Google ADS

​Miratohet në lexim të parë Ligji për Sponsorizime dhe Donacione

17:48 | 19 Shkurt 2016
Arbresh.info

Për të krijuar kushte më të mira për Kulturën, Rininë dhe Sportin, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në vazhdimësi do të formulojë politika programore dhe të propozojë akte legjislative, siç është Ligji për Sponsorizime dhe Donacione.

Ministri Kujtim Shala në ekpozeun e tij në Parlamentin e Kosovës, me rastin e miratimit në lexim të parë të këtij projektligji, u shpreh se me këtë projektligj, për herë të parë vihen bazat juridike për trajtimin, rregullimin dhe njohjen e sponsorizimeve dhe të donacioneve në fushat e lartëpërmendura.

Më tej, ministri Shala u shpreh se me anë të këtij projektligji është synuar të rregullohen marrëdhëniet, kushtet dhe niveli i lehtësirave financiare nëpërmjet zbritjeve të lejuara për personat fizikë dhe juridikë, të cilët me vullnet të lirë sponsorizojnë apo bëhen donatorë të këtyre fushave me interes të veçantë publik, konkretisht fusha e kulturës, rinisë dhe sportit.

Në tërësi, ky projektligj krijon lehtësira financiare 20 për qind për sponsorizuesit e donatorët.

MKRS-ja vlerëson se me këtë projektligj, krijohen kushte shumë më të volitshme dhe lehtësira financiare për zhvillimin e kulturës, sportit dhe rinisë në Republikën e Kosovës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme