Artistja kaloi tre dekada duke pikturuar një pikturë të vetme

09:25 | 22 Tetor 2021
Trina Galanxhi

Ishte fundi i viteve 1980 kur artistja koreano-jugore Myonghi Kang filloi punën e saj në pikturën “Le temps des camelias” (Koha e Kamelias).

Duke jetuar në rajonin e 19-të të Parisit në atë kohë, ajo i kthehej periodikisht pikturës së atëhershme vertikale për të shtuar ngjyrat në formën e luleve, transmeton portal arbresh.info

“Unë i kthehesha pikturës me të gjitha pyetjet që kisha në mendjen time dhe me kujtimet që kisha nga udhëtimet”, tha ajo.

Megjithatë, piktura nuk u ndje kurrë e përfunduar.

Kang përfundimisht e braktisi krijimin e saj dhe vetëm kur e çoi në ishullin Jeju të Koresë së Jugut në vitin 2007, u ndie e frymëzuar për të rishikuar veprën e artit dhe për të ndryshuar orientimin e saj në peisazh horizontal.

“Vetëm kur e solla pikturën në Jeju në pranverë, pata guximin, pas 10 vitesh, ta punoja sërish”, tha ajo. “Kisha shumë kamelia në studion time dhe kështu fillova të sjell të gjithë elementët që shihja rreth meje”.

Do të kalonte edhe një dekadë përpara se piktura eterike, e ekspozuar tani në galerinë Villepin të Hong Kongut, të përfundonte. Si e tillë, vepra përshkruan jo vetëm lulet e gjalla që aludohen në titullin e saj, por kalimin e kohës në vetvete.

“Unë thjesht shikoj pikturat dhe ndjej se ato nuk kanë përfunduar. Dhe madje mund të jetë e vështirë të fle,” shpjegoi ajo.

“Ato gjithmonë janë duke lëvizur, duke përparuar dhe shpesh mendoj se ato nuk kanë përfunduar. Ndonjëherë, do të dëshiroja të pija një pije dhe ta harroja atë, por është e pamundur”, theksoi ajo.

E kompletuar me tinguj natyralë që luhen nga altoparlantët e fshehur, ekspozita shërben për të transportuar vizitorët larg rrethinave të ngarkuara të qendrës së Hong Kongut në ishullin bukolik Jeju, ku Kang.

“Në mendjet tona, natyra është bar, pemë dhe lule”, tha ajo kur u pyet për marrëdhënien e saj me mjedisin. “Por natyra është gjithçka. Natyra është njerëzit, është një qytet, është histori… Natyra është një urë që lejon dialogun midis të gjitha gjërave”./cnn/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme