Është botuar libri më i ri “BIBULZ” i autores shqiptare Erenestina Gjergji-Halili.
Libri “BIBULZ” është manifest i dhimbjes, një kujtesë e mendjes për emocionet dhe ndjenjat njerëzore.
Autorja e librit në një intervistë për portalin “arbresh.info”, ka treguar më shumë detaje rreth librit të saj më të ri./arbresh.info/
Intervistë me Erenestina Gjergji-Halilin, poete, pedagoge dhe gazetare, autore e librit më të ri “Bibulz”
Arbresh.info: Libri juaj “Bibulz” erdhi pas një jehone të madhe që pati “Gjama e Erës”, por edhe pas një tragjedie familjare? Është i tëri dedikim apo është e zgjeruar gama tematike?
Gjergji-Halili: Faleminderit për kushtimin tuaj ndaj “Bibulz”.
Në krye të herës më duhet të them se ky libër doli nga dora ime, tani është pronë e lexuesit. Si rrufetë e Olimpit, shigjetoi nëntori i vitit të kaluar…( ju lutem, kini mirësinë të më lejoni, që gjithçka kam timen ta ruaj ende timen.
Po, “Gjama…” pati jehonë e vazhdon ende sot, më kënaqet zemra por pa e fshehur edhe ego autoriale, kur shoh publikime të librit, apo kur njerëzit m’i përmendin. Është mirë të të duan, apo së paku të të njohin.
“Bibulz”, nisi në një nga netët më të errëta vetanake, kur njeriu hyn në krizë, kur dita është pa dritë, kur orët nuk kalojnë kurrë, veç të hedhin në rrathë e rrathë mungese, përjetimesh, aromash, kujtimesh, kur kërkon t’i ikësh turravrap të sotmes.
Ke njëmijë pyetje, por nuk i bën, sepse e di se Ai ka dizenjon, e vet e ti je një grafikë e saj, si dhe bulëza jote dhe bulëzat e nënave si ti. Dhimbja ka vetëm një emër…
Ndaj ky është libri i nënave si unë, kemi bërë bashkë rrugën e përditshme, kalvarin, ia njohim gjuhën njëra-tjetrës, ia dimë të pathënat, por dikush mbi të pathënën, duhet të ngrejë të thënën, e ajo vjen veç prej lart…
Shën Agustini thotë, se askush nuk shkon kund, është në dhomën ngjitur. Edhe tematika është ajo e njeriut që frymon sa në një skaj të qenies aq në tjetrin të qenies, që ne nuk e shohim, por edhe të ditës sonë njerëzore e tiparet e përditshme të shpirtit.
Jeni vlerësuar lart nga kritika letrare, sidomos ajo në Kosovë. Ndërsa, në anën tjetër thuhet se, në ditët e sotme, kritika mungon. Sa jeni ndier e përkrahur dhe e vlerësuar me librin e dytë poetik?
Gjergji-Halili: Shihni: ky libër poetik, nuk vjen para lexuesit për asnjë motiv utilitar autorial. ky është për mua një manifest i dhimbjes, një kupë e shëlbimit, një kujtesë e mendjes, një udhë që nuk e zgjodha, nuk e kërkova, por nuk pyeta kurrë:- Pse unë?!
Ndaj gjithçka shkruhet, pritshmëritë, emocionet, ndjenjat njerëzore, pyetjet e mëdha që nxiten, i bëjnë veç nder librit. Kritika në Kosovë është veçanërisht e lidhur me librin, unë mbetem mirënjohëse, sepse jo vetëm për shkak të gjuhës, ndjej se jam aty me ju.
Kosova din me t’dashtë, din edhe me t’matë!
Ju shkruani në variantin gegë. A është ky variant i françeskanëve të Shkodrës, apo është tipik e folmja e Dukagjinit?
Gjergji-Halili: Qysh prej idesë për të botuar librin e parë, kam hulumtuar se gjuha e nanës time Bjeshkë, është aq e vjetër në trajta, sa mua ma rrihte veshin. Për të qenë korrekte me veten, lexuesin, kritikën, iu drejtova vetë, in pesona studiuesve të asaj gjuhe. Akademik Gjovalin Shkurtaj, hartuesi e studiuesi i anketës gjuhësore të zonës së Dukagjinit, është shprehur për të. “Bibulz”, veç gegnishtes (preferoj ta artikuloj kështu) së vjetër, me leksik e idioma të harruara, me onomatope, me leksema, me një areal fonetik fantastik, mjaft t’ju them se zanoren â e përdorim si folje, pyetje, pasthirrmë e variante të tjera. Ai variant gegë, është një gjuhë e koduar, ka simbolikë të thellë, njësoj si gjuha biblike, ndjehet si rebus prej nga nuk mund të dalësh lehtë.
Kam në dorë një material të At. Benardin Palajt, të cilin po e rihedh prej origjinalit në letër, jam mrekulluar me gjuhën e njëjtë. Është një vepër që mendoj se do të jetë në nder të letërsisë sonë, si dhe aspekt tjetër i atyre martirëve pa varr, por me Shqipninë e fenë në gji. Kjo nuk është gjuha ime, nuk e kam shpikur unë, unë veç guxova të hedh sa munda në letër, magjinë komunikuese të asaj gjuhe, si mjet shprehës artistik. Bibla dhe gjuha, më mbajtën në këmbë!
Megjithatë, e keni pasur parasysh se shkrimi në këtë variant, “të fillimit”, e vështirëson komunikim me lexuesin?
Gjergji-Halili: Po ju e dini se fillimi nuk bëhet dot fund? Atëherë si ta tjetërsojmë? Si t’i veshim tingëllim e shkrim tjetër, kur ai ekziston edhe sot e gjithë ditën? A s’duhen ruajtur identitetet gjuhësore e kulturale, si dëshmi e ekzistencës sonë?
Librin tuaj e karakterizon një strukturë unike, siç është thënë, një trini, që më shumë e kemi ndeshur në letrat klasike. Por, sot, sa mund të komunikojë kjo strukturë me lexuesin?
Gjergji-Halili: Në gjurmët e historisë biblike ka kaluar kalendari i jetës sime prej më shumë se treqind ditësh. Kjo histori, këto fabula dhe gjithë arsenali i kodeve, mistikës e frymës, ravijëzuan këtë libër. Pa Atë, nuk do të ishim, pa Bir jeta s’do të ishte siç e njohim, pa Shpirt çdo të ishte njeriu? A nuk e shihni se edhe pse nuk duam, kjo trini është aty, shihet e ndjehet? E kur shihet, shihet nga të gjithë. Kur ndjehet, ndjehet nga të gjithë. E, pra, ky është lexuesi!
Sapo doli libri, ju u nderuat me një çmim. Pastaj dihet, se në panaire, si ai i Tiranës jepet edhe çmimi për librin më të mirë. A do të jeni pjesë e konkurrimit?
Gjergji-Halili: Kam vendosur të mos konkuroj! Ky libër nuk u shkrua për konkurim!
Panairi i Librit, kjo ngjarje e madhe letrare shqiptare, ka qëlluar të jetë në prag të përvjetorit, synimi im ishte që libri të dilte në shtyp në prag të tij, për të jetësuar tim bir e për të kumtuar ato që lexuesi mund t’i dekodojë në lexim individual.
Ky libër do të dilte vetëm në vigjilje të përvjetorit të tim biri.
E di se ky vendim mund të pritet çuditshëm, por unë e kam vendosur t’i shërbej kështu Zotit tim.
Ndërsa ai vlerësim, ishte një befasi e këndshme, nuk kisha asnjë dijeni, falënderuese ndaj jurisë, Kola e Lanksch.
Sa ju ka ndihmuar shkrimi i këtij libri për ta tejkaluar dhimbjen që keni pasur nëntorin e kaluar?
Gjergji-Halili: Dhimbjen e kam ende, e besoj deri sa të marr frymë. Por ky libër, më mësoi të jetoj me të dhe të kuptoj përkohësinë tonë, të kuptoj se në këtë jetë nuk mjafton veç të mos bësh keq, por duhet të jetosh me të mirën, ta mësosh veten të bësh mirë, ndaj i drejtohem të mirës e i them: t’preksha për t’mirë, o e mirë!
A do të vazhdoni të shkruani sërish në gegnisht, kur dihet se ju jeni edhe pedagoge dhe punimet shkencore i botoni në standard?
Gjergji-Halili: E kam përcaktuar standardin si domosdoshmëri komunikuese zyrtare ndër shqiptarë e treva shqiptare, si dhe në aspekte të tjera të jetës zyrtare, administrative e më gjerë, por jam deklaruar gjithnjë për lirinë e shprehjes artistike në gjuhën e shpirtit, aty ku je në magjen tënde. Më thoni ju, a mund të lexohet Fishta në standard? Pse klasikët lexohen në origjinal ?
Cilën poezi të këtij libri e keni më për zemër?
Për zemër kam ciklet e përcaktuara: Ati, Biri, Shpirti, por kumti im dëshmohet në postkopertinë.
Osmani takoi Komisioneren për Zgjerim, theksoi rëndësinë e a...
Xheneta, Drilonit: Me qenë ti vëllai im, do më kishte ardhur...
Kasanof takim me Ramën: Mbështetje Shqipërisë për çështje ky...
Nëntë filma të shfaqur në DokuFest në listë të gjatë për Çmi...
Sinani thotë se autoritetet serbe ia ndaluan ministrit Çeku ...
Për çfarë arsye do ndahej Lela nga Leo?