Bob Dylan pranon Nobelin

22:24 | 11 Dhjetor 2016
Trina Galanxhi

Me në fund Bob Dylan vendosi të flasë. Pas disa muajsh hezitime e kritika që pasuan fitoren e Nobelit në letërsi, kantautori amerikan përcolli mesazhin e tij në skenën e akademisë suedeze, ku u mbajt darka e përvitshme e ndarjes së çmimeve.

Edhe pse nuk ishte i pranishëm fizikisht, Dylan u shfaq përmes një teksti të lexuar gjatë banketit nga ambasadorja amerikane në Suedi, Azita Raji. Ai e pranon se ishte befasuar shumë për çmimin prestigjioz, pasi kurrë nuk kishte reshtur së dyshuari nëse këngët e tij ishin letërsi dhe se akademia i kishte dhënë përgjigjen më të mirë.

“Nuk më kishte shkuar kurrë në mendje se do të vlerësohesha si poet, edhe sepse që në vegjëli jam konfrontuar me gjigantë të letrave të tillë si Albert Kamy dhe Ernerst Heminguej. Fakti që renditem mes tyre është diçka përtej fjalëve”, thuhej në letrën e Dylan.

Zgjedhja e tij për të mos qenë i pranishëm në ceremoni është bërë objekt debatesh në Suedi, ku vlerësimi me Nobel konsiderohet si një burim i madh krenarie. Një pjesëtar i akademisë e akuzoi Dylanin për sjellje arrogante.

Këngëtarja e mikesha e Dylanit, Pati Smith, performoi në vend të tij në ceremoninë ku përveç Dylanit të gjithë laureatët e tjerë pranuan çmimin prestigjioz që ju dorëzua nga Mbreti Karli i 16-të i Suedisë para se të merrnin pjesë në banketin e shtruar në Bashkinë e Stokholmit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme