Google ADS

Biblioteka e Bashkim Fehmiut pasuron Departamentin e Arkitekturës

10:49 | 18 Qershor 2015
Arbresh.info

Prishtina duket krejt tjetër. Por vetëm në plane të moçme urbanistike të pjesëve të ndryshme të Prishtinës, fotografi e skica objektesh të viteve më parë që janë ekspozuar në Departamentin e Arkitekturës së Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës.

Ekspozita “Bashkim Fehmiu” është hapur bashkë me bibliotekën me 1.700 libra e revista që arkitekti i parë në Kosovë ia ka dhuruar Fakultetit të Ndërtimtarisë e Arkitekturës në UP. Që biblioteka t’i bëhej dhuratë Fakultetit, Bashkim Fehmiu, i cili vdiq më 2008, e kishte lënë amanet. E ekspozita me fotot e objekteve që ka projektuar, si dhe skicat, planet e projektet e realizuara nga ai, kanë shërbyer për ta njohur më mirë punën e tij. Hapja e ekspozitës dhe dorëzimi i librave është bërë të mërkurën nga familjarë të arkitektit me nam, i njohur edhe për projektin e “Grand Hotelit”, të cilin e realizoi më 1974 bashkë me arkitektin Dragan Kovaçeviq. Por mbi 1.700 tituj janë vetëm një e treta e bibliotekës së Fehmiut. Zhvendosja e krejt pasurisë së tij librare do të vazhdojë.

Dekani i Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, Naser Kabashi, teksa ka falënderuar familjen Fehmiu, ka thënë se në vazhdën e krijimit të kushteve për një studim të mirëfilltë krahas kushteve të tjera, bibliotekat paraqesin hallkë të rëndësishme dhe të pashmangshme.

“Bibliotekat nuk paraqesin një përmbyllje të një procesi, por janë çdoherë në proces të plotësimeve dhe avancimeve konform kohës dhe kushteve që kemi”, ka thënë ai. Sipas tij, me dhurimin e bibliotekës së Bashkim Fehmiut është çuar në vend amaneti i profesorit.

“Veprat janë të rëndësishme kur kanë qasje nga shumë njerëz. Ekspozita është pjesë e pandashme e kësaj biblioteke dhe nxjerr në pah aktivitetin e profesor Fehmiut që i takon plejadës së krijimtarisë arkitektonike në Kosovë”, ka thënë Kabashi. Sipas tij, kontributi i Bashkim Fehmiut ka qenë i ndarë edhe në pjesët më vitale të byrove projektuese, ku edhe janë krijuar hapat e parë të urbanizmit e vendosjes së kornizave të urbanizmit në Prishtinë.

Njëri nga bashkëpunëtorët e Fehmiut, Dervish Qerreti, ka thënë se Bashkim Fehmiu ishte ndër arkitektët më të vyer në Kosovë.

“Atë që ka guxuar ta thotë ai nuk ka e ka thënë as politika”, ka thënë Qerreti.

Fatmir Fehmiu, vëllai i Bashkim Fehmiut, ka thënë se amaneti i realizuar i profesorit të arkitekturës mbështetet në postulatet themelore.

“Libri është kapital i gjallë kur qarkullon e shfrytëzohet me kujdes, dashuri e mençuri, ndërsa është kapital i vdekur kur lihet ta mbulojë pluhuri. Këto ishin edhe porositë e prindit tonë, Ibrahim Fehmiu, punëtor i përkushtuar i hapjes së shkollave shqipe në Kosovë dhe Shqipëri”, ka thënë ai. Sipas Fatmir Fehmiut, burimi i dijes qëndron në fakultete.

“Me punë e dije shtrohet rruga e përparimit shoqëror e kulturor dhe e lirisë njerëzore në përgjithësi. Këto janë mjete të vetme për ta mundur armikun kolonizues e skllavërues”, ka thënë ai.

Martina Culaj, njëra nga studentët që kanë realizuar projektin, ka thënë se vetëm 30 për qind e librave dhe revistave të Fehmiut janë sjellë në objektin universitar.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme