Letërsia është burim kryesor që e fisnikëron njeriun dhe më mirë se letërsia nuk e shpreh askush realitetin e kohës. Madje, thuhet shpeshherë se letërsia dhe historia janë binjake. Megjithatë, historinë më mirë e kemi mësuar nga letërsia sesa nga vetë historia. Më mirë e kemi mësuar historinë e Gjergj Kastriotit- Skënderbeut nga Barleti, nga Naimi, pastaj nga Sabri Godo se nga vetë historia dhe kjo më nxiti edhe mua që t’i përkushtohem letërsisë, duke shkruar një zhanër të veçantë historiko-letrar.
Z. Tahiri, cila ishte tërheqja fillestare, ai çasti vendimtar që ju grishi aq fort sa t’ju shtyente t’i përkushtonit kaq shumë kohë dhe energji letërsisë?
TAHIRI: Letërsinë e kam dashur gjithmonë, që nga klasa e pestë fillore kur e mora dhuratën e parë për sukses të shkëlqyeshëm, romanin “Bambi” të autorit Feliks Salten, i cili më është djegur në luftën e fundit bashkë me tremijë libra të tjerë, por që do kisha shumë dëshirë ta kem.
Në Gjimnaz nxitjen kryesore ma bëri profesori i gjuhës dhe letërsisë shqipe, Bali Gashi. Ai çdo orë të letërsisë ma linte mua ta mbaja, meqenëse vetë ishte paksa i sëmurë, kështu që letërsia më hyri në gjak. Librat i lexoja aq shumë sa që nuk mund të rrija pa to as natën, as ditën. Çdo para që merrja nga shtëpia, e harxhoja për të blerë ndonjë libër, shumherë nuk haja as bukë, dhe sot e kësaj dite edhe nxënësve u them më mirë është ta bleni një libër sesa ta pini një kafe.
Letërsia është burim kryesor që e fisnikëron njeriun dhe më mirë se letërsia nuk e shpreh askush realitetin e kohës. Madje, thuhet shpeshherë se letërsia dhe historia janë binjake. Megjithatë, historinë më mirë e kemi mësuar nga letërsia sesa nga vetë historia. Më mirë e kemi mësuar historinë e Gjergj Kastriotit- Skënderbeut nga Barleti, nga Naimi, pastaj nga Sabri Godo se nga vetë historia dhe kjo më nxiti edhe mua që t’i përkushtohem letërsisë, duke shkruar një zhanër të veçantë historiko-letrar.
Cilët ishin autorët fillestarë që ju kanë pëlqyer e të cilët më vonë, ndoshta, kanë patur ndikim në formimin tuaj?
TAHIRI: Në fillim lexoja çka më binte në dorë, ndërsa më vonë fillova të përzgjedh. Kurse autorët fillestarë që më nxitën të shkruaj ishin autorët e traditës, të cilët me kulturën e tyre arritën ta mbajnë gjallë frymën kombëtare. Zakonisht më pëlqete të lexoja librat që kishin tema historike, sepse nga to mësoja. Nga Drenica ishin: Mehmet Kajtazi, Daut Demaku, Nebil Duraku, Behram Hoti, pastaj Nazmi Rrahmani, Murat Isaku etj., që më shtynë t’i rrekem fushës së letërsisë. Kurse më vonë dashuria për letërsinë lindi nga autorët e Shqipërisë, siç ishin: Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Fatos Arapi etj., por edhe poetët e shkrimtarët e ndaluar të asaj kohe. Kur e kam lexuar Sylejman Krasniqin, sidomos veprat e tij “Prijësa e komiteve” dhe “Mic Sokoli”, pastaj vprat e Ajet Haxhiut “Azem dhe Shotë Galica”, ”Hasan Prishtina” e ”Bajram Curri”, sikur tërë vemendja mu kthye nga historia jonë kombëtare. Kështu që veprat të cilat na i ndalonin na nxitnin edhe më shumë që t’i lexonim. Këta ishin autorët të cilët lanë mbresa të pa shlyeshme në kujtesën time dhe mund të themi se ishin mësuesit e mi të parë në fushën e letërsisë.
Më jepni tre fakte që lidhen me punën tuaj krijuese dhe frymëzimin për të shkruar. Cili është krijimi juaj i parë, në gjininë e prozës, poezisë apo publicistikës?
TAHIRI: Frymëzimet e para i mora nga vendlindja. Galica është frymëyimi im i parë, pastaj Drenica me heronjtë e saj si dhe të gjithë trojet shqiptare. Themi Galica, sepse aty kur lexoja veprat e Ajet Haxhiut e të tjerëve e dija se ajo ngjarje ka ndodhur në Galicë dhe shumherë më kanë thënë edhe të tjerët, në Tiranë e vende tjera se Ju jeni nga Galica dhe i njihni ngjarjet më mirë se ne të tjerët. Do të thotë se ndjeja obligim moral edhe kombëtar që të kontribuoja, duke shkruar për këtë trevë. Dëshmori është mbi të gjitha, dëshmori është ai që të frymëzon. Dhe, nëse dikush i thotë dikujt se je bërë i madh përmes një vepre, ai duhet përgjigjur ndryshe. Për shembull, nëse mua më thonë ke shkruar për Adem Jasharin, çfarë mund të thuhet është se: Adem Jashari, më ka bërë mua të madh e jo unë atë, se ai është i madh vetë. Kur njeriu shkuan për njerëzit e mëdhenj edhe vetë bëhet pak a shumë i tillë.
Libri im i parë është monografia historiko-letrare ”Azem Bejtë Galica”, e cila është botuar në vitin 1995, në kohën kur heroi Azem Galica ishte i ndaluar të përmendet e le më të shkruhet për të. Botimi ishte i vështirë. Historia duhet shkruar me art, pra ngjarjet të shtjellohen nëpërmjet petkut letrar që të bëhen më të kapshme për lexuesin.
Keni shkruar shumë, cilin nga librat e konsideroni si librin që ju ka lënë mbresa dhe kujtime që nuk do t’i harronit kurrë?
TAHIRI: Unë zakonisht merrem me shkrime historiko-letrare, e lëroj me kujdes reportazhin, esenë, monografinë, tregimin dhe publicistikën. Duke e parë se historia ndaj shqiptarëve është treguar njerkë, dhe duke parë që historinë e kemi pasur të shkruar nga të tjerët, mua më lindi idea që vetë ta shkruajmë historinë tonë, jo duke e glorifikuar, duke e zmadhuar, por duke thënë realitetin. Lajtmotiv i të gjitha veprave të mia është atdhetarizmi.
Libri im që më ka lënë kujtime, mbresa që nuk do të shlyhen kurrë e që nuk e ndërroj me asnjë tjetër, është ”Adem Jashari – legjendë e legjendave” i botuar më 1999, i cili u ribotua dhjetë herë.
Shkrimet e juaja letrare kryesisht kanë karakter historik e dokumentar, çfarë iu shtyen ju që të lëroni këtë lloj shkrimi?
TAHIRI: Çdo popull i ka dy letërsi, letërsinë gojore dhe traditën e kultures së shkruar. Tradita e jonë gojore është mjaft e pasur, për të cilën na e kanë lakmi të gjithë. Kështu që tradita jonë gojore ka ndikuar tek unë që të shkruaj për popullin tim, për të kaluarën e lavdishme, për heronjtë.
Një traditë gojore, një letërsi e shkruar…?
TAHIRI: Që nga fëmijëria kam qëndruar nëpër oda, ku nga aty kam marrë bazamentin e shkrimeve të mia. Nuk ka shkrimtar shqiptar, i cili nuk e ka lyer penën në traditën gojore, në gurrën popullore. Ajo është formulë magjike. Gërshetimi i traditës gojore me kulturën e të shkruarit, artistikisht realizohen bukur. Populli nuk gabon. Arkivi popull është më i fuqishëm se çdo gjë.
Për promovimet e librave, je i kënaqur me mënyrën se si bëhen promovimet, duke iu referuar vetëm kritikave pozitive që bëhen përgjatë promovimeve?
TAHIRI: Përurimi është një punë e rëndësishme, por jo e domosdoshme. Zakonisht autorët që shkruajnë mirë, kanë vepra të mira letrare-artistike, nuk kanë shumë nevojë për përurime, për fjalë të bukura, që thuhen aty për aty. Ato sikur e kanë humbur kuptimin që kishun dikur. Vepra e mirë e gjen lexuesin vetë. Andaj, vlerësimi më i mirë bëhet nga lexuesi. Kam gjithsej 34 vepra, kam bërë vetëm tri përurime. Madje, ërurimin e librit „Nga Shqipëria në Shqipëri“ ma bënë në Muzeun Historik në Tiranë në mënyrë madhështore! Megjithatë, unë mendoj, përurimet nuk ia shtojnë vlerën librit.
Lëmë mënjanë krijimtarinë tuaj, krijuesit shkruajnë për shpirtin e tyre, për faktin se janë krijues. Sa jeni optimistë se do të vijnë ditë më të mira edhe për shkrimtarët e Kosovës?
TAHIRI: Letërsinë që nga filimi, që nga antika e deri këtu e ka përcjellë një fat pothuajse i njejtë, mospërfillja nga shteti, po edhe shoqëria. Andaj, letërsia kurrë nuk e ka fatin e mirë. Letërsia zakonisht shkruhet nga njerëzit që vuajnë, që përjetojnë. Letërsia është akt flijues që kërkon sakrificë nga ai që shkruhet. Prandaj, edhe te ne, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, është i njejti fat, kulturës, në përgjithësi, nuk i jipet rëndësi e veçantë.
Përpos problemeve që ka pak lexues, vazhdon të theksohet edhe ndarja në vija të trasha në mes brezit të vjetër dhe brezit të ri të krijuesve. Si e shihni këtë ndarje?
TAHIRI: Kultura në përgjithësi dhe letërsia në veçanti i kanë krizat e veta, edhe për lexuesin edhe për shpërndarjet e shumë çështje tjera. Në Shqipëri lexohet më shumë sesa në Kosovë. Libri është “thembra e Akilit” për kulturën. Interneti, rrjetet sociale e kanë bërë të vetën, Mirëpo, ato kurrsesi nuk e zëvendësojnë librin. Letërsia shijohet vetëm duke lexuar librin fizik.
Lufta e brezave gjithmonë hetohet, disa në mbrojtje të traditës, disa duke e mohuar atë, kështu që lufta mes brezave zgjatë. Ku qëndron fatkeqësia jonë si popull, që nuk po mund të mëkëmbëmi, fatkeqësia është mohimi i brezave. Çdo gjeneratë që vjen, qoftë në kulturë, qoftë në politikë, ka tendencën që të thotë: Historia fillon me mua! Kjo i bie një fillim nga e para, nga zeroja. Ky mohim i gjithçkaje para nesh, ky mohim brezash, sjell fatkeqësi. Kohëve të fundit ka filliar një vetëdijësim dhe nuk hetohet shumë lufta e brezave, siç ishte fill pas Luftës së Dytë Botërore, por megjithatë ekziston.
Cili është mesazhi juaj për lexuesit?
TAHIRI: Për fund porosia ime për lexuesin është: të lexojnë, të lexojnë dhe vetëm të lexojnë! Libri e pasuron njeriun shpirtërisht dhe po qëse je i pasur shpirtërisht i ke të gjitha. Leximi të fisnikëron! Pasuria kapitale nuk quhet pasuri. Pasuri quhet kultura, dija që e fiton nga libri. Leximit mos t’i ndahemi, le të jetë ushqim shpirtëror për ne.
Intervistoi: Arianit Behrami
Mot i paqëndrueshëm në Shqipëri, vranësira dhe reshje shiu, ...
Një orë pritje për hyrje në Kosovë nga Dheu i Bardhë
Turqia ia zë vendin Iranit si forcë e huaj mbizotëruese në S...
Bernabeu iu përul legjendës: Një lamtumirë madhështore për d...
Meksikë, rrëzohet avioni “Cessna 207”, raportohet për 7 vikt...
LDK shënon 35-vjetorin e themelimit