Arkeologët zbulojnë themelet e një pallati rezidencial në Dersnik

14:26 | 14 Korrik 2016
M. A.

Në fshatin Dersnik të Komunës së Klinës sot janë bërë publike gjetjet e reja arkeologjike, si mbetjet e një pallati rezidencial, mozaikët dhe stelat, për të cilat thuhet se datojnë që nga shekulli I para erës sonë.

Zbulimi i këtij lokaliteti arkeologjik është bërë në vitin 2012, ndërsa, punimet po vazhdojnë sot edhe më tej, me qëllim që ky lokalitet të shndërrohet në pikë turistike për vizitorë vendorë e të huaj.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, i cili për së afërmi ka përcjellur edhe zbulimet e reja nga gërmimet arkeologjike në Dersnik, tha se është e rëndësishme që puna të jetë sistematike, në mënyrë që të zbulohet e tërë sipërfaqja e këtij lokaliteti arkeologjik.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës e ka prioritet trashëgiminë, përmes së cilës, mund të arrihet edhe deri tek shtresa e parë e identitetit të Kosovës.

Interesimi më i madh i Qeverisë për këtë pjesë, sipas Shalës, duhet të dëshmohet me një ndihmë më të madhe financiare, në mënyrë që të krijohen mundësi më të mira për punë.

“Mendojmë që është shumë e rëndësishme që kjo punë të shtohet, të jetë sistematike dhe të zbulohet në tërësi lokaliteti në gjithë sipërfaqen e tij, sipas një plani besoj të menduar mirë nga ju që drejtoni punimet dhe udhëhiqni institucionet. Pastaj, edhe në rëndësi që ne të arrijmë me të vërtet deri të shtresa e parë e që është shtresa e parë e identitetit të Kosovës ose e Dardanisë tonë që është e njëjta gjë. Qeveria e Kosovës gradualisht trashëgiminë e Kosovës, më saktësisht Dardanisë antike dhe mesjetës, e ka prioritet nacional. Kjo dëshmohet me interesimin, por ne duhet të punojmë që ky interesim të përkthehet edhe me një ndihmë më të madhe konkrete buxhetore financiare. Do të vazhdojmë të rrisim buxhetin për institucionet e trashëgimisë kulturore, në të cilët do të krijojmë mundësi që të punojnë më lehtë dhe më shumë në të gjithë fushat”, tha Shala.

Zbulimi i këtij lokaliteti është bërë në vitin 2012, kur edhe kishin filluar gërmimet për gjetjet arkeologjike. Drejtori i Instituti Arkeologjik të Kosovës, Enver Rexha tha për KosovaPress se fillimisht kanë punuar me shumë pak mjete, për të hartuar pastaj një projekt, i cili në vitin 2016 ka arritur vlerën e 100 mijë eurove.

Ai bëri të ditur se për gërmimet e kësaj pjese janë angazhuar edhe ekspertë nga vendet evropiane, për t’i bërë reprezentative hulumtimet, siç është rasti me rezidencën, mozaikët dhe stelat.
Gjetjet nga gërmimet, sipas Rexhës, datojnë që nga shekulli I para erës sonë deri në shekullin V-VI.

Në anën tjetër, arkeologu Masar Valla thotë për KosovaPress se Dersniku është një ndër lokalitetet më të rëndësishme të Dardanisë antike.
Lidhur me gjetjet në këtë lokacion, siç është rasti me pallatin rezidencial, i  cili ka pasur të gjitha hapësirat me mozaikë, Valla thotë se janë të veçanta, andaj ndikojnë që ky lokalitet në Dersnik të shndërrohet në pikë turistike.

“Dersniku është një ndër lokalitet më të rëndësishme në Dardaninë antike. Gërmimet  kanë filluar në vitin 2012 po vazhdojnë edhe më tej. Zbulimet janë të jashtëzakonshme, kemi gjetjen e një pallati rezidencial, i cili në vete në përbërje ka gjashtë hapësira, të gjitha hapësirat janë me mozaikë, me motive gjeometrike dhe shumëngjyrëshe. këto gjetje janë interesante edhe për vizitorët të cilët nesër ose pasnesër, kur të bëhet hapja e këtij monumenti zyrtarisht. Gjetje tjera interesante janë disa statuja të Afroditës, e kemi kokën e Afroditës, i kemi stelat, kemi gjetje karakteristike nga …plumbi dhe shumë gjetje tjera. Andaj të gjitha këto gjetje janë me rëndësi që nesër ky lokalitet të ketë prioritet e vizitës, si pikë turistike, në kuadër të Republikës së Kosovës”, tha Valla.

Po ashtu, së shpejti pritet që  të krijohet një lloj guide, të cilën do të mund ta shfrytëzojnë vizitorët, ku do të ilustrohen me fotografi të gjitha gjetjet e këtij lokacioni.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme