Artisti duhet t’i kundërvihet së keqes

12:38 | 28 Tetor 2018
Arbresh.info

Artisti veç krijimit të vlerave estetike si kërkesë që del nga nevoja e botës shpirtërore e tij ka dhe një detyre tjetër të rëndë, por tepër fisnike: ta mbrojë të drejtën dhe t’i kundërvihet së keqes në shoqërinë pjesë e së cilës është, por edhe kudo që ajo (e keqja) paraqitet. Po, nuk ndodhi kjo, atëherë kredibiliteti dhe morali i artistit del i paqëndrueshëm.

Ajo që me veprën e tij filmike ka transmetuar Charlie Chaplin në pjesën e parë të shekullit XX, veçmas me filmat “The Great Dictator” dhe “Modern Times”, është goditje e pamëshirshme ndaj së keqes globale, por edhe së keqes brenda shoqërisë, pjesë e së cilës ishte ai në atë kohë. Nuk duhet harruar se filmi “The Great Dictator” (“Diktatori i madh”), një parodi që vente në thumb kryefashistin dhe pushtuesin Adolf Hitler, u realizua në vitin 1940, atëherë kur apetiti i tij prej pushtuesi dhe vrastari shënonte kulmin e tij dhe realizimi i një filmi të tillë paraqiste një rrezik të jashtëzakonshëm për autorin Chaplin!

Shembulli tjetër që do ta japë për të treguar guximin e artistit për të marr qëndrim kundër së keqes është rasti i realizimit të kryeveprës së Pablo Picassos, “Guernica”, e cila u pikturua në pjesën e dytë të vitit 1937, si reagim ndaj terrorit të fashistit Franco që ushtroi ndaj popullit të tij, gjatë Luftës Civile në Spanjë, si dhe ndaj bombardimeve që qyteti Guernica iu nënshtrua për dy orë rresht nga Legjioni Gjerman Condor me 26 prill të vitit 1937! Mbetet i paharruar dialogu i shkurtër i gjeniut Picasso me një oficer gjerman me rastin e konfiskimit të pikturës “Guernica”. Në pyetjen e tij drejtuar piktorit: “Ju e keni bërë këtë?”, ai i përgjigjet: “Jo, e keni bërë ju!”.

Këta dy shembuj që i përmenda do të duhej të preknin në ndërgjegjen e shumicës së artistëve dhe “artistëve” shqiptarë të cilët për interesa krejt meskine bëhen pjesë e së keqes e cila ka kapluar shoqërinë shqiptare si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri. Ata, për një “kockë” të vogël janë të gatshëm t’i nënshtrohen cilitdo pushtetar duke nëpërkëmbur moralin dhe artin e tyre dhe duke shkelur me të dy këmbët mbi punën dhe mundin e atyre që përpiqen t’i rezistojnë kësaj të keqeje duke u bërë opozitë e saj!

Nuk duhet harruar se në fushatën e tij “dekoruese” të këtij viti, kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi, dekoroi një numër të madh artistësh që shkuan në zyrën presidenciale, pa pikë hezitimi, duke zhvesh dhëmbët para kamerave të lumtur që po i nënshtroheshin një personi që mund të konsiderohet si burim i të këqijave më të mëdha të Kosovës në periudhën e pasluftës. Asnjëri nga këta artistë të dekoruar nuk mori guximin që ta refuzonte “ofertën” e kryetarit të Kosovës!

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme