Luan Rama
– Alo ? Mama?! Besoj se tani je më mirë?
– Dje u rrëzova dhe vrava gjunjët… por sot jam më mirë. Do të dal, nuk mund të rri brenda. Bën kohë e bukur dhe do të shkoj në një restorant kinez… Po ti? Aty e ke të dashurin tënd?
Zëri i saj, me një frëngjishte perfekte, ishte si zëri i një gruaje pesëdhjetëvjeçare, megjithëse ajo po i afrohej të nëntëdhjetave. Ishte Tania Tolstoi Albertini, mbesa e Leon Tolstoit, të cilën shkrimtari i madh e donte shumë dhe në mjaft fotografi, ajo shpesh është në gjunjët e gjyshit të saj të adhuruar. Ai e merrte gjithnjë në shtigjet plot drurë e gjelbërim të Jasnaja Poljanas dhe këto imazhe kishin mbetur te ajo të gjalla edhe pas kaq kohësh, si në një përrallë të ëmbël, përthyer nga rrezet e diellit që depërtonin lart pemëve të shtëpisë Tolstoi.
Isha me vajzën e saj, Marta Albertini, me të cilën më kishte njohur miku im i vjetër Boris Dino dhe një miqësi e bukur ishte lidhur mes nesh, aq sa kjo grua fisnike menjëherë ndërmori udhëtimet e saja të para bamirëse për të ndihmuar fëmijët shqiptarë në vitet 1993-1997. Ishim në shtëpinë e saj buzë Senës dhe kur rastësisht ra fjala për Aleksandër Moisiun, ajo u hodh me një gëzim të papritur: “Po, Alessandro ai ishte miku i nënës time… dhe jo vetëm aq!” – dhe ajo kishte qeshur duke më lënë në një lloj hezitimi.
Ndërkohë që kujtoja këtë çast, biseda në telefon vazhdonte:
– Dëgjo mama! Jam këtu me një mikun tim shqiptar. Ti nuk ke kundërshtim të shkruhet në një gazetë shqiptare për lidhjen tënde me Aleksandër Moisiun?
– Oh, sigurisht që jo, – u përgjegj ajo duke qeshur… – përkundrazi, do më bëhej qefi!
Në tonin e zërit të saj që e dëgjoj dhe tani pas 15 vjetësh ndihej një lloj nostalgjie dhe gëzimi rinor, një rikthim në një kohë të shkuar që tani ajo po i shfaqej me fytyrën e të dashurit të saj të dikurshëm: Aleksandër Moisiu!
Atje, në shtëpinë e saj në Romë, ku kishte kaluar pjesën më të madhe të jetës së saj, këto çaste ishin të veçanta, nostalgji e kujtimeve rinore, çka i sillte imazhet e atij flirti të paharruar:
– “Moisiu ishte i bukur dhe unë e dashurova atë!”
E habitshme kur flirtet e dikurshme jetojnë ende dhe në kohën kur njeriu duhet të shkojë nga kjo botë.
Po të shkoje në Romë dhe t’i flisje Tanias për Aleksandër Moisiun, ajo menjëherë do të tregonte atë thesar të vogël fotografik, ku ajo ishte pranë Alessandros, siç e thërriste ajo. Në një nga fotografitë, ishte nëna e saj Tatiana, në moshën gjashtëdhjetëvjeçare e me flokë të thinjura, ngjitur saj Aleksandër Moisiu dhe në krahun tjetër ajo, Tanushka. Në një fotografi tjetër është vetëm Moisiu, ku ai ka shënuar: “Chère charmante Tanouchka. Je vous laisse mon Coeur! Revenez bientôt!… Alexandre Moissi. (E ëmbla Tanushka. Po ju lë zemrën time. Kthehu së shpejti!…)
Me siguri, atë çast, Moisiu kishte nevojë ta shikonte Tanian dhe ta kishte pranë. Ishte i dashuruar.
“Të lutem, mos e humb këtë fotografi… nuk e shikon sa bukur e ka shkruar?… Eshtë e vetmja që më ka mbetur…”
Tania mezi e lëshoi nga dora atë fotografi dhe kujtimet iu zgjuan. Rinia e saj, dashuritë, imazhet që shfaqeshin në një flu të çuditshme dhe rrugët, rendjet e saj, pasi jeta e saj në këtë moshë të bukur nuk kishte qenë e lehtë. “Tolstoi vdiq në nëntor të vitit 1910 dhe unë isha e vogël, – kujtonte ajo. – Shpejt erdhi revolucioni bolshevik dhe shtëpia jonë, shtëpia e kontit Tolstoi, rrezikohej të plaçkitej e të digjej si gjithë vilat e kontëve dhe fisnikëve rusë. Ne u bëmë gati të iknim nga Jasnaja Poljana, por sovjetët e kursyen shtëpinë e kont Tolstoit. Megjithatë jeta jonë do të ishte e vështirë…”
Në kulmin e varfërisë, Sonja, gruaja e Tolstoit, e tronditur thellë nga vdekja e Tolstoit, që aq shumë e kishte dashur dhe urryer njëkohësisht për shkak të dashurive, me xhelozitë skandaloze të saj po dhe të kohës që ai kalonte me romanet e tij, shpejt do të mbyllej në vetvete dhe do të binte në një trisht të madh, aq sa pak vite do të kalonin kur do të vdiste dhe ajo. Familja e madhe Tolstoi filloi të shpërndahej, ndërsa Tanushka që rritej nën kujdesin e Tanias, të adhuruarës së Tolstoit që me dhjetëra e dhjetëra herë i kishte kopjuar në të pastër dorëshkrimin e “Lufta dhe Paqes” apo “Ana Kareninës” etj. E, Tanushka ëndërronte që një ditë të bëhej aktore. Teatri si të thuash e rrëmbente aq shumë sa ajo humbiste për një kohë të gjatë në atë botë të krijuar me dekore të tjerë, por ku ndjehej një shpirt. Disa herë tentoi të futej në shkollat teatrale të artit dramatik në Moskë, por vajza e kontit Tolstoi, për çështje klasore nuk mund të bëhej një artiste e revolucionit, edhe pse gjyshi i saj, me veprën e tij në njëfarë mënyre kishte kontribuar për një epokë të re në Rusi.
“Atëherë ne jetonim në Moskë në dhomën e ballos të një tregtari rus, – tregonte nëna e Martës, Tanushka, – kur një ditë pranvere dhoma trokiti dhe një i huaj që nuk fliste rusisht hyri brenda me një pamje të gëzuar: “Jam Aleksandër Moisi, – u prezantua ai, – dua të njihem me familjen Tolstoi, me familjen e një prej shkrimtarëve që adhuroj më shumë!” Ishte një vizitë e papritur. Moisiu donte të shikonte dhomën ku shkruante Tolstoi dhe shtratin ku kishte vdekur. Kur u afrua pranë shtratit, ra në gjunjë dhe mbeti i magjepsur pa folur, pasi ishte ai njeri i cili kishte vdekur atje që i kishte dhënë jetë Fedias, personazhit që do të vdiste në skenë… Kur kishte shkruar lidhur me rolin e Fedias (Si e njoha Fedian?), Moisiu kishte pohuar: “E lexova me një frymë… Një shkëlqim, një rrufe më goditi sytë… Më ra befas dhe e dija se kjo dashuri në vështrimin e parë do tu rezistonte të gjithave… Unë e mbajta imazhin e tij në kohë luftrash dhe kaosi. Madje edhe para kritikash të mençura apo të çmendura…”
Tatiana e ftoi përsëri mikun e ri dhe e njohu me Mishën, nipin e Çehovit, një aktor mjaft i njohur që ato kohë interpretonte Hamletin në një nga teatrot e Moskës. Pas asaj dite, Misha e ftoi mikun entuziast në shfaqjen e tij e po kështu dhe Moisiu e ftoi atë në Teatrin Artistik të Moskës, ku ai po jepte disa shfaqje dhe ku çuditërisht ai interpretonte në gjuhën gjermane, ndërkohë që trupa tjetër, ruse, interpretonte në rusisht. “Ato kohë, nga lozha e teatrit ne e ndoqëm disa herë Moisiun… Një ditë, ai dëshironte ta shoqëronim në Jasnaja Poljana, për të parë shtëpinë ku kishte jetuar familja jonë dhe ne shkuam me mamanë dhe disa miq të tjerë. Tatjana e shoqëronte ngado. Bashkë vizituam dhe muzeun e Ermitazhit në Sent Petersburg që atëherë quhej Leningrad. Ishte viti 1924”. Pikërisht gjatë këtij qëndrimi prej gjashtë javësh, ai do të interpretonte me Stanslavskin e pakrahasueshëm, gjeniun e teatrit rus, siç e cilësonte Moisiu.
Gjatë kësaj vizite, Moisiu donte të nderonte gjithashtu gjigandin tjetër të letërsisë ruse, Dostojevskin. Kjo vizitë ishte vizita e dytë që Aleksandër Moisiu bënte në Rusi, pas asaj që kishte bërë në vitin 1911. Ai ishte ndër të parët artistë perëndimorë që do të shkelte në Bashkimin Sovjetik, siç ishin disa intelektualë e artistë gjermanë, anglezë e amerikanë, mes të cilëve dhe balerina e famshme Isadora Duncan, e cila ra në dashuri me poetin Sergej Esenin dhe më vonë u martua me të. Në udhëtimin e dytë, në kohën që u njoh dhe me familjen Tolstoi, Moisiu qëndroi gjashtë javë ku siç shkruan ai, “kësaj here unë interpretova në Teatrin Artistik të Moskës dhe në Leningrad, me Stanislavskin e paharruar”.
Edhe aktorja Johanna Tervin, gruaja e dytë e Moisiut, në këtë kohë kujtonte provat e vështira të Moisiut me aktorët rusë e në veçanti, njohjen me familjen Tolstoi, pasi Moisiu e adhuronte letërsinë e këtij gjigandi të letërsisë botërore e në veçanti adhuronte Fedian, atë rol magjistral te “Kufoma e gjallë”. Në fakt, që në vitin 1918, Moisiu kishte interpretuar në teatrin gjerman pjesën e Tolstoit, “Pushteti i errësirës”, në rolin e Nikitës e po kështu dhe në “Drita ndriçon në errësirë”, në rolin e Sarinçeviqit. Në vitin 1920, në “Kamershpile theatre”, një teatër shumë i njohur në Berlin, ai interpretoi në dramën “Ajo i ka fajet për të gjitha”. Por, roli më i dashur për të ishte Fedja tek “Kufoma e gjallë” e Tolstoit.
“Fedja e Moisiut është padyshim nga rolet më të bukura që kam parë nga bota teatrale, – tregonte Tanushka, – ishte një pjesë me finesë dhe një intensitet të pakrahasueshëm. Kur iku Moisiu nga Moska, thashë me vete se nuk do ta shikoja më, pasi në Rusi gjendja bëhej gjithnjë e më e vështirë dhe nuk mund të largoheshe. Ai na kujtonte gjithnjë dhe na shkruante me mall. Por, jo shumë vonë ne u ripamë sërish. Bashkë me nënën time, me të cilën nuk u ndava derisa ajo vdiq në vitin 1950, ne e lamë me shpejtësi Rusinë, në një çast kritik për jetën tonë. Trauma ishte e madhe dhe mendoja se kurrë s’do ta shikoja më atë vend, Jasnaja Poljanën, ato vende ku kisha kaluar fëmijërinë dhe adoleshencën time. Mendimi ynë i parë ishte të shkonim në Vjenë tek miku ynë i mirë Aleksandër Moisiu. Dhe ashtu bëmë. U gjet një rast dhe u nisëm. Sapo e njoftuam që kishim mbërritur në Vjenë ai na priti me një dashuri të madhe, bashkë me gruan e tij Johana Tervin, me të cilën kishte veçse pak vite që ishte martuar. Atë kohë ai jetonte në Dornbah, në periferi të Vjenës, në një vilë të tij.
Që ditët e para që shkuam, Johana u kujdes shumë për mua. Më ndryshoi gjithë veshjen dhe më veshi me rroba perëndimore. Një ditë më preu dhe flokët. Ato kohë mbaja flokë të gjata. Isha në lulen e rinisë. Me Moisiun dilnim shëtitje nëpër Vjenë, ndiqnim pjesët teatrale dhe filmat, të cilat ai i kishte shumë për zemër. Nëna u nis për një javë në Çekosllovaki, e ftuar atje për të mbajtur disa konferenca për Tolstoin, rreth jetës së tij në Jasnaja Poljana. Ishte ftuar nga vetë presidenti Masarik, i cili kishte qënë mik me Tolstoin dhe dikur kishte ardhur ta vizitonte në Jasnaja Poljana. Duke qëndruar vazhdimisht me Moisiun ishte e pamundur mos ta adhuroje atë njeri. Kështu unë rashë në dashuri me të dhe ai e kuptoi. Ai dhe Johana flinin në dhoma të veçanta. Një natë ne u përqafuam dhe u puthëm dhe shpresoja se do ta dashuroja gjatë atë, por gjithçka mbeti në puthjet e atyre netëve. Ai nuk erdhi më në dhomën time edhe pse e dinte se unë e prisja. Nuk donte ta ndryshonte rrjedhën e jetës time, pasi isha një vajzë e re. Pas një muaji qëndrimi në Vjenë ne u nisëm për në Francë. Moisiu njihte ambasadorin francez në Vjenë dhe ndërhyri të na jepeshin vizat për të shkuar në Paris…”
Në Paris, në mërgim, edhe pse në varfëri, Tatjana me vajzën e saj Tanushka e përballoi me dinjitet jetën e përditshme dhe asnjëherë nuk u ankua, madje përkundrazi, në Neuilly, në periferinë pariziene të atëhershme, ajo hapi një pension ku priste e strehonte emigrantë që vinin nga Rusia, përgjithësisht emigrantë politikë apo “rusë të bardhë” siç i cilësonin, të cilët ishin kundër bolshevikëve të Stalinit. Shpesh mbante konferenca dhe mblidhte para, por të gjitha këto ishin për të ndihmuar të tjerët. Kishte një zemër të madhe. Ato kohë Tanushka filloi të punojë në një fabrikë lulesh artificiale. Më pas, bashkë me nënën shkuan të banojnë në bulevardin “Port Royal”, jo larg nga “Kopshtet e Luksemburgut” dhe meqë dinte shumë gjuhë të huaja, duke perfeksionuar kështu dhe frëngjishten, ajo punoi më pas në një bankë amerikane në “Avenue Montaigne”, në zemër të Parisit. Por, më vonë, familja e Tatiana Tolstoit shkoi të banonte në Clamart, në periferi të Parisit, ku ishte një komunitet mjaft i rëndësishëm “rusësh të bardhë”. “Në atë kohë, në Pontigny, jo larg Parisit, – më tregonte Marta Albertini, – një ruse e bardhë, zonja Mairish, mblidhte mjaft personalitete të kulturës franceze. Tatjana në atë kohë ishte njohur dhe me gazetaren e letraren italiane Nina Ruffini. Ishte ajo që e njohu me birin e Luigi Albertini, themeluesit të gazetës së njohur ‘Corriere della sera’. Ishte viti 1929.”
Edhe pse larg, në mërgim, bota e Tatianës dhe e Tanushkës ishte gjithnjë Tolstoi, Rusia, Dostojevski…
“Dashuria për teatrin më shtohej gjithnjë, – vazhdonte kujtimet e saj Tanushka, – veçanërisht në atë kryeqytet ku jeta teatrale ishte e gjallë dhe e jashtëzakonshme, ‘Comedie Française’, ‘Odeon’, ‘Theatre Saint-Martin’… Në atë kohë një nga trupat e njohura ishte dhe trupa teatrale e Georges Pitoeff, një rus i cili prej kohësh ishte instaluar në Gjenevë dhe më pas kishte ardhur në Paris. Ishte një nga miqtë e Stravinskit, Nizhinskit, Diagilev, por dhe i autorëve më me emër francezë, italianë, gjermanë etj. Bashkë me të ishte dhe Ludmilla. Ata ishin larguar nga Rusia që në vitin 1905, pas revoltave të para që do të lajmëronin ngjarje akoma më të mëdha. Duke qënë se ishin rusë dhe ku shpesh viheshin në skenë pjesë të autorëve rusë, si ‘Xhaxha Vania’ e Çehovit, ‘Fundërrinat’ e Gorkit etj, apo pjesë të Tolstoit, ne gjetëm tek ata një pritje të jashtëzakonshme. Më 26 tetor 1928 nisi të rishfaqej Kufoma e gjallë e Tolstoit, e cila pati një jehonë të jashtëzakonshme.
Fundi i viteve ‘20 ishte një periudhë mjaft intensive në jetën aktoriale të Moisiut. Ai erdhi për një turne shfaqjesh edhe në Paris, ku do të luante Hamletin, rolin e tij të parapëlqyer dhe Kufoma e gjallë, dy pjesë magjistrale të repertorit të tij. Pastaj erdhi sërish me dramaturgun e njohur rus, hebreun Nikola Evrenov që jetonte në Moskë. Ai sapo kishte interpretuar komedinë e tij ‘Die Kömodie des Glucks’, në maj të vitit 1927. Pikërisht këtë vit ai interpretoi ‘Hamletin dhe Fedian’ (tetor 1927). Nga teatri francez Moisiu kishte interpretuar disa role si në ‘Tartufin’ e Molierit (Lorenzo, shërbëtori), ‘Cyrano de Bergerac’, një pantomimë të njohur franceze ‘La Main’ etj. Por, ajo që e kishte bërë të njohur ishte një dramatizim i romanit të Zolasë, ‘L’Assomoir’ (Pijetorja), ku interpreton rolin qendror, Coupeau, një personazh dramatik, duke u shquar në çastet e ‘delirium tremens’, që janë dhe çaste të një aktrimi të rrallë, krah roleve të tij të mëdha si Hamleti, Fausti, Prometeu, Otello etj. Për herë të parë në Paris, ai kishte interpretuar ‘Hamletin dhe Fedian’, një turne i suksesshëm që ishte përshëndetur nga kritika franceze. Madje ai kishte patur mundësi të njihte dhe aktoren e famshme Sarah Bernard, me të cilën do të luante në skenë”.
Parisi në fakt i krijonte gjithnjë një emocion të veçantë, jo vetëm për faktin që ishte një metropol i teatrit botëror, por edhe sepse kujtime të vjetra i risillnin kohën kur në vitin 1915 ishte mobilizuar ushtar, fill pas shpërthimit të Luftës së Parë Botërore. Dhe ashtu si ai dhe dhjetëra figura të tjera të artit austriak, që edhe pse e urrenin luftën, ishin të detyruar të viheshin në radhë dhe të dërgoheshin në front. Sa herë kalonte nga Parisi dhe qëndronte për pak kohë, e pushtonin kujtimet e kohës së Luftës së Parë Botërore, pasi edhe pse një kohë gjashtëmujore, ajo ishte mjaft intensive dhe dramatike, pasi lidhej me luftën, kohën kur hyri në skuadriljet e aviacionit gjerman. Por, ndodhi që gjatë një inkursioni në drejtim të qytetit verior Lille, pranë kufirit belg, ai të kapej rob, meqë avioni i tyre u detyrua të ulej. Ishte data 6 shtator 1915. Robër në Calais, bashkë me pilotin tjetër Prieve, siç bën të njohur një nga biografët e fundit të Moisiut, Rudiger Schaper, në librin e tij Moisiu, një legjendë artisti, ata i burgosin fillimthi në një burg anglez dhe pastaj i nisin drejt një kampi-burg ushtarak që gjendej në cepin e Bretagnes, larg frontit, në ishullin Belle-Ile-en-Mer.
Ishte kulmi i Luftës së Parë Botërore. Ndërkohë që në Verdun, Argonne dhe Reims lufta bënte kërdinë, gjithçka ishte e qetë në Belle-Ile, deti, pulëbardhat… Por, shpejt të burgosurit gjermanë, austriakë, çekë etj., do t’i transportonin drejt jugut të Francës dhe rrugës me tren, Moisiu dhe një shoku i tij Verner mundën të arratisen me idenë se mund të kapërcenin Pirenejtë dhe të shkonin në Spanjë, por rrugës i kapin dhe menjëherë i nisin drejt një tjetër kampi-burg që ishte në Toulouse, jo larg kufirit spanjoll. Pikërisht në këtë kohë Moisiu ishte ftohur dhe i sëmurë rëndë nga mushkëritë, me ndihmën e Kryqit të Kuq zviceran, ai dhe 24 të burgosur të tjerë, më 3 qershor 1916, u shkëmbyen me të burgosur francezë dhe kështu ai mundi të shkonte drejt Zvicrës… më së fundi ishte i lirë. Ishte një kohë e tmerrshme dhe imazhet e asaj rruge tek kthehej për në Vjenë ishin vërtet tragjike. Miliona njerëz ishin vrarë në frontin e asaj lufte absurd. Tashmë, ajo që donte të bënte ishte të luante në skenë, por lufta dhe fundi i saj i tmerrshëm me miliona të vrarë, e shkatërroi dhe jetën skenike në Vjenë apo Berlin. Në duar i kishte mbetur veç “Kryqi i Hekurt” me të cilin e nderoi Gjermania e mundur. E megjithatë, jeta skenike do të rifillonte, madje me një ripërtëritje për aktorin Moisi, i cili ishte një nga zbulimet e regjisorit të madh Max Reinhardt…
Kështu, me këto kujtime të trishta por dhe me mallin që rigjeti Parisin e dikurshëm të teatrit dhe të filmit, Moisiu u ngjit në skenën pariziene për të luajtur Hamletin. Në një letër që i shkruante motrës së tij Elvira nga Parisi ai e njoftonte se “do të jem në Paris gjer në 6 korrik dhe ndoshta edhe më gjatë, sepse punët këtu ecin mbarë dhe suksesi është i sigurt, madje përtej shpresave të mia”. Antoine André, një nga personalitetet e teatrit të asaj kohe, duke parë Hamletin e interpretuar në skenën pariziene shkroi se “në rolin e Hamletit ai fitoi simpatinê e publikut francez. Nga fillimi gjer në fund ai e interpretoi rolin me sinqeritet, thjeshtësi dhe në mënyrë shumë të natyrshme… Hamleti i interpretuar prej tij ishte një qenie e gjallë. Ishte i jashtëzakonshëm në monologun ‘Të jesh apo të mos jesh’, të cilën e interpretoi me një zë tepër të pasur në intonacione…”
Në çastet e lira, veç takimeve me personalitete të ndryshme, jo rrallë ai takohej me Tatjanën dhe Tanushkën, të cilat e kishin ndjekur në shfaqjet e tij në teatrin e Champs Elysées. Në ato kohë në Champs Elysées po zhvillohej dhe një festival teatrosh. Flirti me Tanushkën ishte një lidhje e bukur, pasionante po që për Moisiun ishte si shumë të tjera, pasi ai binte shpejt në dashuri, siç kishte ndodhur pothuaj me të gjitha partneret e tij, siç kishte ndodhur me Johanna Tervin kur luante Mashan, një cigane te “Kufoma e gjallë”, apo aktoren që luante Ofelinë, Elisabeth Bergner, si dhe aktoren që interpretonte me të Zhuljetën tek “Romeo e Zhuljeta” etj.
Deri para disa vitesh, Tanushka mbante në shtëpinë e saj në Romë një fotografi të njohur të Moisiut, por me një shënim të thjeshtë shkruar mbi duart e tij: “Fedja”… E kishte shkruar pasi e dinte se Fedja bënte pjesë dhe në jetën shpirtërore të familjes Tolstoi… “Moisiu i kishte sytë e gjallë si sytë e Fedias, – kujtonte Tanushka në vitet e fundit të jetës së saj…” E habitshme, kur mendon se pikërisht për Tanushkën, në të gjallë të tij, Tolstoi, që e mbante gjithnjë në prehër, thoshte: “Do të vijë një ditë që kjo vogëlushe të thotë se ka qenë shumë kohë më parë një njeri që quhej Tolsoi dhe që ka ngrënë në një pjatë me mua…” Ndërkohë, Marta, vajza e Tanushkës, kujtonte gjyshen kur ajo jetonte me të në Romë: “Isha 13 vjeçare kur vdiq Tatjana, e bija e Tolstoit. Ishte 86 vjeçe dhe ne e varrosëm në varrezat e Romës. Kishte një natyrë shumë të gjallë dhe e donte jetën. Ajo vizatonte, mbante konferenca, i binte pianos, bënte triko… Unë kisha fat se çdo të shtunë shkoja të flija në apartamentin e saj shumë pranë shtëpisë sonë në Via Porta Pinciana nr.6. Ajo kishte një pasaportë franceze dhe shpesh shkonte në Villa dei Medici e ndërtuar që në shekullin XIII, ku ishte Akademia Franceze… flija në dhomën që ajo e quante ‘dhoma Tolstoi} pasi atje kishte shumë libra e objekte të familjes, si dhe një kuti druri, të cilën unë e kisha frikë sepse në të ishte mjekra e Tolstoit të cilën ia kishin prerë kur kishte vdekur. Ajo kuti më ngjante si një qivur i vogël…”
Në moshën 56-vjeçare, Moisiu që përgatiste një rol të ri të shkruar posaçërisht për të nga Pirandelo. Ai ishte në Sanremo dhe fjalët e tij të fundit gjatë shfaqjes së Fedias më 12 mars 1935, ishin: ”Ndjehem shumë mirë… ndjehem vërtet shumë mirë”… duke mbytur pastaj veten. Ai e ndërpreu punën dhe me urgjencë u kthye tepër i sëmurë pranë gruas së tij Johanna Tervin, por tashmë ishte tepër vonë. Stefan Zweig i përshkruan me emocion të veçantë kujtimet e këtij çasti kur ai qëndronte pranë arkivolit të Moisiut, ndërkohë që skena e priste të shikonte interpretimin e aktorëve. Aleksandri vdiq më 23 mars 1935 dhe u varros në Morcote, pranë Luganos, në Zvicër. Tanushka nuk ishte në varrimin e Moisiut në vitin 1935. Ajo ishte në Paris. Lajmin e vdekjes e mori vesh nga gazetat që njoftonin se aktori i madh ishte përcjellë në varrezat nga një “adagio” e Bethovenit, një risi e re e përcjelljes së të vdekurve. Moisiu shkonte duke lënë pas tek ajo kujtimin e atij flirti të bukur, pasionant, shëtitjet e tyre rrugëve të Vjenës dhe Parisit… buzë Senës, teatrot pariziane… Odeoni…
Kjo histori dashurie nuk është shkruar në librin e gazetarit dhe kritikut Rudiger Schaper që na zbuloi shumë detaje nga jeta e Moisiut dhe dashuritë e tij, varfërinë e tij në vitet e para në Vjenë, jetën boheme çka shpesh është e lidhur me gjenitë e artit… Dhe është e habitshme që në të gjitha dashuritë e thyera, ai qëndroi përtej kohës, ashtu i butë dhe i ëmbël, me pafajësinë e një dashnori që e donte jetën aq shumë dhe në veçanti gratë e pasionuara pas artit…
Komiteti Ekzekutiv i FFK-së miratoi projekte të rëndësishme ...
Suplementet që nuk duhet t’i merrni kurrë së bashku, sipas e...
Xheneta ia shqyen tekstin e këngës që Gjesti shkroi gjatë që...
Biden do të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të zgje...
Spektakël në ndeshjet e sotme në Ligën e Kampionëve, shënohe...
Shtohen infeksionet respiratore në Shqipëri, Pediatria e mbu...