Fillon festivali ambiental “Shkenca për Ndryshim”

07:44 | 22 Prill 2016
Arbresh.info

Këtë vit, Prishtina për herë të parë do të jetë nikoqire e festivalit “Shkenca për Ndryshim”, që do të mbahet në Teatrin “Oda”, me moton: “Ndryshimi është në Ajër”.

Festivali fillon më 22 prill – në Ditën Ndërkombëtare të Tokës dhe përfundon me datën 23 prill.

Ky Festival organizohet në kuadër të projektit “Shkenca për Ndryshim në Kosovë” (Science for Change in Kosovo – SfCK) që implementohet nga OJQ PIKS (Prosperity Initiative in Kosovo); e cila përgjatë dy viteve ka arritur të krijoj lëvizje ambientale të rinisë kosovare.

Planprogrami i festivalit përmban fjalime, prezantime dhe punëtori, të cilat do të udhëhiqen nga akterë aktiv në fushën e mbrojtjes së mjedisit; me fokus përmirësimin e kualitetit të ajrit.

Po ashtu, festivali do të shpërfaq detajisht projektin “Science for Change”; njkëkohësisht do bëjë publikimin e rezultateve të ndotjes së ajrit në 12 Komuna të Kosovës.

Parametrat e matur janë dioksidi i azotit (NO2) dhe partikulat e ndotjes (PM2.5 dhe PM10), që shkaktojnë kancere të ndryshme dhe sëmundje respiratore.

Participantët kanë mundësi të ndjekin prezantimet për punëtoritë e edukimit jo-formal ambiental, të organizuara në shkollat e mesme të ulëta në Prishtinë dhe Plemetin.

Gjithashtu do të prezantohen planet e ardhshme të kësaj lëvizje nën ombrellën e projektit \”Making Sense\”.

Festivali është i hapur për të gjithë të interesuarit; detajet rreth aktiviteteve që do të zënë vend përgjatë festivalit i gjeni në agjendën e bashkëngjitur.

Festivali Shkenca për Ndryshim – “Ndryshimi është në Ajër!”, organizohet si rezultat i bashkëpunimit të ndërthurrtë, nga dy organizata jo-qeveritare: “Iniciativa për Prosperitet në Kosovë” – PIKS (me mbështetjen e MPJ-së Republikës Çeke dhe programit të UNICEF në Kosovë), si dhe “Rrjeti i Edukatorëve Bashkëmoshatarë” – PEN (me mbështetjen e Komisionit Evropian).

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme