Google ADS

Faton Musliu, me simbolin e flamurit kombëtar pranon diplomën e Universitetit elitar HSG në St. Gallen

20:21 | 7 Prill 2015
Arbresh.info

Universiteti elitar HSG në St. Gallen, në një atmosferë impozante ceremoniale, me pjesëmarrje të shumë studentëve, familjarëve të tyre, miqve dhe të dashurve, si dhe shumë mysafirëve të nderit nga institucione të ndryshme, më 28 mars 2015 e promovoi gjeneratën e radhës, me ç’rast u diplomuan 425 studentë.

Rektori i Universitetit HSG St. Gallen, prof. dr. Thomas Bieger, në fjalën e tij përshëndetëse të rastit, studentëve dhe të pranishmëve ua përcolli fjalët më të mira dhe ngazëllimin për sukseset dhe perspektivën në rrafshin kombëtar dhe atë ndërkombëtar, që ai sheh te këta të posadiplomuar.

Ai e rikujtoi atyre rrugën e gjatë dhe sfiduese që këta studentë së bashku me stafin akademik bënë për më së paku pesë vjet me radhë, me qëllim që dija dhe njohuritë e tyre të ngriheshin dhe ata të profilizoheshin si profesionistë në lëmi të ndryshme ekonomike dhe bankare.

Në mesazhin përmbyllës të tij, rektori Bieger tha se të diplomuarit e sotëm mundin e tyre dhe njohuritë e marra nga ky universitet elitar do t’i vënë në funksion kudo anembanë rruzullit dhe se në një mënyrë, ose tjetër, ata do ta bartin pjesën e tyre të përgjegjësisë mbi rrjedhat ekonomike, jo vetëm regjionale, por edhe ato globale dhe se atyre do t’u duhet të ballafaqohen me sfidën mes ankerimit regjional dhe orientimit global.

Në mesin e disa dhjetëra të diplomuarve në master në lëmin e Financave dhe Kontabilitetit (M.A. HSG in Accounting & Finance) ishte i riu shqiptar Faton Musliu, me prejardhje nga Kumanova, i cili në Zvicër erdhi në moshën trevjeçare dhe që rrjedh nga familje intelektuale.

Emocionues ishte fakti që zëdhënësja e Universitetit me rastin e dorëzimit të diplomës nuk e shqipton drejt emrin e Fatonit, ajo e amerikanizon emrin e tij, gjersa në skenë për ta pranuar diplomën marshon me hap të sigurt një i ri shqiptar me simbolin e flamurit kombëtar ne xhepin e sakos. Faton Musliu tashmë veç i ka filluar studimet postdiplomike për auditor të Raportimit Financiar Ndërkombëtar.

Në fund, Faton Musliu thotë: «Vetëm atëherë kur njeh rrënjët dhe prejardhjen, mund ta trajtosh të ardhmen e sigurt. Po qe se e respektojmë dhe e nderojmë kombin tonë me mësim dhe punë, suksesi do jetë i sigurt».

Faton Musliu me punën, angazhimin dhe sakrificën e tij e nderoi familjen e tij, i nderoi të dashurit e tij dhe të gjithë shqiptarët. E kisha dëgjuar më herët fjalën e urtë «Na e bëri zemrën mal», e kësaj radhe e përjetova me gjithë qenien time. Fatoni na bëri krenarë, shpresojmë dhe urojmë që ai dhe të rinjtë tjerë të suksesshëm të jenë shembull i të rinjve. Duket të jetë kjo epoka e shqiptarëve, epoka kur ndihemi të barabartë, sepse kemi vajza dhe djem të mrekullueshëm./dp/

 

 

fatoni2

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme