Google ADS

Bëhet promovimi i dy librave nga fusha e albanologjisë

08:18 | 19 Tetor 2016
Arbresh.info

Sot në Institutin Albanologjik të Prishtinës bëhet promovimi i dy librave nga fusha e albanologjisë, të studiuesve të gjuhës shqipe, të arvanitasit Panajot Kupitori dhe të gjermanit Franz Bopp, të cilët në shqipe i ka sjellë studiuesi i gjuhës dhe historiani Altin Kocaqi, në një vëllim të vetëm, në koleksionin “Klasikët e studimeve shqiptare”.

Sipas njoftimit për media, në këtë vëllim janë përfshirë dy studime me vlera të jashtëzakonshme për gjuhën shqipe: “Studime shqiptare” i arvanitasit Panajot Kupitorit dhe “Mbi gjuhën shqipe” i studiuesit gjerman Franz Bopp.

Tezat që shtrojnë këta autorë në këta libra provokojnë dhe shtrojnë ide për debate të forta në fushën e historisë dhe të gjuhësisë. Ato rikthejnë çështje themelore për prejardhjen e shqipes, prandaj ky vëllim vlen për të gjithë studentët, studiuesit dhe të pasionuarit për kërkim të rrënjëve të gjuhës sonë.

“Derisa arvanitasi Panajoti Kupitori mbron prejardhjen pellazgjike të shqipes, Boppi arrin më larg, duke e çuar përtej kësaj periudhe. Sipas themeluesit të gjuhësisë krahasuese historike, lënda e saj lë në hije gjuhët evropiane si dhe vetë sanskritishten. Kjo arritje e Franz Boppit vjen nëpërmjet analizës së ftohtë krahasimtare dhe shkencore të fjalëve simotra që gjuha shqipe ka me gjuhët evropiane”, thuhet në njoftim.

Për përkthimin e këtyre dy librave në shqipe do të flasë vetë përkthyesi i tyre, Altin Kocaqiu, i cili nga një ekzemplar të këtij vëllim studimor do t’ua dhurojë të gjithë të pranishmëve.

Libri është mbështetur financiarisht nga Ministria e Kulturës, e Rinisë dhe e Sportit e Kosovës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme