Fan Noli për Faik Konicën

21:44 | 23 Tetor 2017
Arbresh.info

Konicёn pёr herё tё parё e kam pjekur mё 1906. Atё ditё s’kam pёr ta harruar kurrё. Mё shkroi nga Londra se do tё mbёrrinte nё Boston i veshur me kostum shqiptar, me qёllim qё fotografia t’i botohej nёpёr gazeta dhe kёshtu tё shfrytёzonte rastin pёr t’i trumbetuar botёs kombёtare shqiptare, qё ishte edhe qёllimi i jetёs sё tij. Shqeva sytё nga habia. Aso kohe, si prift i modёs sё shkuar qё isha, mbaja njё mjekёr tё gjatё e tё zezё, qё, tё them tё drejtёn, fёmijёt e Bostonit ma shihnin me çudi. E merrja me mend sesa do tё habiteshin kur tё mё shihnin krah pёr krah me njё burrё tё veshur me fustanellё shqiptare. Ndonёse der mё atёherё s’kisha parё fustanellё shqiptare, e merrja me mend se duhej tё ngjasonte me fustanellёn greke, qё nuk ndryshon shumё nga njё fustan balerine. Unё vija i shkurtёr dhe i ngjeshur. Konica ish i gjatё e i hollё.
Tё dy bashkё do tё ngjanim si Don Kishoti me Sanco Pancёn qё sapo kishin dalё nga njё cirk. Habia ime ishte vёrtet e madhe kur pashё se fёmijёt e Bostonit e harruan fare mjekrёn time dhe mbetёn tё admiruar pas Konicёs. Atёherё e kuptova se fustanella shqiptare nuk ngjasonte aspak me simotrёn e saj qesharake greke. Ajo i afrohej mё tepёr fundit skocez dhe i shkonte shumё pёr shtat njё burri tё pashёm si Konica. Rasti e sjell qё nё kёtё libёr tё Konicёs kёndonjёsi tё njihet edhe me ndryshimin midis kostumit grek dhe atij shqiptar. Grekёt vёrtet qё e kanё huajtur nga shqiptarёt, po, duke u rrekur pёr ta stolisur edhe mё, e kanё bёrё si tepёr grarishte.
Por Konica nuk mё habit vetёm me veshjen e tij. S’po u besoja veshёve kur nisi tё mё “ligjeronte” pёr çfarёdo teme qё tё shkon ndёr mend. Ishte njeri me kulturё tё madhe. Gijom Apoliner (Guillaume Apollinaire), shkrimtar francez, qё ishte mik i tij e quante “enciklopedia qё ecёn”, dhe qё “e fliste frёngjishten si francez i lindur”. Njё tjetёr shkrimtar francez, Zhyl le Metre (Jules le Maitre), ka shkruar pёr të: “Cet entranger qui ecrit si bien notre langue” (Ky i huaj ka shkruar kaq bukur gjuhёn tonё). Si studiues i pasionuar pas muzikёs, Konica adhuronte Vagnerin. Vagneri dhe veprat e tij ishin njё nga gjёrat e para pёr tё cilat mё foli. Ai mё kёshilloi tё shihja dhe Parsifalin, kur u dha pёr herё tё parё nё Boston, mё 1910. Tridhjetё vjet mё pas, kur vdiq, duke ditur sesa shumё e donte Vagnerin, iu luta organistit qё, gjatё gjithё ceremonisё sё varrimit, tё luante pjesё tё tij.
Tani tё themi dy fjalё pёr vendin qё zё Konica nё historinё e Shqipёrisё sё sotme. Si mysliman qё ishte dhe si bir i njё familjeje aristokrate nga Shqipёria e Jugut, Konica i kishte tё gjitha mundёsitё tё zinte njё pozitё tё lartё nё Perandorinё Turke, ku bёnte pjesё dhe Shqipёria qё nga vdekja e Skёnderbeut. E vёrteta ёshtё se gjatё shekujve shumё shqiptarё kishin marrё ofiqe tё larta nё Perandorinё Turke. Pёr shembull nё tё ri tё Konicёs, veziri i madh apo kryeministri i Perandorisё Turke, Ferid Pasha, ishte shqiptar nga Vlora. Por Konicёs nuk i pёlqente kjo karrierё. Misioni qё i caktoi vetes ishte lufta pёr pavarёsinё e Shqipёrisё. Qё nga viti 1897 gjer mё 1912 Konica dhe Shahin Kolonja, botuesit e dy revistave shqipe jashtё atdheut, “Albania” dhe “Drita”, ishin dy nga pionierёt e luftёs pёr pavarёsinё e Shqipёrisё. Nё sundimin turk shqiptarёt e kishin fshirё nga kujtesa lavdinё e shkuar nёn Skёnderbenё. Konica ishte ai qё rizbuloi dhe trumbetoi Skёnderbenё dhe flamurin e tij, shqiponjёn e zezё me dy krerё mbi fushёn e kuqe. Ky flamur u bё simbol i pavarёsisё kombёtare dhe u ngrit mё 1912 nё Vlorё nga Ismail Qemali, ku Shqipёria u shpall shtet i pavarur.

Konica ёshtё njё nga krijuesit e prozёs shqipe. Kur pata vendosur tё radhitesha dhe unё nё kryqёzatёn qё luftonte pёr pavarёsinё e Shqipёrisё, gjёja e parё qё mё ra nё sy, ishte mungesa e plotё e veprave letrare shqipe me ndonjё vlerё artistike. Por kur shkova nё Egjipt mё 1902, Spiro Dine, njё patriot shqiptar, mё dha koleksionin e revistёs “Albania” tё Konicёs prej vitit 1897 deri mё 1903. I lexova faqe mё faqe dhe qё nё atё çast nё shkrimet e Konicёs gjeta atё qё kёrkonim; letёrsi tё mirё shqipe. Konica, gjithashtu, zbuloi dhe popullarizoi njerёz tё tjerё shqiptarё tё letrave, si Kristoforidhin, Mitkon, Fishtёn, dhe Çajupin. Me kёshillёn dhe nёn drejtimin e tij, unё kam pёrkthyer disa vepra tё Shekspirit, Ibsenit, Edgar Allan Poes dhe “Don Kishotin” e Servantesit. Gjithё shkrimtarёt shqiptarё qё erdhёn pas Konicёs janё nxёnёsit e tij, pёrfshirё kёtu edhe shkruesin e kёtyre radhёve.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme