Në të kaluarën, pikturat shfaqnin terror, frikë dhe parashikim. Por, a mundet arti ta tremb mendësinë tonë të re? Pjesë të shkrimit të kritikes së artit Kelly Grovier.
A e ka harruar arti mënyrën se si duhet t’i trembë njerëzit? Në kohët e shkuara, artistët e njihnin frikën dhe e shfrytëzuan si levë emocionale në pikturë ose në skulpturë. Artistët fetarë, të Mesjetës e të Rilindjes, u përshtatën me fuqinë e frikës. Vizionet e tmerrshme se çfarë të këqijash të përhershme janë në jetën e përtejme nëse anëtarët e famullisë nuk ia dalin të jetojnë me devotshmëri në këtë botë (zakonisht të vendosura pranë daljes së kishës, që të lënë përshtypje të pashlyeshme), kishin qëllim të qartë: për ta trembur kongregacionin.
Për shembull, gjëja e fundit që besimtarët shohin në daljen e Kapelës Scrovegni në Padovë të Italisë, është paraqitja e çuditshme e shpirtrave të mallkuar në një gropë, pasi janë thithur nga gryka e zjarrtë e Ferrit. “Dita e Gjykimit” e mjeshtrit të Firences Giotto di Bondone (që qëndron mbi derën e pasme të kapelës, në një afresk të ndarë që njëkohësisht portretizon kushtet e Parajsës për të drejtët dhe të shpenguarit) mund të mos jetë e zgjuar, por ka efekt. “Të bekuarit organizohen në rreshta të rregullt në të djathtë të Krishtit”, siç e përshkruan një studiues këtë pamje, “ndërsa rrjedha e të mallkuarve ka forma të çrregullta, trupa të zgjatur që bien teposhtë… të sulmuar nga demonët që therin, djegin dhe i tërheqin ata”.
Sado e frikshme të jetë imagjinata e Giotto-s, apo të themi e Hieronymus Bosch-it, fytyrat e paraqitura në pikturat e tyre rrallëherë e arsyetojnë bindshëm trazirën e brendshme. Frika në panelin e Ferrit te “Kopshti i kënaqësive tokësore”, shfaqet me ata që janë duke u copëtuar ose djegur. Diçka e tillë nuk ia del të frymëzojë artistët e ardhshëm, nëse duhet të merren me sfidën e parashikimit të dërrmimit të fizionomisë së subjekteve.
Nga shpirti i mallkuar që ngadalë fundoset i vetëm në torturat e përjetshme (afresku “Gjykimi i fundit” i Michelangelo-s te Kapela Sistine, ku trupi tërhiqet nga një trio e torturuesve djallëzorë) e deri te pamja e tmerrit e Francisco Goya-s tek “Burri i magjepsur”; nga paraqitja e shtangies së “Zonjës Makbeth” nga artisti zviceran Henri Fuseli, e deri te personifikimi ikonik i tmerrit ekzistencial nga piktori Edvard Munch te vepra “Piskama”, historia e artit vazhdimisht ka shfaqur arketipet e një ankthi të përjetshëm.
Dy vepra më pak të njohura, të krijuara saktësisht një shekull më parë, tregojnë sesi kërkimi për fytyrën e vërtetë të frikës ka vazhduar deri në shekullin XX. Teksa ishte student në Shkollën “Slade” të Arteve të Bukura në Londër (pasi ishte traumatizuar nga pamja e shpërthimit të një fabrike municionesh në Eseks, gjatë Luftës së Parë Botërore), artisti britanik Winifred Knights u shpërblye me një bursë prestigjioze në Romë, për paraqitjen dramatike të një skene të frymëzuar nga përmbytja biblike.
Turmat e frikësuara që janë të dëshpëruara për të prekur majat më të larta të tokës, pasi Varka e Noës po largohet, është një portretizimin i brendësisë së artistit: frika që shqetëson Evropën që po e merrte veten nga tmerret e luftës.
Pothuajse të njëjtin kohë, ekspresionisti spanjoll Jose Gutierrez Solana punoi në veprën psikologjike “Klounët”, ku përmes mimikës shprehet frika.
E çka sot? A ka në artin bashkëkohor nxitjeje për frikën, siç e gjen tek piktorët Giotto ose Bosch, ose nga Michelangelo deri tek Munch? Kafka e famshme e diamantit e artistit Damian Hirst, “Për dashurinë e Zotit”, është rigjenerim modern i traditës së artit që përmban kafka dhe skelete – jo për t’ua bërë me dije njerëzve se do të vdesin aq sa për t’i trembur nga kërcënimi i vdekjes. Por, vepra e Hirstit me 8,600 diamante nuk frikëson shumë. Ajo më shumë ju bezdisë me çmimin e punimit e lëre më me çmimin e blerjes (50 milionë).
Të shqetësuar me skemat nëse ato që bëjnë janë apo nuk janë art, shumë artistë modernë kanë humbur pigmentet e frikës. Në anën tjetër, vëllezërit britanikë, Jake dhe Dinos Chapman, luajnë me frikën si element estetik, ndonjëherë në formë tallëse e më pak të frikshme. Kjo vërehet te seria “Tmerret e luftës”. P.sh. vepra e tyre “Ferri” nuk flet për Holokaustin, por të kundërtën pasi, sipas tyre, “nazistët janë subjekt i gjenocidit industrial”.
Atëherë, ku ka mbetur frika në kulturën vizive? Piktorja e famshme portugeze, Paula Rego shpesh citohet në kontekstin e terrorit dhe frikës. Një artikull akademik nga historiani i artit Leonor de Oliveira, me titullin “T’i japim frikës një fytyre: Kujtimi dhe frika në veprën e Paula Rego-s”, thotë se motivet e saj i detyrohen konceptit të kritikut britanik të artit, Herbert Read, për “gjeometrinë e frikës” me të cilën u përshkrua puna e skulptorëve të pasluftës, të cilët falsifikuan “ikonografinë e dëshpërimit”. Por, për mua, figurat e frikshme që hasim në veprën e Rego-s më shumë kundërshtojnë sesa e mishërojnë frikën.
Fjala “frikë” shpesh përdoret për të karakterizuar veprat e fundit të video-artistes dhe skulptores suedeze Nathalie Djurberg, instalimet e karnavaleske të së cilës (shpesh të konceptuara me artistin e tingujve Hans Berg) i çojnë vizitorët në një hapësirën të groteskës. Por, “Udhëtimi i fundit në nëntokë” (2019), i përbërë nga skulptura të errëta komike të florës dhe faunës, më shumë ka të bëjë me habinë sesa me tensionin dhe terrorin.
https://www.facebook.com/satomiinakkai/videos/417200628888549/
Ndoshta arti bashkëkohor, si poezia bashkëkohore, po i ndryshon rolet. Ashtu siç çdo herë e më pak shohim poetë që rrëfejnë epikën – rol ky me të cilin merren novelistët dhe kineastët – edhe artistët nuk po e trembin më vetëdijen tonë. Teksa arti bashkëkohor përpiqet të lidhet me një audiencë më të gjerë, ndoshta është koha që artistët të rikrijojnë frikën. /Telegrafi/
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...
Përplasje e fortë mes Gresës dhe Xhenetës, shkak pranku i An...