Google ADS

Filarmonia e Kosovës,koncert me dirigjent austriak

16:55 | 26 Shtator 2015
Arbresh.info

Filarmonia e Kosovës nesër do të mbajë një koncert në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë. Ky koncert do të fillojë në orën 20 dhe do të dirigjohet nga dirigjenti i njohur austriak Robert Lehrbaumer.

Ndërsa nga Kosova do të merr pjesë solistja e njohur, Lejla Pula. Njëkohësisht Filarmonia e Kosovës këtë vit shënon edhe 15 vjetorin e themelimit të saj, andaj edhe është fokusuar në promovimin e vlerave si krijuese, ashtu edhe interpretuese.

Në këtë koncert do të luhen tri vepra muzikore. E para do të jetë orkestra harkore e kompozitorit hungarezo -austriak Jeno Takaq.

Lejla Pula do të performojë me veprën e Sergej Rachmaninov, ndërsa dirigjenti do performojë edhe Simfoninë numër 5, të kompozitorit Ludwig Van Bethoven.

Drejtori i Filarmonisë së Kosovës, Baki Jashari u shpreh i lumtur që ta ketë në Filarmoni për herë të dytë dirigjentin e njohur Lehrbaumer.

 

“Është ky koncert inaugurues i sezonës koncertale 2015-2016 dhe q ë njëherazi konsiston edhe me shënimin e 15 vjetorit të Filarmonisë së Kosovës. Pra, i gjithë ky vit kalendarik, që nga janari, ne vazhdimisht kemi proklamuar që jemi në një vit jubilar dhe i gjithë aktiviteti i Filarmonisë është konceptuar që të prezantojmë sa më shumë vlera, sikurse krijuese, ashtu edhe interpretuese. Në koncertin e radhës kemi dirigjentin austriak Robert Lehrbaumer, i cili vjen për herë të dytë me punu me orkestrën simfonike të Filarmonisë së Kosovës, më parë ka qenë në virin 2013. Ndërsa soliste do të jetë Lejla Pula”, tha Jashari.

Ndërsa, solistja Pula u shpreh e lumtur të performojë përkrah dirigjentit Lehrbaumer. Ajo tha se ky koncert do jetë plot emocion dhe pasion, i cili nuk njeh moshë.

 

“Shpresoj se nesër do të jetë një koncert shumë i bukur, sepse koncerti i Rachmaninovit është një vepër vërtetë jashtëzakonisht e bukur, si për të rinj si për të moshuar, do të thotë nuk njeh moshë. Është një koncert plot emocion, plot pasion dhe gjithashtu jam jashtëzakonisht e lumtur që dirigjenti i nderuar austriak Robert Lehrbaumer, i cili fatmirësisht për herë të dytë po e viziton Kosovën dhe kemi rast të muzikojmë së bashku”, tha Pula.

E dirigjenti Robert Lehrbaumer tha se ndihet i privilegjuar që është i ftuar për të dytën herë të performojë me Filarmoninë e Kosovës. Ai tha se orkestra që nga viti 2013 është përmirësuar dukshëm.

 

“Mund ta pranoj se orkestra është përmirësuar dhe kam pasur marrëdhënie personale shumë të mira, të cilat ne tash mund t’i zhvillojmë. Tash kam pasur rastin ta njoh edhe Lejla Pulën, kolege e imja, ne jemi të dy pianistë dhe kemi disa eksperienca së bashku nga e kaluara. Gjithashtu jam i nderuar që mund të bëj një program special me tri pika muzikore, të cilat në pak minuta mund të tregojnë për kohën antike, franceze dhe kelte”, tha Lehrbaumer.

Interesimi për të dëgjuar Filarmoninë e Kosovës viteve të fundit është rritur dukshëm. Problem për këtë gjë mbetet hapësira e vogël, të cilën e ka në shfrytëzim Filarmonia.

Drejtori Jashari shpreson që shumë shpejt të fillojë të ndërtohet një objekt i ri, i dedikuar për Filarmoninë e Kosovës,i cili do të ketë hapësirë të mjaftueshme për qytetarët.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme