Gjuha shqipe ka nevojë për pasurim me fjalë të reja

11:22 | 16 Qershor 2015
Arbresh.info

Në fushën e leksikologjisë e leksikografisë shqiptare, gjuhësia ka arritje, por atë e presin detyra të reja.

Kjo sepse zhvillimi i proceseve shoqërore e kulturore prek edhe leksikun e shqipes. Rreth këtij konstatimi janë endur pikëpamjet e studiuesve të gjuhës, që të hënën u mblodhën në kryeqytet në sesionin e gjuhësisë që u mbajt në ditën e parë “Javës së Albanologjisë”, raporton sot “Koha Ditore”. “Prurje leksikore dhe leksikografike në fushë të shqipes”, është tema për të cilën kanë shkruar kumtesa rreth 30 studiues të albanologjisë. Të mbledhur në Institutin Albanologjik të Prishtinës, që sivjet organizoi edicionin e gjashtë të “Javës…” ata kanë trajtuar aspekte të ndryshme për rezultatet dhe sfidat që lidhen me leksikun dhe leksikografinë shqiptare të ditëve të sotme.

Studiuesi Qemal Murati ka thënë se arritjet në këtë fushë nuk mungojnë, pasi janë botuar mbi 20 fjalorë dialektorë e krahinorë. Ai ka përmendur si një prej punëve më të rëndësishme të leksikografisë shqipe, botimin e “Fjalorit të gjuhës shqipe” më 1984, të ribotuar më 2002 e 2006. Por sipas tij, kjo nuk mjafton.

“Por kjo punë natyrisht duhet të çohet edhe më tej, të hartohen edhe fjalorë tjerë leksikorë e terminologjikë që do t’u shërbenin përdoruesve dhe studiuesve të gjuhës në rrafshe shumëplanëshe. Është koha të hartohet edhe një fjalor i neologjizmave”, ka thënë ai.

Në kumtesën e tij me titull “Leksiku dhe leksikografia shqiptare në vështrimin e sotëm – rezultate dhe probleme”, Murati ka përmendur disa prej çështjeve më aktuale sa i përket fushës së fjalorëve. Ai ka sugjeruar të hartohet një fjalor i fjalëve të huaja më i plotë sesa ai ekzistues, të hartohet një fjalor i fjalëve të reja që së fundi janë krijuar e kanë hyrë në qarkullim, si dhe të hartohet një fjalor standard i tipit të mesëm e të madh me mbi 100 mijë fjalë, ngase, sipas tij, fjalori aktual standard nuk e ka as gjysmën e këtij fjalësi.

“Baza dhe themelet për këtë fjalor janë vënë tanimë. Puna është që ky projekt të çohet më tej sa më parë”, ka thënë ai.

Studiuesi nga Shqipëria, Jani Thomai, ka lexuar kumtesën e tij me titull “Lëvizjet prapavajtëse në leksikun e gjuhës së sotme shqipe”.

“Mund të thuhet që lëvizjet në leksikun e gjuhës shqipe po ndodhin më shpejt se regjistrimi dhe studimi i tyre”, ka thënë Thomai, tek ka folur edhe për huazimet që sipas tij megjithëse e përditësojnë leksikun e shqipes, nganjëherë janë të panevojshme.

“Terminologjia shkencore sidomos në fushën e ekonomisë, elektronikës, informatikës, administratës, artit, kulturës, sportit etj., është e mbushur edhe me terma të huazuar pa nevojë, dukuri që ka sjellë deri në prishjen e sistemit terminologjik”, ka thënë ai.

Studiuesja Shefkije Islamaj, në fjalën hapëse të sesionit të gjuhësisë, ka shpjeguar përse sivjet është përcaktuar të trajtohen çështjet leksikografike.

“Gjuha shqipe sot gjendet në një situatë të re e të përbërë procesesh zhvillimi shoqërore e kulturore e kjo do të thotë se gjuhësinë shqiptare e presin edhe detyra të reja. Këto procese, zhvillime e prekin gjerësisht nga pikëpamja tematike e kulturore edhe leksikun e shqipes”, ka thënë Islamaj, teksa ka shtuar se kumtesat e lexuara në ditën e parë të “Javës së Albanologjisë” mëtojnë të ndriçojnë aspekte të ndryshme të këtyre proceseve zhvillimeve dukurive e krijimeve të reja në rrafshin e leksikut të shqipes.

Studiuesi Emil Lafe ka lexuar kumtesën me titull “Vështrim i përgjithshëm tematik e statistikor i zërave personalë në ‘Fjalorin enciklopedik shqiptar’ të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (3 vëllime, Tiranë 2008-2009)”, Xhevat Lloshi ka lexuar temën “Prania e arabizmave në leksikun e shqipes”, përderisa Rami Memushaj ka lexuar kumtesën me titull “Sintetizmi si prirje edhe e proceseve fjalëformuese të shqipes”. Mes atyre që janë paraqitur me kumtesa në sesionin e gjuhësisë janë edhe Kujtim Kapllani, Valter Memisha, Agron Duro e Gani Pllana, Artur Lamaj etj.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme