Aurita Agushi: Oscar është realizim i ëndrrës, lutem të fitojmë

21:59 | 28 Shkurt 2016
Arbresh.info

Pak orë na ndajnë nga ceremonia globale e ndarjes së çmimeve Oscar.

Filmi Shok, i pari nga Kosova i nominuar në kategorinë e filmave të metrazhit të shkurtër, bëri që bota ta shohë një ngjarje reale që ndodhi në luftën e vitit 1999 në vendin tonë.

Pak kush do ta mendonte që nisur vetëm me një ide e thjeshtë të arrihej tek ky sukses, pa emra të mëdhenj të individëve dhe kompani të fuqishme kinematografike.

Aktorja kosovare Aurita Agushi, e cila sonte gjendet në Los Anxhelos, tha për Klan Kosovën se ishte ëndërr e kamotshme e saj që të ishte aktore e një filmi konkurrent në Oscar.

“Që kur kam qenë e vogël e dija se do të bëhesha aktore”.

“Kjo ishte ëndrra ime – dhe jo vetëm”.

“Kam punuar shumë që kjo ëndërr një ditë të bëhej realitet, por nganjëherë nuk mjafton vetëm puna, mirëpo duhet të kesh edhe fat. Po, unë jam me fat!”.

Aktorja nuk heziton të shpalosë dëshirën që synon ta realizojë derisa gjendet në këtë ngjarje madhështore në Los Anxhelos.

“Jam në vendin e duhur për t’i takuar aktorët të cilët i kam idhuj – Daniel Day Lewis dhe Cate Blanchett… Asgjë nuk është e pamundur”.

Derisa kosovarët janë me mendje tek Shok, Agushi tha se do ta ketë të vështirë të kontrollojë veten nëse filmi fiton Oscarin dhe kësisoj hyn në historinë e kinematografisë së Kosovës, por edhe të asaj shqiptare dhe ballkanase.

“Nuk do t’i kontrolloj emocionet. Tekefundit, pse duhet të kontrollohen ato në një ditë kaq të madhe? Unë e di se do ta jetoj emocionin sa më gjatë të jetë e mundur”.

“Lutem që kur të hapet zarfi të thuhet: ‘Shok!’”.

“Është më se e kuptueshme që ngjarjet të cilat ndodhën në luftën e fundit në Kosovë janë pjesë përbërëse e ndjenjave të të gjithëve, por çdo gjë është e kotë nëse një ngjarje nuk di ta rrëfesh si duhet”.

“Në rastin e filmit Shok bashkohen të gjitha, por theks të veçantë do i vendosja lojës së dy aktorëve të rinj – Lum Veseli dhe Andi Bajgora – të cilët mahnitën publikun e gjerë amerikan me talentin e tyre”.

Sonte është natë historike për Kosovën – për kinematografinë e saj, por edhe për respektin ndaj një periudhe jashtëzakonisht të vështirë nëpër të cilën kanë kaluar njerëzit e saj.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme