtë rast u shpreh se është një kënaqësi e dyfishtë që po merr pjesë në shënimin e 50 vjetorit të themelimit të Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore, në Prizren, apo siç është emërtuar në fillet e themelimit tij si Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve në Prizren.
“E para për faktin se po e shënoni 50 vjetorin e themelimit të këtij institucioni të veçantë, ku për plotë pesë dekada jeni angazhuar në ruajtjen, mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë tonë të çmuar kulturore. E dyta, se nga ky ambient rikonfirmoj faktin se qyteti Prizrenit përveç se është bërë qendër universitare, nga viti ardhshëm do jetë edhe qendra apo selia e Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit”, tha ministri Gashi.
Ministri foli për rëndësinë dhe kontributin që ka dhënë QRTK-ja në Prizren e cila ka bërë të mundur që vlerat e shumta e të pakontestueshme të kulturës materiale të krijuara pa ndërprerë, në këtë areal gjeografik të ruhen e të promovohen.
“Pasuria arkeologjike e rajonit të Prizrenit, asetet e shumta të trashëgimisë kulturore, dhe asaj shpirtërore, janë një thesar i çmuar, për të cilin ashtu siç mundi t’i ruajë toka me shekuj, duhet të mbetet obligim i yni që institucionalisht të përkujdesemi për to”, u shpreh ministri, duke e shprehur edhe mirënjohjen për stafin e vyeshëm dhe profesional të QRTK-së por edhe për të gjithë ata, që për dekada, me përkushtim dhanë kontribut të madh në këtë fushë.
“Njërin ndër personalitetet të cilin nuk mund të mos e përkujtojmë sot, është i ndjeri Muhamed Shukriu i cili tërë jetën ia kushtoi trashëgimisë kulturore. Andaj në përputhje me mandatin tim si Ministër me kënaqësi do i ndaj mirënjohjen për ‘Post Mortem’ për kontributin e dhënë në fushën e trashëgimisë kulturore këtij personalitetit të çmuar të vendit tonë”, theksoi për fund ministri Kujtim Gashi, duke i ndarë këtë çmim familjarëve të Shukriut.
Ministri u zotua se do të punojë për një përkrahje edhe më të madhe, për t’u mundësuar institucioneve të trashëgimisë kulturore ta avancojnë këtë fushë.
Kurse Jusuf Xhibo, u.d. drejtori i QRTK-Prizren, foli për historikun e QRTK-së, që nga themelimi në vitin 1967 e deri në sot, për sukseset dhe proceset nëpër të cilat ka kaluar ky institucion.
Nga çdo kontinent, Kosova paguan qindra miliona për import t...
Edhe 17 ditë afat për certifikim të partive, ende asnjë apli...
USAID 25 vjet në Kosovë, Ambasada amerikane: Riafirmim i për...
Izraeli urdhëron evakuime në disa zona të Gazës, nxit një va...
Nwaneri në histori të Arsenalit, Arteta me fjalë të mëdha pë...
LDK sot në Malishevë me “Turneun e Ndryshimit”