Pushteti, identiteti, migrimi – Vepra e Sislej Xhafës sillet rreth këtyre çështjeve të mëdha të të sotmes. Këtë vit, artisti konceptual udhëheq pavijonin kosovar të Bienales së Venedikut dhe aktualisht ekspozon në Berlin, shkruan monopol-magazin.de.
Që në hyrje të sallës ku është hapur ekspozita e tij qëndron një pemë ulliri e mbjellë në saksi, ku varet mbishkrimi: “Don`t touch me” (mos më prek). Ulliri është një simbol tradicional për paqen dhe dashurinë. Por a e shikon Sislej aktualitetin me optimizëm?, është pyetja që i bën gazetari Xhafës.
Artisti shqiptar nga Kosova, me një karrierë të suksesshme në botë, Sislej Xhafa përgjigjet: “pema e ullirit mishëronë idenë e rrënjosjes, përkatësisë, identitetit. Ajo shenjëzon tokën, rrënjët tona. Unë kam dashur ta vendos këtë pemë në hyrje të ekspozitës, me idenë se ajo i dëshiron mirëseardhje publikut dhe në të njëjtën kohë bën lutje që të respektohet”, transmeton albinfo.ch.
“Pikturimi, ngjashëm me pemën e ulllirit mishëron idenë e lirisë. Por sa i lirë është sot arti, si qëndron puna përgjithësisht me lirinë në shoqërinë tonë? Arti për mua është trajta e fundit e mbetur e demokracisë. Mua nuk më interesojnë çështjet formale, unë me artin tim dua të veproj dhe të nxis për pjesëmarrje: për të krijuar një hapësirë në të cilën poetikja çon drejt politikes”, thotë tutje Xhafa.
I pyetur se në çfarë mase arti i tij është i ndikuar nga biografia, artisti i shquar i lindur në vitin 1970 dhe i rritur në Kosovë thotë: “Unë e kam përjetuar se si Serbia e pushtoi Kosovën, e kam përjetuar dhunën në trupin tim, përcjell albinfo.ch. Por unë sot jetoj në Nju Jork, mund të hap ekspozita ndërkombëtare, bëj një jetë të privilegjuar në një qytet multietnik.
Më lejoni t`ua rrëfej një rrëfim: para një kohe po e shikoja para një restoranti se si një shef kuzhine, me prejardhje nga Etiopia, rrinte ulur pranë një zotëriu të moçëm dhe e pyeste atë se si ishte. Plaku ishte i frikësuar, ai mendonte se etiopiani donte ndonjë gjë prej tij – ndërkohë që fjala ishte thjesht për një shprehje nderimi. Për mua kjo skenë simbolizon gjithë atë që na ikën, kur kemi mungesë dijeje dhe hapjeje kundrejt kulturave tjera. Ndërkohë: lufta vazhdon.
Ekspozita personale e Sislej Xhafës është hapur më 10 nëntor dhe mbyllet më 23 dhjetor.
83 mijë metra katror banesa për të pastrehët në Tiranë
Qytetarët në Shkup sërish protestojnë kundër ndotjes së ajri...
Më shumë investime në shëndetësi, Balluku: Rritje të pagave ...
Kurti vendos gurthemelin e ndërtesës së re të Komunës së Sht...
22 raste “escorta” në Kosovë gjatë këtij viti, shtetaseve të...
Erion Veliaj mohon se u arratis nga Shqipëria: Po shkoj në S...