Një film i ri i bazuar në novelën klasike të fantashkencës, do të dalë më 2020, por a do të përputhet me vizionin surreal të Alejandro Jodorowskyt? Telegrafi ua sjell më poshtë shkrimin e kritikut të filmit, Nicholas Barber.
“Duna” nga Denis Villeneuve, që pritet të dalë vitin e ardhshëm, duket se do të ketë një nga grupet më të mira të aktorëve. I nominuari për çmimin Oscar, Timothee Chalamet, është ylli kryesor; aktorët tjerë, janë: Javier Bardem, Josh Brolin, Oscar Isaac, Rebecca Ferguson, Charlotte Rampling dhe Jason Momoa. Por, Villeneuve – regjisori franko-kanadez i filmave “Sicario”, “Arrival” dhe “Blade Runner 2049” – ka nevojë për çdo ndihmë nëse filmi i tij do t’i konkurrojë adaptimeve të mëparshme të novelës. Nuk është fjala këtu për versionin e vitit 1984 nga David Lynchi, i cili duhet të jetë afër majës së filmave më të këqij në histori. As mini-seria e lansuar në kanalin kabllor Sci-Fi (që tash quhet Syfy) më 2000. Versioni më i mirë në ekran i bestsellerit të Fran Herbertit në fakt nuk është bërë kurrë.
Skenarist dhe regjisor i këtij versioni ishte Alejandro Jodorowsky, kiliani veteran i teatrit të avangardës i cili bëri dy nga filmat më të lavdishëm surreal të viteve 1970. “El Topo” (1970) ishte afërsisht ajo që do të merrni nëse Clint Eastwood do të ribënte “Lizën në botën e çudirave” si uestern dhe Monty Python do ta bënte si farsë satirik, dhe pastaj skenat e të dy filmave do të bëheshin bashkë në montazh me fshikullima shtesë dhe lakuriqësi. “The Holy Mountain” (1973) – i financuar pjesërisht nga John Lennoni – ishte edhe më i çuditshëm. Kanye West huazoi imazhet e tij psikodelike fetare kur organizoi turneun “Yeezus” në vitin 2013. Në vitet 1970, të dy filmat ndihmuan për ta krijuar qarkun e “filmave të mesnatës”, që shiheshin natën vonë, mundësisht pasi shikuesit përdornin një apo dy substanca për ndryshim të disponimit.
Sado të çuditshëm, “El Topo” dhe “The Holy Mountain” ishin aq fitimprurës sa që producenti francez Michel Seydoux, e kontaktoi Jodorowskyn në vitin 1974 dhe i ofroi financimin e filmit të ardhshëm. Jodorowsky zgjodhi një roman të fantashkencës të quajtur “Dune” (Duna). Kur Seydoux u pajtua, Jodorowsky e kuptoi duhet të ulet e ta lexojë librin.
I botuar në vitin 1965, romani i Herbertit paraqet kronikën e një beteje për të kontrolluar planetin shkretëtirë të quajtur Arrakis – ose Duna. Heroi adoleshent, Paul Atreides, udhëheq ushtritë dhe kalëron krimbat gjigandë. Kështu, në ditët e para të efekteve digjitale, vendosja e sagës zvarranitëse ndëryjore në ekran do të ishte një film kolosal. Por, Jodorowsky nuk donte ta adaptonte librin, por të ndryshonte perceptimet e publikut… të ndryshonte mendjet e reja të botës. Ai nuk do ta bënte një film, siç thotë në dokumentarin e vitit 2014, por “Dunën” e Jorodowskyt. Ai do ta bënte një “perëndi artistike dhe kinematike”.
Ky ton jashtëzakonisht mistik ishte tipik për projektin. Seydoux mori me qira një kështjellë për Jodorowskyn, që të shkruante aty, dhe kur skenari të përfundonte do të rekrutoheshin bashkëpunëtorët apo, siç thoshte ai, “luftëtarët shpirtërorë”. I pari nga ta ishte Jean ‘Moebius’ Giraud, një prej skicuesve më të mirë të Francës. Duke punuar në atë që Jodorowsky e ka quajtur ritmi “mbinjerëzor”, Giraud e ktheu gjithë filmin në 3000 vizatime. Ai nisi me një kuadër të gjatë e të pandalshëm, i inspiruar nga filmi “Touch of Evil” i Orson Wellesit, ku kamera nuk mbulonte vetëm qytetin, por universin. Dhe, përfundon me fotot e Paulit që vritet e pastaj shndërrohet në një planet të ndjeshëm, para se të fluturojë për të përhapur ndjenja të mira nëpër galaktikë. Është e panevojshme të thuhet se asnjë nga këto nuk ndodhin në romanin e Herbertit.
Jodorowsky i mblodhi në Paris të tjerët “luftëtarë shpirtërorë”. Për efektet vizuale e angazhoi Dan O’Bannonin që ka punuar në filmin e John Carpenterit, “Dark Star”. Për të krijuar planetin e keqbërësve, zgjodhi HR Gigerin, një artist zviceran i specializuar në horrore biomekanike. Dhe, pjesa më e madhe e muzikës së filmit duhej të bëhej nga yjet e rokut progresiv, Pink Floyd, të cilët veçse kishin lansuar albumin “Dark Side of the Moon”.
Për të përfytyruar hapësirën kozmike të filmit, Jodorowsky punësoi Chris Fossin, artistin britanik të njohur për pikturat në kopertinat e romaneve të Isaac Asimovit dhe vizatimet e tij në manualin e seksit, “The Joy of Sex”. Në hyrjen e Jodorowskyt – në një libër të mëvonshëm me piktura të Fossit – regjisori shpjegon atë që priste nga artisti: “Dua bizhuteritë, kafshët-makinë, mekanizmat shpirtërorë… anijet e mitrës, kambanat për rilindje në dimensione të tjera… anijet-kurva që ngasen nga sperma e ejakulimit pasionant… zogj që fluturojnë për të pirë nektarin e lashtë të yjeve xhuxhë duke na dhënë lëngun e përjetësisë… shufra të mëdha që bishti u zhduket prapa horizontit… makina më të mëdha se diejt që enden të çmendura dhe të ndryshkura, duke qarë si qentë që kërkojnë një mjeshtër… rrota të fshehura prapa meteorëve që presin të kamufluar si shkëmbinj metalikë për një pikë të jetës për të kaluar nëpër skajet e humbura galaktike…”!
Tash Jodorowsky kishte nevojë për aktorë. Në rolin e Paulit mesianik, e zgjodhi të birin Brontis që iu nënshtrua trajnimin intensiv dyvjeçar të arteve marciale (Brontis Jodorowsky luante Nicolas Flamelin në filmin: “The Beasts Fantastic: The Crimes of Grindelwald”.) Por, regjisori shihte më larg për pjesën tjetër të tij, duke u përcaktuar për figura legjendare, si: Mick Jagger, David Carradine, Udo Kier dhe Orson Welles.
Welles pranoi të paraqitej në film pasi Jodorowsky premtoi t’ia blinte darkë në restorantin e tij të preferuar të Parisit, çdo natë të xhirimit. Por, ai nuk ishte ylli më i madh apo më i kërkuar. Për të luajtur perandorin e galaktikës, Jodorowsky iu afrua Salvador Dalit. Kur u takuan në Hotelin San Regis në Nju-Jork, Dalí i tha Jodorowskit se kishte disa kushte. Froni i perandorit duhej të ishte “një tualet i bërë nga dy delfinë të kryqëzuar “; miqtë e Dalit duhej luanin oborrtarët e perandorit; dhe ai nuk do të lexonte skenarin e Jodorowskyt. “Idetë e mia janë më të mira se tuajat”, tha Dalí. Ai gjithashtu ëndërronte të ishte aktori më i paguar në historinë e Hollivudit, kështu që kërkoi 100 mijë dollarë për një orë. Jodorowsky pranoi. Ai pastaj i prishi skenat e perandorit në mënyrë që Dalí t’i duhej për jo më shumë se një orë dhe pjesët tjera të tij të lexohen nga sozitë e tij robotikë.
“Duna” po bëhej film i shtrenjtë ndaj në fund të vitit 1975, Jodorowsky dhe Seydoux fluturuan në Los Anxhelos për të siguruar pesë milionë dollarët e nevojshëm para se të niste produksioni. Me vete ata morën një libër të shtypur në mënyrë të veçantë që përmbante skenarin, vizatimet e Giraudit dhe dizajnet e Gigerit, Fossit dhe O’Bannonit. Çdo detaj ishte atje. Megjithatë, askush nuk mund të besonte se i çmenduri që theu tabutë me “El Topo” dhe “The Holy Mountain” mund t’ia dalë. “Gjithçka ishte e shkëlqyer, përveç regjisorit”, thotë Seydoux në dokumentar.
Kjo mund të dukej e padrejtë, duke marrë parasysh përgatitjen metodike që Jodorowsky kishte bërë. Por, refuzimi i tij për kompromis për kohën e filmit, mund të ketë qenë vetëm një faktor. Hollivudi donte që “Duna” të ishte dy orë e gjatë. Jodorowsky mendonte se 10 ose 12 orë do të ishin më të përshtatshme. Në këto rrethana, vështirë se mund të fajësohen drejtuesit e studiove, të cilët vendosën që nëse do të përcaktohen për një operë hapësinore me planet të shkretë dhe një hero të ri që zhvillon fuqi psikike, ajo nuk do të ishte “Duna” për “Star Wars”.
Megjithatë, puna e Jodorowskyt nuk u zhduk. Ai dhe Giraud ricikluan shumë nga konceptet e tyre për një seri romanesh grafike, “The Incal”, që nisi të botohet në vitin 1980. O’Bannon vazhdoi të punojë për filmin “Alien” me Ridley Scottin dhe solli me vete tre nga kolegët e tij nga Parisi – Giraud, Foss dhe Giger. Ndërkohë, skenari i ilustruar i “Dunës” u përhap rreth Hollivudit dhe ju mund të shikoni ndikimin e tij, qoftë me vetëdije apo pavetëdije, te filmat “Flash Gordon”, “Terminator”, “The Fifth Element” dhe shumë hite tjera të fantashkencës.
Vizioni i Jodorowskyt kishte ndikim me një film që nuk ishte bërë. Nëse do të kishte shkuar përpara, kush e di se çfarë ndikimi sizmik mund të kishte!?
https://www.youtube.com/watch?v=8LwNhvic5Q4
Rezultatet e para përfundimtare nga Regjistrimi i Popullsisë...
Kastrati prezanton të dhënat finale të regjistrimit të popul...
Signo kërkon falje publike ndaj Donnarummas, thotë se nuk is...
Aksident trafiku mes dy kamionëve në autostradën Veternik-Br...
Zyrtare: Kosova ka 1,586,659 banorë rezidentë
Ekspertët ndërkombëtarë vlerësojnë procesin e regjistrimit t...