Google ADS

​Festivali i akuarelit, mundësi per promovimin e artistëve dhe Shqipërisë në botë

21:43 | 10 Gusht 2015
M. A.

Me mbështetjen e Ministrisë shqiptare të Kulturës, në datat 21-25 nëntor 2015 në Pallatin e Kongreseve dhe në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë, do të zhvillohet për herë të parë aktiviteti më ri artistik i titulluar Festivali Ndërkombëtar i Akuarelit.

Festivali Ndërkombëtar i Akuarelit vjen me qëllimin kryesor te promovimit të artistëve dhe të Shqipërisë në botë, theksojnë organizatorët.

Sakaq, puna për këtë aktivitet, që vjen nën nismën e piktorit Helidon Haliti, njëkohësisht president i Shoqatës Ndërkombëtare të Akuarelistëve për Shqipërinë, ka nisur prej disa muajsh.

Festivali e bën Shqipërinë të jetë në këtë mënyrë në vëmendjen e artistëve nga e gjithë bota.

Një komision i veçantë i ngritur për përzgjedhjen e punëve që do të prezantohen në festival ka shqyrtuar me qindra punë të paraqitura nga e gjithë bota, në teknikën e akuarelit.

Komisioni përbëhet nga personalitete të shquara të arteve pamore shqiptare dhe me karrierë 50 vjeçare, artistë me shumë tituj dhe çmime. Komisioni është ngritur me shtatë anëtarë, emra të njohur të pikturës shqiptare si, Skënder Kamberi, Nestor Jonuzi, A gon Dine, Qamil Prizreni, etj.

Në këtë festival kanë aplikuar artistë nga Europa, por dhe nga shtete si Meksika, Kina, Argjentina, etj. Në fazën e parë të festivalit kanë aplikuar mbi 240 artistë të huaj dhe në fund të fazës së dytë u përzgjodhën 130 autorë nga 51 shtete përfaqësuese.

Në fazën e fundit përzgjedhëse do të prezantohen rreth 200 piktura në teknikën e akuarelit. Festivali Ndërkombëtar i Akuarelit do të mbahet në vjeshtë dhe do të zhvillohet në disa salla njëherësh. Ai sjell në vëmendje artin figurativ, ku punët e artistëve nga shtete të ndryshme të botës do të prezantohen për publikun.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme