Google ADS

Artisti Devrim Erbil për herë të parë në Shqipëri

20:03 | 13 Prill 2015
M. A.

Një prej artistëve më të njohur turq, Devrim Erbil, do të prezantohet për herë të parë në Shqipëri, me ekspoziten personale e titulluar “Me dashuri nga Stambolli”. Ekspozita do te hapët më datën 15 prill në Galerinë Kombëtare të Arteve, në orën 19:00.

Për organizimin e kësaj ekspozite ka menduar Ambasada e Turqisë në Tiranë dhe Instituti Kulturor Junus Emre, të cilët me anën e këtij bashkëpunimi sjellin në Tiranë për herë të parë artistin Devrim Erbil dhe ekspozitën e tij “Me dashuri nga Stambolli”, e cila do të prezantohet edhe në praninë e kuratorores Beste Gürsu.

Një përzgjedhje prej rreth tridhjetë veprash në pikturë, shumica në teknikën akrilik, në kanavacë dhe në dimensione të mëdha, të cilat në fokusin e tyre kanë Stambollin, vijnë pikërisht si një frymëzim nga bukuria legjendare e natyrës së këtij qyteti, nga i cili pamjet panoramike të krijuara nga dora e njeriut kanë frymëzuar artistë të ndryshëm për shekuj me radhë, artistë që i kanë dhënë një histori të gjatë artit turk.

Devrim Erbil ka lindur në vitin 1937. Erbil studioi pikturë në Akademinë Shtetërore të Arteve të Bukura në Stamboll në 1955 fillimisht nën drejtimin e Halil Dikmen dhe më vonë në studion e Bedri Rahmi Eyüboglu.
Nga viti 1965 stili unik i piktorit Devrim Erbil tërhoqi vëmendjen e një audience ndërkombëtare. Atij iu dha një bursë arti nga qeveria spanjolle për të studiuar pikturë në Madrid dhe Barcelonë. Më vonë vazhdoi karrierën e tij akademike në Paris dhe Londër. Më 1968 Erbil u zgjodh “Artisti i ri i vitit” në Turqi dhe në 1991 u nderua me titullin e rëndësishëm “Artist i Shtetit të Turqisë”.

Përveç karrierës së tij në pikturë Devrim Erbil ka dhënë kontribut për zhvillimin dhe promovimin e arteve në Turqi. Ka qenë President i Shoqatës Turke të Arteve dhe President i Shoqatës së Arteve Pamore Bashkëkohore. Gjithashtu, ka qenë edhe drejtor i Muzeut të Pikturës dhe Skulpturës në Stamboll.

Erbil ka një karrierë të pasur dhe të gjatë edhe në qarqet akademike. Aktualisht është Profesor i Pikturës në Departamentin e Pikturës në Universitetin Mimar Sinan.

Ashtu si thotë përshkrimi në Christie’s, shtëpia e famshme e ankandeve, ku veprat e këtij autori kapin shifra të konsiderueshme, me dhjetëra mijë dollarë, puna e hershme e Devrim Erbil të kujton fort veprat dhe ilustrimet e Matrakci Nasuh, një nga figurat më të rëndësishme të Turqisë së shekullit të 16-te dhe aktiv gjatë kohës së Sulltan Sulejmanit të Madhërishëm, të cilat kombinonin një mori ngjyrash natyrore me perspektivën ajrore dhe lartësinë horizontale.

Në pikturat e mëvonshme Devrim Erbil trajton perspektivën dhe proporcionet në mënyrë më natyrale, ndërsa ngjyra në punët e tij bëhet monokrome dhe ekspresive./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme