Civilizimet, nga Aleksandri te Renesansa

17:10 | 8 Tetor 2018
Arbresh.info

Ngritja e Aleksandrit në madhështi nuk ishte vetëm për shkakun se ai arriti ta vinte nën sundim Lindjen deri në Indi. Ai u bë i madh më shumë për shkak të faktit se si sillej me popujt që binin nën sundimin e tij.

Aleksandri vepronte kundër traditës dhe zakoneve të atëhershme të luftës që ushtronin dhunë dhe poshtërim ndaj të mundurve. Ai i trajtonte lindorët si qytetarë të barabartë me sunduesit e rinj, kurse oficerët dhe ushtarët e mundur i fuste në radhët e veta pa ndonjë diskriminim dhe hidhërim për atë që më parë kishin qenë armiq. Madje, edhe i çmonte shumë dhe i qortonte ushtarët e vet nëse vërente se ata e bënin të kundërtën. Rasti i martesës së tij me një vajzë (Roksana) diku nga malësia e Himalajeve dhe urdhri që ushtarët e tij të martoheshin në mënyrë masive me gratë e vendeve të pushtuara, flet për një mendje progresive që kishte ai.

Me fjalë tjera, Aleksandri nuk bënte dallim në mes Lindjes dhe Perëndimit dhe këtu duhet kërkuar shkakun e suksesit të tij. Nëse bënte dallim, lindorët i shikonte si më të lartë në aspektin kulturor. Bagdadi e kishte mahnitur dhe kjo ishte arsyeja që i shkroi Aristotelit për t’ia bërë me dije mësuesit se ky vend qëndronte disa herë më lart se të gjitha qytetet greke së bashku. Sa më thellë që shkonte në Lindje, shihte civilizim më të lartë të cilin e vlerësonte me respekt të madh.

Kjo është arsyeja që Aleksandri edhe sot është hero dhe legjendë gjithandej Lindjes – nga Stambolli deri në Delhi. Në këtë pjesë të botës njerëzit ende emërojnë fëmijët e tyre me Iskander dhe Dhylkarnen, emër i cili në gjuhën shqipe përkthehet si Dybrirëshi për shkak të përkrenares që Aleksandri barte në kokë. Përkrenarja, por edhe emri u emituan edhe te heroi i shqiptarëve Skënderbeu.

Madhështia e Aleksandrit të Madh bëri që ai të njihej si globalisti i parë në historinë e njerëzimit që shpërndau kulturën helene dhe që i trajtonte të gjithë popujt njësoj, pa marrë parasysh se ata dallonin nga njëri-tjetri në forma të ndryshme kulturore.

Shembulli i Aleksandrit të Madh, deri diku, është përsëritur nga arabët, të cilët vërtetuan se civilizimet ngrihen mbi njëri-tjetrin. Civilizimet nuk janë përplasur në histori dhe nuk do të përplasen siç e parasheh Samuel Huntington-i. Në realitet, shpesh me të drejtë konsiderohet se ekziston vetëm një civilizim, pasi që ekziston vetëm një njerëzim.

Civilizimet, nëse ky emër ka shumësin e tij dhe nëse e pranojmë si të tillë, gjatë historisë janë takuar dhe kanë huazuar nga njeri-tjetri. Dhe, nëse një palë që ka adoptuar më shumë vlera se e mëparshmja dhe nëse ekonomia e saj ka mbizotëruar, atëherë ai civilizim ka mbijetuar dhe ka krijuar efekte. Nëse e shikojmë me kujdes civilizimin e sotëm, i cili quhet perëndimor për shkak të fuqisë që ka fituar, do ta shihnim se ky civilizim nuk është zbulim i ri.

Në periudhën e Renesancës, Evropa e kërkoi ringjalljen e civilizimit antik (kryesisht grek). Por, këtë civilizim në Evropë e sollën arabët, të cilët më herët e kishin ngritur shoqërinë e tyre, sidomos shkencën, mbi këto baza.

As grekët nuk mund të lavdërohen se ajo që bënin ishte zbulim vetëm i tyre. Zhvillimi i kulturës greke bëhej vazhdimisht nën ndikimin e Persisë dhe deri diku edhe të Egjiptit. Me siguri edhe persianët kanë marrë diçka nga dikush.

Arabët e kanë shtrirë pushtetin e tyre mbi domenet bizantine, egjiptase, romake dhe greke, nga të cilët morën shumë vlera ekzistuese të cilat i zhvilluan më tej. Për shembull mbulesa e grave të sotme myslimane është kopje e veshjes bizantine që hasej te murgeshat dhe gratë aristokrate në Konstantinopojë. Është fjala për veshjen ku nuk mbulohet fytyra. Edhe mbulesa e fytyrës është para-islamike, siç ka bërë me dije filozofi grek Strabo, dhe ajo zbatohej me të madhe, por më shumë jashtë territoreve bizantine.

Sidoqoftë, periudha e Humanizmit dhe Renesancës filloi në shekullin XIV e zgjati deri në shekullin XVII. Ajo shpërtheu në Itali, por në realitet tharmi ishte hedhur më herët në qytetin Toledo të Spanjës. Sundimi arab në Spanjë ka zgjatur nga viti 711 deri më 1526 kur Grenada ra nën sundimin e spanjollëve të krishterë. Rënia kishte filluar gradualisht që nga shekulli XI.

Spanjollët shkatërronin çdo gjë që okuponin nga myslimanët. Por, me rastin e Toledos, qytet i cili gjendet 70 kilometra në jugperëndim të Madridit, kishte ndodhë një mrekulli. Kur të krishterët e rrethuan qytetin në vitin 1085 u premtuan udhëheqësve dhe qytetarëve myslimanë se nëse dorëzoheshin nuk do të prekeshin as ata e as qyteti. Myslimanët u dorëzuan dhe të krishterët e mbajtën fjalën. U ndërrua vetëm pushteti i cili nga myslimanët kaloi në duart e të krishterëve. Deri atëherë, pos popullsisë myslimane në qytet kishte jetuar në harmoni e tolerancë të plotë një numër i konsiderueshëm i hebrenjve dhe një numër më i vogël i të krishterëve. Por, numri i të krishterëve u rrit shumëfish, por kjo gjë nuk paraqiti ndonjë problem pasi që popullata vazhdoi të jetonte në harmoni si më parë nën qeverisjen e myslimanëve.

Në Toledo ndodhi edhe një mrekulli tjetër. Qyteti u shndërrua në atraksion turistik dhe së shpejti u popullua nga udhëtarët evropianë që dëshironin ta shihnin kulturën islame të një qyteti që nuk u dëmtua aspak dhe që udhëhiqej nga të krishterët pakicë. Shkencëtarë nga tërë Evropa filluan të shkonin në Toledo duke e ditur se ky qytet, sikur edhe qytetet tjera myslimane, kishte shkolla dhe biblioteka me një literaturë që mungonte në Evropë. Dijetarët evropianë, të etur për dije, kishin njohuri të faktit se arabët kishin përkthyer pothuaj të gjitha veprat relevante që ekzistonin në greqisht.

Brenda një kohe të shkurtë u krijuan grupe të ndryshme të përziera nga myslimanët dhe të krishterët evropianë dhe filloi përkthimi këtyre veprave nga arabishtja në latinisht. Një gjë e këtillë e trazoi Kishën e cila mbante monopol mbi dijen. Përkundër vështirësive, intelektualët e asaj kohe ia dolën që pos përkthimeve të bëjnë edhe shpërndarjen e literaturës së vjetër e cila në fakt për Evropën ishte e re. Pas një kohe në qytetet evropiane, sidomos në ato të Italisë së sotme, u popullarizuan muzika dhe poezia trubadure e dashurisë, kurse kitara u bë instrument i rëndësishëm. Brenda një kohe të shkurtër numrat arabë zëvendësuan ata romak.

Por, gjëja më e rëndësishme ishte përkthimi i veprave filozofike të Aristotelit, Platonit dhe klasikëve tjerë përfshirë veprat për studime të natyrës dhe shoqërisë. U përkthyen edhe veprat e shkencëtarëve arabë që kishin kontribuar në studimet e matematikës, algjebrës, kimisë, astronomisë, sociologjisë, mjekësisë, etj. Madje, evropianët shumicën e shkencave dhe shprehjeve shkencore nuk i emëruan me emra të rinj, por përdorën ato që ekzistonin në arabisht (al-kimia, al-gjebra, zero, azimuthi, etj.).

Në fund të shekullit XI në mesin e shumë vizitorëve dhe shkencëtarëve anglezë që shkuan në Toledo ishte edhe Daniel Morley, i cili hyri në histori si asnjë vizitor dhe shkencëtar tjetër. Morley qëndroi disa vite në Toledo duke studiuar dhe u kthye në Angli me një ngarkesë të madhe të librave dhe me një glob, i cili jashtë Spanjës myslimane nuk dihej se çka ishte. Pas kthimit, Morley e takoi ipeshkvin e Oxford-it, i cili ishte patroni (sponsori) i tij dhe i cili mbante rreth vetes një grup dijetarësh që ishin të interesuar për përhapjen e diturisë. Ky grup u mor me përpunimin e planprogrameve të universiteteve arabe që i kishte sjellë Morley dhe vendosën ta formonin një shkollë. Shkolla që filloi mbi planprogramin e universiteteve arabe, së shpejti u shndërrua në universitet që quajt Oxford University, nga i cili më vonë doli edhe një universitet tjetër i quajtur University of Cambridge.

Dhe, siç ka shënuar Irelada Bath, njëri nga mesi i grupit të ipeshkvit dhe mik i Morley-it, për herë të parë në Evropën jashtë-islamike studentët filluan të studionin gjërat që sot janë të thjeshta, por që atëherë nuk lejonte Kisha të studioheshin, si për shembull: pse uji i detit është i njelmët, si krijohen valët e detit, pse toka është e rrumbullakët dhe si qëndron ajo në ajër dhe disa gjëra tjera të kësaj natyre.

Deri në mesin e shekullit XVI Toledo ishte një qytet përparimtar, multikulturor dhe multifetar që ofroi shembullin dhe provën e parë të ekzistimit të mundësisë së një jete të përbashkët në mes banorëve që dallojnë në shumë aspekte. Në këtë qytet lindi ideja e jetës liberale dhe e shkencës. Me fjalë tjera Toledo ishte bërthama e një Evrope të ardhshme.

Ndërkohë, në pjesën tjetër të Spanjës myslimane gjërat filluan të ndryshohen për të keq jo vetëm për shkak të sulmeve të spanjollëve të krishterë që vinin nga veriu, por edhe për shkak të problemeve të brendshme të myslimanëve. Kur Moravidët nga Afrika (Maroku) u erdhën në ndihmë princërve myslimanë në Spanjë, gjendja ndryshoi. Moravidët duke kaluar nëpër një zhvillim tjetër kishin adaptuar një lloj islami që dallohej nga ky në Spanjë. Moravidët u befasuan me jetën e zakonshme të myslimanëve spanjollë, e cila atyre u dukej luks i tepruar. Ata nuk qenë në gjendje ta kuptonin pse myslimanët dhe të krishterët bashkëpunonin e bashkëjetonin. Nuk e kuptonin as shkencën e artin dhe arsyen pse femrat nuk ishin të mbuluara si ato të Afrikës dhe pse shkonin në shkollë. Pasi që e morën pushtetin filluan të zbatonin masa regresive. Një gjë e tillë e shpejtoi rënien e territoreve myslimane. Dinastia e tyre u zëvendësua nga Almohadët, por u bë vonë për shpëtimin e Spanjës myslimane.

Rënia e territoreve myslimane nën pushtetin e të krishterëve që filloi me Toledon përfundoi me rënien e Granadës në vitin 1492. Kur mbretëresha Izabella dhe mbreti Ferdinand shkuan në Al-Hambra në ceremoninë e pranim-dorëzimit të Grenadës, ishin të veshur me rroba glamuroze myslimane. Princi Abdul e kishte dorëzuar qytetin duke dashur ta ruante mrekullinë arkitekturale dhe popullatën. Pas ceremonisë, duke zbritur shkallëve për të lëshuar pallatin, thuhet se princi kishte filluar të qante. Nëna, e cila i shkonte pas, i kishte thënë: ‘Mos qaj si grua për diçka që nuk ke mund ta mbrosh si burrë’.

Një pjesë e Grenadës u ruajt, por shumica e trashëgimisë myslimane u shkatërrua nga spanjollët e krishterë. ‘Mbijetoi vetëm vaji i ullirit’, thotë shënimi i një historiani cinik. Në mesin e dëmeve ishte edhe djegia e mbi një milion librave.

Perandoria Otomane tashti ishte lajmëruar në brigjet e Mesdheut karshi Spanjës dhe kjo shkaktoi frikë të madhe te spanjollët të cilët në vitin 1526 dëbuan myslimanët (shumica iberianë) dhe hebrenjtë e fundit që deri atëherë kishin shënuar shifrën 300 mijë.

Isabela dhe Ferdinandi me amanet u varrosën në Al-Hambra në një ambient tërësisht islamik. Në krahun e djathë të varreve të tyre edhe sot qëndron shahadeti i gravuar në mermer. Tri anët tjera janë të stolisura (po ashtu gravura mermeri) me plotë ajete nga Kurani. Edhe pse çifti ishte antiislamik i zjarrtë, duket se në heshtje e ka pranuar gjithmonë epërsinë kulturore që kishin prodhuar arabët dhe të cilën rrugë e kishin vazhduar berberët, por edhe vendasit iberianë që ishin konvertuar në myslimanë.

Toledo përfundoi si qytet njëkombësh dhe me një religjion. Por, ideja për një bashkëjetesë, tolerancë dhe zhvillim shkencor mbeti si një vulë dëshmie dhe ajo u bartë në tërë Evropën. Veprat e klasikëve që u transmetuan nga arabët, por edhe ato të krijuara nga ta, u bartën dhe gradualisht krijuan idenë e një Evrope liberale, e cila sot në aspektin ekonomik, sidomos kulturor, qëndron mbi kontinentet tjera.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme