Google ADS

“Ferma e kafshëve” si përditshmëri politike

19:10 | 20 Qershor 2015
M. A.

Kafshët largojnë pronarin e tyre njeri, por nuk është se bëhen rehat. Pushtetin e merr elitë e mençur e mizore. E kafshët e tjera e gjejnë veten në mënyrë të pashpresë të zënë në grackë sipas mënyrave të vjetra, shkruan sot Koha Ditore.

“Ferma e kafshëve” e shkruar nga George Orwelli, që sjell tradhtinë e idealizmit përmes tiranisë dhe korrupsionit, të hënën do të jepet premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Me regji të Ilir Bokshit, 19 aktorë do të luajnë dramën që duket se është aktuale dhe reale edhe sot, pavarësisht që është shkruar më 1945.

“Është tekst politik, shfaqje që sjell diktaturën si problem bazik. Korrespondon me të gjitha diktaturat që ndodhën historikisht dhe me përditshmërinë politike gjithandej e sidomos në Ballkan”, ka thënë regjisori Bokshi në konferencën për media, të premten, në skenën e Tetarit Kombëtar të Kosovës. Bokshi shton se pavarësisht që ka kohë që është shkruar, ky është inskenimi i parë i “Fermës…” në Kosovë. Dramatizimin e tekstit e ka bërë dramaturgia Doruntina Basha. Regjisori Bokshi ka thënë se është bërë një punë e mirë dhe se dramatizimi mund t’u hyjë në punë gjeneratave të tjera. Aktorët që luajnë në “Ferma…” kanë kaluar një test dhe, sipas regjisorit, luajnë deri në 30 personazhe dhe ka ndërrime të madha skenike.

Në skenën ku tashmë ka zënë vend edhe skenografia, aktori Adrian Morina ka thënë se prejse ka marrë ftesën nga Ilir Bokshi e ka ditur se çfarë e pret.

“Të punosh me një numër kaq të madh të aktorëve rrallëherë të jepet mundësia. Është një energji shumë e mirë dhe e drejtuar mirë. Aq më shumë, kur dihet se ky lloj i tetarit i ka munguar TKK-së, veçanërisht këta dy vjetët e fundit që ka pasur repertor jo shumë cilësor”, ka thënë Morina, i cili në shfaqje luan rolin e Napoleonit, njërit prej derrave në “Fermën e kafshëve”. Sipas tij “Ferma… ka mundësi të qëndrojë në repertor edhe më shumë sesa “Nata e dymbëdhjetë” me tekst të Shekespearit e regji të Ilir Bokshit, e cila u dha premierë në TKK, në janar të 2012-s dhe qëndroi në repertor për dy vjet.

Kompozitori Trimor Dhomi ka treguar se muzika e shfaqjes është bërë me dy teknika. Atë organike dhe skenike.

“Ka plot momente kur një teknikë e tillë kërkohet nga regjisori apo edhe nga vetë momentet skenike që janë të paevitueshme. Pjesa e teknikës organike kërkon proces shumë të ngjeshur”, ka thënë ai. Për të kjo shfaqje hyn në një nga proceset më të vështira që ndonjëherë e ka udhëhequr në pjesën muzikore. Me skenografi të Petrit Bakallit, kostumografi të Vesa Krajës, shfaqja ku luajnë edhe Dukagjin Podrimaj, Semira Latifi, Besart Sllamniku e Kushtrim Qerimi, “Ferma…” në Teatrin Kombëtar do të sjellë parehatinë e kafshëve, por mesazhi është më i gjerë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme