Biblioteka e qëndresës

08:06 | 31 Maj 2015
Arbresh.info

Miq e armiq. Pushtues e çlirues. Viktima e dëshmorë. Dëshmi e mistere. Gjurmët e tyre rrethojnë ndërtesën që frekuentohet prej mbi katër mijë lexuesve në vit. Është në qendër të Ferizajt. Është bërë pjesë e rëndësishme e panoramave të qytetit më të ri në vend.

Rrëfimet për të janë prej më të ndryshmeve. Vazhdimisht ka ndryshuar edhe destinimi i saj. Ka pak më shumë se një shekull jetë, por të moshuarit e kujtojnë si vend të kobshëm për shqiptarët, shkruan sot KD.

Ishte ndërtuar në fillim të shekullit të kaluar, kur “I sëmuri i Evropës” mezi po mbahej në këmbë. Tani dhjetëra libra për rënien e Perandorisë Osmane lexohen në salla ose huazohen në shtëpi prej lexuesve – kryesisht të rinj.

Bibliotekë e burg

Teuta Demiri, drejtoreshë e bibliotekës “Sadik Tafarshiku”, thotë se objekti filloi të ndërtohej më 1908 dhe se përfundoi më 1912, në kohën kur shqiptarët po luftonin për pavarësim prej pushtuesve osmanë.

“Të themi pa modesti se Biblioteka është në ndërtesën më të bukur të qytetit”, thotë me krenari Demiri, duke iu kthyer menjëherë historisë së dhimbshme që vazhdoi me pushtimin e Kosovës prej serbëve. Ajo thekson se në qytet flitet që brenda këtij objekti janë vrarë dhe torturuar shumë shqiptarë. Por Demiri thotë se vuajtjet janë “kthyer në qëndresë dhe na motivojnë në misionin e bibliotekës që të shpërndajmë dije, të arsimojmë gjeneratat e reja, dhe biblioteka të jetë pikënisje, ku të rinjtë tanë të marrin rrugën e arsimimit, edukimit dhe emancipimit”.

Ibrahim Hyseni (82), autor i librit “Ferizaj: 1873-1944”, tregon fotografi të vjetra, ku, pos ndërtesës aktuale të Bibliotekës, shihet edhe një objekt i vjetër me arkitekturë të ngjashme në këndin e parkut, ku ndodhet Biblioteka. Ai i hedh poshtë pretendimet se ndërtesa ishte përdorur si burg prej regjimit jugosllav.

“Burgu ka qenë pranë ndërtesës, por ka qenë ndërtesë e ndarë. Aty thuhet se janë vrarë shqiptarë me daulle”, thotë Hyseni, veteran i arsimit. “Është angazhuar orkestra e qytetit gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore që të mos dëgjohej gjëma e njerëzve që po torturoheshin për vdekje”, thekson Hyseni. “Burgu ka qenë në vendin ku tani është objekti i Postës”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme