Demistifikimi i programit të LSHP-së

13:21 | 2 Maj 2015
Arbresh.info

Shkruan: Agron Islami

Vështrim mbi librin “Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe Porta e Lartë” i dalë nga shtypi këto ditë.

Para disa ditësh doli nga shtypi libri më i ri nga prof. dr. Iljaz Rexha, me titull “Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe Porta e Lartë (1878-1881)”. Mirëpo, para se ta prezantojmë veprën e tij, do të doja të them disa fjalë të shkurtra për këtë autor të zellshëm dhe me punime shumë të rëndësishme për historiografinë shqiptare.

Iljaz Rexha është një punëtor shkencor që punon në heshtje, ngase nuk lakmon të reklamohet. Autori në fjalë, për shkaqe shëndetësore, prej një kohe të gjatë jeton jashtë Kosovës, përkatësisht në Holandë.

Prof. dr. Iljaz Rexha është një ndër studiuesit dhe specialistët e rrallë jo vetëm në hapësirën etno-gjeografike shqiptare, por edhe më gjerë, që në mënyrë sistematike merret me hulumtimin dhe studimin e dokumenteve të burimit osman dhe kohët e fundit edhe me burimet mesjetare sllave dhe evropiane, burime këto që kanë të bëjnë me periudhën e mesjetës së vonshme dhe me periudhën osmane, të cilat ndriçojnë shumë çështje historike, onomastike dhe demografike të shqiptarëve në arealin e Dardanisë-Kosovës dhe Maqedonisë Veriperëndimore. Për periudhën në fjalë profesori ka botuar një sërë studimesh, por ne do t’i përmendim vetëm disa nga to të cilat kanë rëndësi të veçantë dhe vlerë të lartë shkencore, madje edhe kombëtare: “Onomastika Protoshqiptare në Arealin e Dardanisë” (2005); “Regjistrimi i vendbanimeve dhe popullsisë së Kazasë së Novobërdës (Artanës) sipas Defterit të fundshekullit XV”, Vjetari-AK, Prishtinë, 2002; “Sllavizmi i onomastikës së vendbanimeve mesjetare në arealin e Dukagjinit (sipas defterëve osmanë), Vjetari-AK, Prishtinë, 2001; “Vendbanimet dhe Popullsia Albane gjatë mesjetës në hapësirën e Maqedonisë së sotme, Gjurmime albanologjike – Seria e Shkencave Historike, Prishtinë, 2012 etj..

Ndërsa libri për të cilin do të mundohemi të bëjmë një vështrim të shkurtër mbi të dhënat që na sjellë kjo vepër vëllimore, deri më tani pak të njohura ose thënë më mirë krejtësisht të panjohura për lexuesin dhe studiuesin shqiptar, përveç parathënies dhe hyrjes përmban 10 kapituj me 460 faqe dhe pothuajse çdo kapitull është temë më vete, por që kanë një lidhshmëri organike, kronologjike dhe përmbajtjesore. Autori duke u bazuar në një dokument osman konstaton se Komiteti Shqiptar i Stambollit ishte formuar në fillim të janarit 1877, e që deri më tani është pohuar se formimi i këtij komiteti në mënyrë ilegale ishte formuar në vjeshtë të vitit 1878. Përveç kësaj, autori na sjell edhe versionin e programit të parë si një para-projekt që ekzistonte në dorëshkrim, qysh nga muaji janar, e që më vonë ishte përpunuar nga anëtarët e rregullt të komitetit: Sami Frashëri, Hoxha Hasan Tahsini, Pashko Vasa dhe Jani Vreto, sikurse edhe nga anëtarët sekretë të komitetit, që ishin deputetët shqiptarë në parlamentin osman; Abdyl Frashëri, Haxhi Ymer Prizreni, Mehmet Ali Vironi, Ahmet efendi Korenica, Jusuf efendi Sokoli, Daut efendi Boriçi, Mihal efendi Hariti, Filip Doda etj..

Më 10 qershor 1878, Sami Frashëri në emër të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në gazetën e tij Tercuman-i Shark, botoi vetëm dy nga pikat e programit të lidhjes shqiptare, ku kërkohej nga Porta e Lartë bashkimi i të gjitha vilajeteve të banuara nga shqiptarët në një vilajet të vetëm nën emrin Vilajeti Autonom i Shqipërisë (Arnavudluk Vilayeti) në kuadër të Shtetit Osman, ndërsa në pikën e dytë kërkohej arsimimi i shqiptarëve në gjuhën shqipe. Ndërsa 4 pikat e tjera të programit u mbajtën sekret me qëllim të konsolidimit dhe forcimit të Lidhjes Shqiptare në aspektin organizativ dhe ushtarak. Këto 4 pika u publikuan vetëm pas vrasjes së mareshalit osman në Gjakovë Mehmet Ali Pasha me nofkën Maxharri, më 15 shtator 1878 në gazetën Tercuman-i Shark.

libri

Sipas autorit, versioni i programit të parë i është dërguar të gjitha komiteteve vendore dhe ndërkrahinore për aprovim para se të mbahej kuvendi themelues i Prizrenit. Ndërsa për versionin e dytë, të cilin e kishte përmendur studiuesi turk Sulejman Kylçe, e që për herë të parë për opinionin shqiptar e bëri të njohur historiani Gazmend Shpuza, autori konsideron se ky program i miratuar më 15 qershor në mbledhjen e Kuvendit të Lidhjes së Prizrenit është programi i dytë i lidhjes i cili ishte reduktuar nga 7 në 5 nene dhe ishte i formuluar në mënyrë të përgjithësuar në të cilin nuk përcaktohej se cilat vilajete do të bashkohen dhe nuk emërtohej me emrin Vilajeti Autonom i Shqipërisë (siç ishte paraparë në programin e parë), por përdorej nocioni Vilajete të Njësuara (Tevhid-i vilayat) që aludonte në vilajetet shqiptare, e që sipas kësaj del se në versionin e programit të parë kemi të bëjmë me kërkesën e qartë për bashkimin e vilajeteve shqiptare dhe autonominë e Shqipërisë, ndërsa në versionin e dytë kërkohej një autonomi e përgjithësuar e vilajeteve shqiptare. Megjithatë, edhe pse versioni i parë ishte miratuar nga komiteti i Stambollit, autori nuk ka gjetur të dhëna për miratimin e tij në ndonjë mbledhje të kuvendit të Lidhjes, ndërsa siç është e njohur versioni i dytë sipas S. Kylçe dhe G. Shpuzës ishte miratuar në mbledhjen e Kuvendit të Lidhjes më 15 qershor 1878. Sipas autorit, para miratimit të kararnames (aktvendimit) në mbledhjen e Kuvendit të Lidhjes më 17 qershor, si pasojë e presionit të mytesarifit të Prizrenit dhe përkrahësve të tij, edhe versioni i programit të parë edhe versioni i dytë u anashkaluan duke u lënë anash çështja e autonomisë së Shqipërisë territoriale-administrative edhe çështja e mësimit dhe përdorimit të gjuhës shqipe në institucionet arsimore dhe administrative, gjë e cila për shkak të anashkalimit të 3 neneve kryesore të versionit të parë, kararnameja nuk u nënshkrua nga Haxhi Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri e as nga përfaqësuesit e komunitetit katolik. Në të njëjtën kohë, sipas tij (autorit), kararnameja nuk paraqiste kurrfarë programi politik, madje edhe Talimati i 2 korrikut të vitit 1878, më tepër paraqiste aktvendime ligjore për formimin dhe mobilizimin e njësive të armatosura vullnetare për mbrojtjen e territoreve në kuadër të Vilajetit të Kosovës ku administrativisht bënin pjesë edhe sanxhaku i Novi Pazarit dhe ai Tashllëxhes.

Ndërsa sa i përket karakterit ideo-politik të lidhjes, autori nënvizon se pavarësisht se në kararname thuhet se Lidhja kërkon që territoret e saj do të mbrohen nën sovranitetin e Sulltanit, kundër pretendimeve të shteteve ortodokse ballkanike nuk mund të konsiderohet se Lidhja kishte karakter fetar. Përkundrazi, një etiketim i tillë me qëllim shantazhi ishte bërë nga konsujt grekë, rusë dhe austriakë të cilët gjendeshin në Shkodër dhe ushqenin pretendime ekspansioniste ndaj Ballkanit e sidomos ndaj Shqipërisë e cila me pozitën e saj gjeostrategjike ishte portë e përshtatshme për dalje në Adriatik.

Autori përfundon se, për shkak të një politike dhe diplomacie të verbër të Portës së Lartë e cila sipas sugjerimeve të Fuqive të Mëdha, e sidomos të Rusisë, pas tre vitesh arriti ta shuajë Lidhjen dhe luftën e saj për autonomi.

Në fund, mund të thuhet se vepra e prof. dr. Iljaz Rexhës, e pasuruar me referenca nga burimet e kohës osmane dhe evropiane, është punuar dhe trajtuar në mënyrë sintetike dhe analitike. Prandaj, si e tillë, padyshim që është edhe një kontribut me vlerë për opinionin shkencor dhe e pasuron historiografinë shqiptare.

(Autori është: Doktorant i Historisë Osmane në Universitetin e Stambollit)

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme