Festivali i Fëmijëve “Këngë, valle dhe poezi shqipe” u mbajt në Suedi

19:24 | 26 Prill 2015
M. A.

Në Boros u mbajt festivali i parë për fëmijë nën organizimin e Unionit të Shoqatave Shqiptare në Suedi, në kuadër të së cilit veprojnë mese 40 shoqata shqiptare të shtrira në tërë vendin.

Ky manifestim u zhvillua në ambientet e shoqatës “Dardania” të Borosit, e cila njëherit ishte edhe nikoqire e amatorëve të vegjël mërgimtarë.

Festivalin e shpalli të hapur Ahmet Bella, sekretar organizativ-ekonomik i Unionit, kurse atë e përshëndeti edhe mësuesi veteran dhe shkrimtari Sadulla Zendeli-Daja.

Gjatë programit të festivalit, me këngë, valle dhe me poezi shqipe garuan 14 fëmijë dhe grupe muzikore, të ardhur nga shoqatat anëtare të Unionit si dhe nga shkollat suedeze, në të cilat zhvillohet mësimi plotësues në gjuhën amtare shqipe.

Fëmijët, nga mosha 5 deri në moshën 15 vjeçare, u përpoqën të tregojnë aftësitë dhe shkathtësitë e tyre si në vallëzim dhe interpretim të këngëve shqipe ashtu edhe në përpjekje për të recituar poezitë që si temë kishin atdheun, trimat legjendarë por edhe familjet në Kosovë.

Në mesin e konkurruesve, fëmijët u paraqitën edhe me vjershat që kishin shkruar vet, siç ishte rasti me Endoliza Ruhanin, e cila një vjerësh të bukur ia kishte kushtuar gjyshes së vet diku në Kosovë.

U prezantuan edhe talentë të vërtet, siç ishte paraqitja e vogëlushes Sara Xhemajli, paraqitja e së cilës la mbresa të thella.

Juria e Festivalit, në përbërje Ramadan Reshitaj, kryetar, Sadulla Zendeli-Daja, Ylber Haziraj e Hajdar Osaj, anëtarë, i ndanë të tri shpërblimet e Festivalit. Shpërblimin e parë ia ndanë Sara Xhemajlit, e cila për mrekulli recitoi vjershën “Lule kuqe” si dhe në mënyrë shumë profesionale këndoi këngën “Nëna ime”. Shpërblimin e dytë e mori grupi I vajzave me çiftelia nga shoqata “Liria” e Vekshjes, kurse shpërblimin e tretë e mori grupi teatral i shoqatës “Dardania” për pjesën e luajtur “Kësulëkuqja dhe gjyshja”.

Organizatorët, të gjithë pjesëmarrësit nderuan me Mirënjohjet e Festivalit, kurse veprimtari Sadulla Zendeli-Daja të gjithë fëmijëve ua ndau nga një libër për fëmijë.

Nikoqirët e Festvalit të Parë, të gjithë garuesve por edhe pjesëmarrësve të tjerë iu shtruan drekë.

Festivali i Fëmijëve është festivali i tretë i Unionit, pas Festivalit të Poezisë dhe të krijimtarisë Muzikore që ka karakter për tërë diasporën shqiptare si dhe Festivalit të Folklorit Shqiptar, që janë manifestime tradicionale.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme