Qosja: Isa Mustafa ia dha tri dhurata të zeza Kosovës

13:51 | 8 Shtator 2015
Arbresh.info

Akademik Rexhep Qosja ka thënë se pajtimi për formimin e Gjykatës Speciale, marrëveshja për krijimin e Bashkësisë së Komunave Serbe dhe Marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi janë tri dhurata të zeza, që kryeministri Isa Mustafa ia dhuroi Kosovës.

Ai ka thënë se Bashkësia e Komunave Serbe është subjekt juridik që realisht e kufizon mëvetësinë (sovranitetin) e Kosovës. Duke folur për gjuhën e përdorur të kryeministrit Mustafa me përfaqësuesit e VV-së, Qosja ka thënë se Mustafa, me gjuhën politike dhe pushtetore që përdori në qërimin e hesapeve me pjesëtarët e kësaj lëvizje, tregoi se pushteti i tij politik po i përngjan pushtetit politik të Millosheviqit dhe Sheshelit! Qosja ka folur edhe për partinë e Thaçit, për të cilën ka thënë se në disa raste të veçanta e humbi rrugën e vet historike. Akademik Qosja ka thënë se derisa të mund ta mbajë lapsin në dorë do të jetë kundër politikës që me gjuhën, me masat apo me heshtjen e saj i ka bërë pothuaj të ligjshme shumë të këqija në Kosovë.

Zoti Qosja, këto ditë keni postuar një postim në profilin tuaj në “Facebook”, duke cituar Alfons de Lamartinin, bashkëkohësin e Revolucionit Borgjez Francez. “Ky pushtet, të jeni të sigurt, do të përmbyset”. Nga shumëkush kjo fjali është parë se ju po bëni thirrje që të përmbyset pushteti aktual në Kosovë?

Qosja: Është dhënë në radio, është botuar në ndonjë gazetë e është cituar prej lexuesve të ndryshëm edhe më parë ky fragment i shkruar prej poetit të madh francez, Alfons de Lamartin, të cilin unë e kam vënë si moto në librin tim Shqipëria dhe Kosova – si janë dhe si do të duhej të jenë, të botuar në fillim të vitit 2013. Meqenëse është cituar ndonjëherë me disa gabime, e quajta të arsyeshme ta botoj edhe në “Facebook”. Por e quajta të arsyeshme ta postoj në “Facebook” edhe për arsyen për të cilën e kam vënë si moto në librin e përmendur: për t’i përkujtuar ata që po e mbajnë pushtetin, që po e mbajnë pushtetin më egër se ndonjëherë pas çlirimit, se revolucionet nuk kanë marrë fund: revolucione ka pasur dhe do të ketë në botë derisa do të ketë shtresa të nënçmuara, të privuara prej të drejtash, të eksploatuara, të papuna, derisa të ketë diktatorë, tiranë, despotë orientalë e evropianë, autokratë, totalitaristë dhe shpërdorues të tjerë të pushtetit, çfarë edhe kemi sot në pushtetin e Kosovës.

Revolucionet më shumë a më pak të qeta, më pak a më shumë të ashpra e shënuan historinë e dy dhjetëvjetëshave të fundit të shekullit njëzet në shumicën e vendeve të Evropës Lindore, por e shënuan edhe historinë shqiptare. E, po e shënojnë edhe historinë e sotme të disa vendeve latino-amerikane, afrikane e aziatike. Revolucioni të cilin unë e quajta demokratik e shënoi edhe vitin 1997 në Shqipërinë shtetërore duke rrëzuar prej pushtetit despotin e atëhershëm Sali Berishën. U shkrua shumë për këtë togfjalësh atëherë në Shqipëri e në Kosovë dhe u shkrua kaq shumë sepse në gazetarinë dhe në publicistikën tonë ende nuk kishin mbërritur togfjalëshat revolucion demokratik, revolucion i mëndafshtë, revolucion i kadifenjtë, revolucion paqësor, që përdoreshin në publicistikën dhe në politikologjinë evropiane. Meqenëse prej Evropës ende nuk kishim mësuar çka do të duhej të mësonim as në pushtet e as në shkrimet për pushtetin, artikullshkruesit e ndryshëm qëronin hesape jo me autokracinë patriarkale të Sali Berishës po me Rexhep Qosjen. Kur filloi të depërtojë mendimi evropian në mendimet tona për politikën, pushtetin, rendet politiko-shoqërore, pushoi ajo fushatë kundër meje. Megjithëse ka mbërritur në Shqipëri, ai mendim evropian, si po shihet në reagimet ndaj motos së Lamartinit të postuar në profilin tim në “Facebook”, nuk ka mbërritur në disa nga mediet tona elektronike!

Mora vesh se ç’kishte thënë më 3 shtator në mbrëmje për atë citat të Lamartinit televizioni “Klan Kosova”. Pashë se kishte qëruar hesape si me mendimin e Lamartinit, ashtu edhe me përdorimin tim të atij mendimi. E lë “Klan Kosovën” të mendojë si të dojë për Lamartinin! E lë “Klan Kosovën” të mendojë çka të dojë për botimin e atij mendimi në librin tim! E lë “Klan Kosovën” të mendojë si të dojë e çka të dojë për qëllimin e postimit të atij mendimi në profilin tim në “Facebook”. Le ta informojë e çinformojë, edukojë e çedukojë si të dojë opinionin e “Klan Kosovës”! Ajo që më neveriti në komentin që i bëri “Klan Kosova” mendimit të Lamartinit të postuar në profilin tim në “Facebook”, është servilizmi ndaj pushtetit të kryeministrit të sotëm të Kosovës, Isa Mustafa. Më neveriti, por nuk më çuditi: nuk më çuditi sepse servilizmi është mjeshtëria e atyre që bëjnë politikën e “Klan Kosovës”. E me këtë politikë, si po shihet në një varg emisionesh të tyre, ata po bëjnë shumë e shumë përpjekje për t’i rehabilituar ish- bashkëpunëtorët dhe ish-agjentët e UDB-së! Lë t’i rehabilitojnë siç po e rehabilitojnë edhe Isa Mustafën për të kaluarën e tij politike, e cila e bën atë plotësisht të papranueshëm për politikën shtetërore të Kosovës së çliruar në qershor të vitit 1999.

Bashkësia e komunave serbe

Si i vlerësoni katër marrëveshjet e fundit të arritura në Bruksel, për të cilat ka pasur reagim nga opozita dhe shoqëria civile? Reagimet ishin më shumë për marrëveshjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Çfarë rreziku e pret Kosovën me këtë asociacion serb?

Qosja: Në bisedimet midis Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Serbisë, në Bruksel, më 25 gusht, u nënshkruan katër marrëveshje: marrëveshja për kodin telefonik, marrëveshja për elektroekonominë, marrëveshja për Urën e Ibrit dhe, më e rëndësishmja, natyrisht, Marrëveshja për krijimin e të ashtuquajturit Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe. Këtë dhuratë politiko-territoriale dhe kushtetutare juridike, që Bashkësia Evropiane dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës ia dhanë Serbisë, serbët po e quajnë Zajednica srpskih opshtina, shkurtimisht ZSO, kurse njerëzit e politikës, mediet dhe organizatat e ashtuquajtura joqeveritare, po e quajnë Asociacioni i Komunave Serbe, me ç’rast disa po ia shtojnë edhe dy fjalë: me shumicë serbe. Çfarë do fjala asociacion këtu? Pse krijojmë paqartësi kuptimore dhe politike me të derisa e kemi fjalën shumë të qartë dhe shumë të bukur shqipe Bashkësi: Bashkësia e Komunave Serbe.

Nuk ka dyshim se problemi i komunave serbe, sidomos i komunave serbe në Veriun e Kosovës, është problem i madh, më i madhi për të cilin në bisedimet e Brukselit midis dy palëve – shqiptare dhe serbe, bisedohet prej fillimit të këtyre bisedimeve. Pikëpamjet e palës shqiptare dhe të palës serbe për këtë problem ishin gjithnjë, e besoj edhe në bisedimet e fundit në Bruksel, shumë kundërshtimore. Por, për dikë kuptueshëm e për dikë moskuptueshëm, këto kundërshti pothuajse u tejkaluan në bisedimet e fundit dhe, sipas të gjitha gjasave, siç po e thonë disa nga ata që dinë diçka edhe për punët e mbas perdes, u tejkaluan nën trysninë e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Dhe kjo trysni doemos i detyroi të dyja palët të bëjnë lëshime në pikëpamjet e tyre për formimin, përbërjen, kompetencat dhe funksionimin e kësaj Bashkësie. Lëshimet në bisedime për çështje siç është kjo e Bashkësisë së Komunave Serbe, zakonisht, nuk bëhen me qejf, por me zor: me zorin të cilit nuk mund t’i shmangesh pa pasoja që mund të jenë më të vogla a më të mëdha se pasojat që sjell vetë çështja e quajtur Bashkësia e Komunave Serbe. Për këtë arsye nuk mund t’u besohet fjalëve që thonë, as të atyre të palës serbe, as të atyre të palës shqiptare, që morën pjesë në bisedimet për këtë Bashkësi. Kështu, fjala vjen, drejtori i Zyrës për Kosovë e Metohi në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriqi, deklaroi se në bisedimet e fundit në Bruksel, me nënshkrimin e atyre katër marrëveshjeve, Serbia korri fitore 5:0 dhe me fjalë, pesë zero! Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, dhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, e thonë të kundërtën: se Kosova fitoi me 5:0 dhe me fjalë, pesë zero!

Mund të besohet se asnjëra palë nuk ka fituar më 5:0. Serbët nuk kanë arritur t’u pranohen të gjitha kërkesat, kurse shqiptarët nuk kanë arritur t’u përfillen të gjitha refuzimet.

Për rezultatin e bisedimeve mbi Bashkësinë e Komunave Serbe në Kosovë u shfaqën mendime të ndryshme mospajtuese dhe u shfaqën së pari, prej tri partive opozitare, së dyti, prej organizatave të ashtuquajtura joqeveritare dhe, së treti, prej disa intelektualëve të papërfshirë në opozitë a në ato organizata. Dhe, këto mospajtime duken herë më shumë e herë më pak të bindshme, herë më të ashpra, e herë më të durueshme.

Të dhënat e përmbajtura në marrëveshjen e nënshkruar, në njërën anë, dhe në shpjegimet e nënshkruesve dhe të kundërshtarëve të tyre, në anën tjetër, lejojnë të pohohet se Bashkësia e Komunave Serbe: – është autonomi politiko-territoriale, – ka Kuvendin, Këshillin Ekzekutiv, që e përbëjnë kryetarët e komunave të Bashkësisë dhe Bordin, – ka kryetarin, i cili Bashkësinë do të mund ta përfaqësojë edhe, si thuhet, jashtë Kosovës,

– ka, si e thonë mediet serbe, kompetenca në 12 fusha: në fushë të ekonomisë vendore, të planifikimit në qytete e fshatra, të mbrojtjes shëndetësore, të mbrojtjes sociale, të arsimit, të rikthimit të serbëve të shpërngulur, po jo dhe të shqiptarëve, e të tjera. Ka kompetenca ekzekutive në të gjitha ato dymbëdhjetë fusha, – financohet prej burimeve të veta, prej pushtetit qendror e prej Serbisë dhe kjo pjesëmarrje e Serbisë në financimin e saj e bën të pavarur financiarisht prej Prishtinës. Është subjekt juridik, i përcaktuar i tillë prej statutit të miratuar në Kuvendin Themelues, – statusin e saj të tillë të subjektit juridik nuk do të mund ta kufizojë e as ta shpërbëjë pushteti qendror në Prishtinë, por vetëm Kuvendi i vet, – duke pasur mëvetësi (sovranitet) të brendshëm dhe duke qenë e financuar edhe prej Serbisë kjo, Bashkësia e Komunave Serbe, është subjekt juridik që realisht e kufizon mëvetësinë (sovranitetin) e Kosovës, – me pak kufizime Bashkësia e Komunave Serbe është shtet brenda shtetit të Kosovës!

Prej të dhënave të sipërthëna ne mund ta marrim me mend se si do të funksionojë Bashkësia e Komunave Serbe sot, por, ne në asnjë mënyrë nuk mund ta marrim me mend se si do të mund të funksionojë ajo më vonë dhe për çfarë qëllimesh do të mund të përdoret ajo më vonë si subjekt juridik, si shtet me pak kufizime brenda shtetit të Kosovës. Për këtë arsye tani për tani vetëm kaq mund të thuhet: Bashkësia e Komunave Serbe do të mund të përdoret një ditë prej serbëve siç është përdorur Kali i Trojës i krijuar prej grekëve në Trojë.

Të gjitha këto e lejojnë pohimin: krijimi i Bashkësisë së Komunave Serbe përfaqëson dështim politik e shtetëror, të përtashëm dhe historik, të Qeverisë së Kosovës.

Një problem quhet i madh në qoftë se është problem i shumë njerëzve. Problemi shqiptar në Kosovë ishte problem i madh, prandaj edhe quhet çështja shqiptare, çështja e Kosovës, sepse ishte dhe është çështje e shumë njerëzve – e afër dy milionë shqiptarëve. Problemi i serbëve në Kosovë është problem i vogël, sepse është problem i pak njerëzve, që do të duhej të zgjidhej ashtu siç i zgjidh vetë Evropa problemet e tilla në shtetet e saj: me njohjen e të gjitha të drejtave njerëzore, qytetare, politike, kulturore, demokratike e të tjera të tyre.

 

Prokurori, policia dhe gjykata e kryeministrit

Rreth këtyre marrëveshjeve nisi një debat më i ashpër ndërmjet kryeministrit Isa Mustafa dhe përfaqësuesve të Lëvizjes Vetëvendosje! Kryeministri përdori një fjalor me të cilin tashmë është njoftuar opinioni, e quajti Albin Kurtin gomar, por paraprakisht zyrtarët e VV-së e quajtën kryeministrin dinak e të poshtër. A mund të presim ashpërsim të gjuhës ndërmjet pozitës dhe opozitës dhe ku na çon kjo gjuhë komunikimi?

Qosja: Është pritur që mospajtime të shkaktojë sidomos marrëveshja për krijimin e Bashkësisë së Komunave Serbe. Shumë më theksueshëm se herëve të tjera këto mospajtime u tejshquan. Por, tejshquarja e këtyre mospajtimeve, sipas mendimit tim, nuk duhet të na shqetësojë. Studiuesit e kulturës evropiane e theksojnë se e gjithë kultura në kontinentin evropian është zhvilluar prej mospajtimeve, kundërshtimeve, polemikave.

Në mospajtimet mendimore lindin ide të reja, mendime të reja, teori të reja dhe, madje sisteme të reja filozofike.

Ajo që duhet të na shqetësojë është gjuha dhunuese, gjuha kërcënuese e përfaqësuesit të pushtetit dhe, mandej, qëndrimi pothuaj përkrahës apo i mënjanërishëm (indiferent) i disa medieve ndaj kësaj gjuhe dhe ndaj këtyre kërcënimeve.

E, shqiptues, përdorues, zbatues i kësaj gjuhe është kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa!

E dëgjova kryeministrin kur iu përgjigj Vetëvendosje!-s në “RTK” pas kthimit nga Brukseli. Pata përshtypjen se po dëgjoj një njeri gjakmarrës të cilit i është ndaluar koha diku në fillimet e shekullit nëntëmbëdhjetë! Me atë gjuhë të asaj kohe foli sa deshi në “RTK”, por “RTK”-ja ia mori të drejtën Albin Kurtit për t’iu përgjigjur atij në të njëjtin emision.

Është thënë para meje, dhe është thënë prej historianëve të njohur evropianë, se kur shkon pushtuesi, të pushtuarit fillojnë t’i përngjajnë më shumë sesa kur ishin të pushtuar prej tij, posaçërisht kur bëhen të pushtetshëm! Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, me gjuhën politike dhe pushtetore që përdori në qërimin e hesapeve me pjesëtarët e Vetëvendosje!-s, tregoi se sa palejueshëm pushteti i tij politik po i përngjan pushtetit politik të Millosheviqit dhe Sheshelit! Ç’është e vërteta, edhe më parë, ai tregoi se sa përkushtueshëm dhe sa paharrueshëm e ka përvetësuar inxhinieringun politik neostalinist të Millosheviqit. Para disa muajsh e dëgjuam kur deputetes largpamëse, përfaqësuese e dinjitetshme e gruas shqiptare në politikë, Albulena Haxhiu, iu drejtua, në Kuvend, me fjalë fyese: kush je ti? Vetëm e vetëm pse ajo shprehu mospajtim me disa qëndrime të tij!

Më vonë, në Kuvendin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, e dëgjuam dhe e pamë se sa egër u soll ndaj disa anëtarëve të kësaj partie, që nuk ishin të gatshëm ta këndonin këngën e tij e në mënyrë të veçantë ndaj konkurrentes për kryetare të LDK-së, Vjosa Osmani.

Para pak javësh e pashë dhe e dëgjova në TV se si iu përgjigj kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinajt, dhe përmes tij gjithë opozitës. Mendimit të tij, se në vitin 2016 duhet të mbahen zgjedhje të parakohshme në Kosovë, ai iu përgjigj: – Zgjedhjet e parakohshme, tha ai, me sakicë në dorë, do të mbahen në vitin 2018, kurse kryetar i Kosovës do të jetë Hashim Thaçi! Opozita le të shkojë në det e ku do tjetër në pushim e le të argëtohet sepse, me Kosovën, e la të kuptohet, ka kush të merret: do të merret Isa Mustafa. Dhe do të merret ashtu siç u mor në Bruksel dhe siç u mor në Çakorr!

Tani, në fund, e pamë dhe e dëgjuam kur Albin Kurtin, njërin prej politikanëve më mendjeqartë, me dije e kulturë të përgjithshme shumë përshtypjebërëse, e quajti gomar!

Mbas fyerjes e mbas nënçmimit politik dhe profesional ndaj Albulena Haxhiut, Vjosa Osmanit e mospajtuesve të tjerë me të në LDK, ndaj Ramush Haradinajt, e Albin Kurtit, ai, Isa Mustafa, tani po i përkushtohet qërimit të hesapeve politike me Vetëvendosje!-n.

Por kjo përpjekje e Isa Mustafës për qërim hesapesh politike me fyerje e nënçmime ndaj prijësve të Vetëvendosje!-s disi edhe do të durohej sikur ai në këtë përpjekje të mos kishte inkuadruar edhe Policinë e Kosovës, edhe dhunën shtetërore! Në televizione po shohim e në gazeta po lexojmë se Policia e Kosovës po i burgos anëtarët e Vetëvendosje!-s dhe si e për çka po i burgos se: po i burgos për shkak të parullave që po shkruajnë në rrugë! Po i burgos për shkak të parullave që po ua gjen në bagazhin e veturave! Po i burgos sepse po thonë çka Isa Mustafa nuk do që të dëgjohet në Kosovë!

Për shkrim të parullave nuk është burgosur dhe nuk burgoset sot askush në Evropën demokratike. Jo. Për shkrim parullash të rinjtë tanë i burgosnin pushtetarët paraardhës të Millosheviqit e, në mënyrë të veçantë, të Millosheviqit. Ç’është e vërteta, policët e Millosheviqit nuk i burgosnin të rinjtë tanë për çdo parullë: i burgosnin më së shpeshti për parullën Kosova Republikë. E Isa Mustafa po i burgos të rinjtë e Vetëvendosje!-s për shkak të parullës ‘Zajednica’ e Komunave Serbe Republikë!

Se si po e përdor dhunën shtetërore Isa Mustafa u pa edhe më qartë me burgosjen e një të riu, i pa farë shkollimi, po thuhet, e i pa farë pune, po thuhet, i quajtur Alban Morina.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, arriti t’ua mbushë mendjen ministrit të Punës dhe të Mirëqenies Sociale, pra të Punës dhe të Mirëqenies Sociale dhe, njëkohësisht, zëdhënës i Qeverisë së Isa Mustafës, Arban Abrashi dhe të birit të tij Besnik Mustafa, që të paraqesin fletëdenoncim ndaj të riut Alban Morina, sepse i paska kërcënuar: të parin duke thënë se revolucioni që do të ndodhë (pa thënë natyrisht as kur e as prej kujt do të organizohet) do ta varë në semafor, kurse të dytit duke i thënë se do ta djegë me naftë a me benzinë (nuk e mbajta mend se me çka)! Kryeministri Isa Mustafa arriti t’ia mbushë mendjen edhe prokurorit për ta shpallur dyfish të rrezikshëm Alban Morinën dhe për ta kërkuar burgosjen e tij të shpejtuar. Shpejt, aq shpejt, sa mos e thëntë zoti të ishin sendërtuar ato kërcënime komike, banale, Policia e Kosovës, e urdhëruar prej ministrit të Isa Mustafës, Skënder Hysenit, do t’i turret shtëpisë së të akuzuarit Alban Morina, do t’i turret në terrin e mesnatës, pa kurrfarë dokumenti autorizues as në dorë as në xhep, do të shqetësojë të madh e të vogël, burrë e grua, dhe me procedurë hitno do ta çojë atje ku në kohën e Millosheviqit dhe të Qeverisë së Kosovës, në të cilën Isa Mustafa ishte ministër në vitin 1989-1990, janë dërguar të rinjtë tanë të pafajshëm: do ta çojnë në burg! I burgosuri me procedurë të shpejtuar, si të ishte vrasës, Alban Morina, me procedurë të shpejtuar si të ishte vrasës madje do të gjykohet. Ky krim qeveritar, prokurorial dhe gjyqësor u arsyetua në mënyrë banale: me tre muaj burg për Alban Morinën!

Burgosjen, gjykimin dhe dënimin e të riut Alban Morina në një mënyrë që kemi menduar se e kemi çuar në kujtesën historike prokurori dhe gjykatësi e arsyetuan duke thënë se ashtu kanë vepruar edhe në raste të tjera. Këtë që e thanë ata nuk e dëshmuan me raste! Po e jap vetëm një shembull që dëshmon se ata s’kanë vepruar siç pohuan. Delikuenti i gazetarisë sonë, i cili për delikte në gazetari, për fyerje e kërcënime që u bënte viktimave të tij kryesisht intelektualë, as nuk u emërua prej prokurorit, as nuk u mor prej policisë, e as nuk u gjykua prej gjyqit të Prishtinës pse para disa muajsh i ftoi lexuesit të ushtrojnë dhunë, domethënë të likuidojnë një publicist e shkrimtar! E kuptueshme: nuk kishte kush të kërkonte as prej ministrit të Rendit Publik, Skënder Hysenit, as prej prokurorit e as prej Gjykatës së Prishtinës që të merrnin masat as me procedurë të shpejtuar e as me procedurë të ngadalësuar për ta parandaluar kërcënuesin që ta sendërtojë kërcënimin e tij!

Ja e këtillë është bërë Kosova jonë e kryeministruar sot prej Isa Mustafës, ish-zyrtarit, ish-ministrit në kohën e dhunës e terrorit të Millosheviqit në Kosovë!

E këtillë po ndodh të bëhet policia e ministruar sot prej veprimtarit të LDK-së, Skënder Hysenit, të cilin gjithmonë e kam perceptuar si person politik të qetë, të matur, të arsyeshëm!

E këtillë është prokuroria jonë sot!

E këtillë është gjykata jonë sot!

Polici, prokurori, gjykata me të cilat, siç u pa, bën çka dëshiron kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.

E nuk do të duhej të bëhej i tillë as Skënder Hyseni, as prokurori. E nuk do të duhej të bëheshin të tillë as policia e as gjykata. Jo. Edhe Skënder Hyseni, edhe prokuroria, edhe policia, edhe gjykata janë të Kosovës, të popullit të Kosovës. Edhe Skënder Hyseni, edhe prokurori, edhe policia, edhe gjykata për të mirë të Kosovës, të popullit, duhet të dinë t’u thonë jo, jo, jo dhunëtarëve politikë e shtetërorë kur duan t’i përdorin për punët e veta të pista apo të papista, por personale.

Por, nuk janë të dhënat e sipërtheksuara të vetmet të dhëna që dëshmojnë se sa kundërdemokratike dhe se sa agresive është politika e kryeministrit të sotëm të Kosovës, Isa Mustafa.

Pamë, dëgjuam e lexuam se Qeveria e Isa Mustafës ia dha një tender të birit të vet, Besnik Mustafës! Në ligjet e Kosovës dhe të të gjitha vendeve demokratike një veprim i tillë quhet konflikt interesi. Prokuroria e Kosovës, Gjyqësia e Kosovës e dëgjon, e shikon, e hesht këtë lajm!

Edhe më parë, Isa Mustafa, duke qenë kryetar i kryeqytetit të Kosovës, dhe kryetar i LDK-së u zgjodh anëtar korrespodent e, mandej, anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës! Nuk ka dyshim se ky ishte një konflikt i rëndë interesi, domethënë një shkelje e rëndë e ligjit! Dhe këtë shkelje të rëndë të ligjit, e heshtën institucionet shtetërore të Kosovës, e heshti Qeveria e atëhershme, e heshti Kuvendi i atëhershëm, e heshti Prokuroria e atëhershme, e heshti Gjyqi i atëhershëm përkatës!

Pse? Pse e heshtën? Sepse kishte një logjikë kundërlogjike, kundërdemokratike dhe të pamoralshme në këtë heshtje, që bazohej në mënyrën e sjelljes së tyre pushtetore: ne po e heshtim drejtimin e paligjshëm të ASHAK-ut prej një grupi i cili tani e njëzet vjet e ka bërë shtëpi private atë institucion, ne po e heshtim konfliktin e rëndë të interesit të kryetarit të Prishtinës dhe të kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës sepse edhe ata do t’i heshtin konfliktet tona të interesit, privilegjet tona të paligjshme, pasurimet tona korruptive!

Këto të bëra kundërdemokratike, kundërligjore të Isa Mustafës, i heshtën plotësisht edhe pjesa më e madhe e medieve tona!

E një person i tillë s’ka profil të ligjshëm për të qenë as kryeministër i Qeverisë së Kosovës, madje as në politikën e Kosovës. Ai duhet të largohet vullnetshëm a detyrueshëm prej qeverisë dhe prej politikës në Kosovë. Këtë e kërkojnë interesat e përtashme dhe historike të Kosovës.

Marrëveshja për demarkacion me Malin e Zi

Ky pushtet nënshkroi edhe marrëveshjen për demarkacion me Malin e Zi, ku pati shumë reagime nga opozita, sidomos nga banorët e Rugovës së Pejës. A ishte gabim i Qeverisë sonë që nënshkroi këtë marrëveshje përderisa banorët thanë se po i falen 12 mijë hektarë tokë shtetit fqinj?

Qosja: Nuk ka dyshim se Qeveria e Kosovës këtë marrëveshje për demarkacion me Malin e Zi nuk e ka nënshkruar me qejf. Por, nuk ka dyshim se pala kosovare nuk ka bërë krejt çka do të duhej të kishte bërë për të mos e nënshkruar. Qeveria e Kosovës, sa di unë nuk e ka organizuar farë shqyrtimi më të gjerë, me studiues shkencorë dhe historikë të kësaj çështjeje.

Marrëveshjet për caktimin e ricaktimin e kufijve mes shteteve kurrë dhe kurrkund nuk janë nënshkruar dhe nuk nënshkruhen lehtë e shpejt: nuk janë nënshkruar dhe nuk nënshkruhet pa kaluar më shumë vite dhe pa u bërë, gjatë atyre shumë viteve studime për historinë, gjeografinë, etnologjinë, kulturën, përbërjen e popullatave afërkufitare të shteteve që duan të caktojnë a ricaktojnë kufijtë.

Nuk e kam dëgjuar në televizion e nuk e kam lexuar në gazeta togfjalëshin kufij gjeografikë a kufij natyrorë edhe pse mund të mos kem të drejtë.

Historia dhe bashkëkohësia na tregojnë se pjesa më e madhe e kufijve messhtetërorë në Evropë janë kufij të quajtur gjeografikë; përjashtim bëjnë, natyrisht, shtetet rrafshore apo pjesët rrafshore në të cilat janë caktuar kufij midis tyre.

Siç shihet, kufijtë midis Shqipërisë dhe shteteve fqinje në pjesën më të madhe të tyre janë kufij gjeografikë. Me këtë nocion, domethënë me nocionin gjeografikë, gjeografi dhe etnografi i njohur serb, Jovan Cvijiqi, ka arritur që kryetarit të lavdishëm amerikan në Konferencën e Paqes në Versajë në vitin 1919, Vudro Uilson, t’ia mbushë mendjen që Kosova, Lugina e Plavës dhe e Gucisë dhe vise të tjera me popullsi në tërësi shqiptare a shumicë shqiptare t’i mbesin Serbisë dhe Jugosllavisë.

Kufij gjeografikë ishin edhe kufijtë midis Shqipërisë dhe Malit të Zi,

Rrjedhimisht, kufij të zbatuar si gjeografikë, atëherë të pacaktuar zyrtarisht, do të jenë pas vitit 2013 edhe kufijtë mes Malit të Zi dhe Kosovës.

Si nxënës i Normales së Prishtinës duke filluar prej vitit 1954 e, mandej, si student i Gjuhës dhe i Letërsisë Shqipe në Fakultetin Filozofik të Prishtinës, së paku dymbëdhjetë herë, me shokë të tjerë nxënës të Normales dhe studentë të Fakultetit Filozofik, e kemi kaluar në këmbë, gjatë muajit janar rrugën prej Pejës e deri në Vuthaj e Martinaj dhe, mandej, prej Vuthajve e Martinajve deri në Pejë, që kalon nëpër Qafën e Diellit, afër së cilës është Çakorri. Meqenëse ajo rrugë në kohën dimërore nuk mund të kalohej për një ditë, ne ishim të detyruar të kalonim natën në Kuqishtë, afër Bjellushës, ku ishte një shtëpi sa më kujtohet, e bërë për pushime të alpinistëve e, ndoshta, edhe të udhëtarëve që udhëtonin prej Luginës së Plavës e Gucisë e deri në Pejë. Kufi midis Kosovës dhe Malit të Zi atëherë ishte vija e Qafë Qiellit e Çakorrit, që shtrihej unë nuk mund ta di edhe sa kilometra drejt në të djathtë e në të majtë të tyre. Në anën e Malit të Zi ishte fshati i quajtur Velikë, në të cilën ishin jo shumë shtëpi në pjesën e poshtme të saj.

Në anën e Kosovës shpatijet që shtriheshin deri në Kuqishtë, në të vërtetë deri në Bjelluhë, ishin dhuruar me rudina e me pyje – një pjesë e madhe, në të cilat mbizotëronin bredhat dhe molikat. Në rudina kishte shumë tëbana, shumë bagëti, kryesisht dele.

Gati e tillë ishte gjendja edhe te Kulla.

Unë nuk e di se çfarë kufijsh janë caktuar midis Kosovës dhe Malit të Zi në vitin 1974, kur është miratuar Kushtetuta e njohur e atij viti, me të cilën Kosova mbetej nën sovranitetin e Serbisë, por në të njëjtën kohë, me Vojvodinën, janë bërë, elemente, pra elemente, të quajtura konstitutive të Federatës. Në qoftë se midis Malit të Zi dhe Kosovës atë vit është caktuar kufiri, e pala malazeze po thotë se është caktuar, shtrohen dy pyetje: e para, a ka marrë pjesë kush prej kosovarëve, shqiptarëve, në caktimin e atij kufiri dhe, e dyta, a kishte karakter shtetëror caktimi i atij kufiri? Unë s’i di sot përgjigjet në këto dy pyetje, por pavarësisht prej këtij fakti, mund të them se nuk është i ligjshëm kufiri që caktojnë një republikë e një autonomi, përkatësisht dy republika të një federate, duke shkelur kufirin natyror gjeografikë, që ka vlejtur prej vitit 1913, që ka vlejtur, në të vërtetë edhe para atij viti.

Tradita historike dhe gjeografia e bëjnë të padrejtë, prandaj edhe të paligjshme marrëveshjen e demarkacionit të tanishëm midis Kosovës dhe Malit të Zi.

Nuk ka dyshim se pajtimi me formimin e Gjykatës së Veçantë të Hagës, Marrëveshja për krijimin e Bashkësisë së Komunave Serbe dhe Marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi janë tri dhurata të zeza, që kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ia dhuroi Kosovës vetëm brenda disa muajve të kryeministrimit të tij. Fatkeqësisht nuk është i vogël numri i veprimtarëve tonë politikë që vetëm tani, pas këtyre “dhuratave”, po kuptojnë se kancelarja gjermane, Angela Merkel, aq shumë këmbëngulte që, pas zgjedhjeve të fundit, qeveria e ardhshme e Kosovës të krijohet prej PDK-së, si fituese e atyre zgjedhjeve dhe prej LDK-së. Po kuptojmë tani njëkohësisht pse me aq përzemërsi i priti ajo ujarin e Sheshelit dhe të Millosheviqit, kryeministrin e sotëm serb, Aleksandër Vuçiq dhe zyrtarin ministror në Qeverinë e Kosovës të vitit 1989-1990, e cila e quante aq të rëndësishme gjendjen e jashtëzakonshme me të cilën “do të luftohej nacionalizmi dhe irredentizmi shqiptar”, Isa Mustafën. Në sajë të përvojës së madhe historike politike gjermane ajo e dinte mirë se mëkatarët e djeshëm bëhen shumë të dëgjueshëm dhe shumë të përtokshëm sot.

Opozita dhe opozitari

Ju nga fillimi e keni kundërshtuar këtë koalicion dhe keni qenë shumë kritik. Opinioni ka një përshtypje se ju jeni i afërt me PDK-në dhe kritikat e juaja për koalicionin PDK – LDK nuk janë pritur edhe aq mirë nga zyrtarët e PDK-së. Qëndrimet tuaja tashmë që po i jepni i përkasin gjuhës së opozitës. A do të thotë kjo se ju po pozicionoheni në krah të opozitës?

Qosja: Sikur t’i kishit parasysh librin tim Demokracia e shpërdorur, të botuar në vitin 2005 dhe librin tjetër Shqipëria dhe Kosova – si janë dhe si do të duhej të jenë, të botuar më 2013, besoj se nuk do të më pyesni: mos këto që po them tani duan të thonë se po pozicionohem në krah të opozitës, por do të më pyesnit: mos opozita tashmë po pozicionohet në krah timin? Nuk ka nevojë të theksoj se s’jam identifikuar me asnjë parti. Por, e them se unë deri sot kam përkrahur dhe do të përkrah ata që janë sakrifikuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, e kjo domethënë pjesëtarët e UÇK-së. Meqenëse numri më i madh i tyre janë në PDK, në AAK, në Vetëvendosje! dhe tani në Nismën për Kosovën unë objektivisht nuk mund të mos mendoj për to e të mos sillem ndaj tyre më përkushtueshëm se ndaj partive që janë formuar në vitet nëntëdhjetë e që e dimë se sa hiçgjënë e kanë bërë për Kosovën. Duhet ta them njëkohësisht se mbas zgjedhjeve të fundit, por në disa raste të veçanta edhe më përpara PDK-ja e humbi rrugën e vet historike. Dhe unë këtë po e them.

Megjithëse nuk pajtohem me disa veprime e disa heshtje të Vetëvendosje!-s, unë them: pa Vetëvendosje!-n, pa djemtë dhe vajzat e saj, Kosova do të bëhej një bërrakë politike në të cilën do të majmeshin pandalshëm ata që edhe deri sot janë majmur pamatshëm, bërrakë politike në të cilën do të shtoheshin të këqija të ndryshme që i heshtin të tjerët.

Unë vazhdoj dhe do të vazhdoj deri sa të mund ta mbaj lapsin në dorë të jem kundër politikës që me gjuhën, me masat apo me heshtjen e saj i ka bërë pothuaj të ligjshme shumë të këqija në Kosovë: do të jem kundër kthimit të shtetit të Kosovës në shtet privat të disa grupeve politike; kundër qeverisë, që në çdo vend demokratik është organ zbatimor (ekzekutiv) e jo sipëror i Kuvendit, e cila e kthen atë Kuvend, në rivotim antikushtetues, në të vërtetë kolonial, siç e ktheu me rastin e “votimit” të dytë të detyruar për krijimin e Gjykatës së Veçantë; kundër rrenave e mashtrimeve, që janë bërë politikë e ideologji shtetërore sot; kundër vjedhjeve e plaçkitjeve të pasurisë shoqërore; kundër korrupsionit, me çka janë bërë milionerë të disafishtë jo pak zyrtarë të lartë; kundër privilegjeve shkëlqyese të atyre, duart e të cilëve arrijnë e bëjnë çka duan e si duan në institucionet shkencore siç është ASHAK-u, në institucionet e larta arsimore siç janë universitetet publike e private; kundër pandëshkueshmërisë së pushtetarëve që shkelin ligjin; kundër kthimit të administratës dhe diplomacisë së Kosovës në administratë e diplomaci të nipave e dajave, shokëve e miqve; kundër atyre medieve të quajtura portale, tv a gazeta, detyrë e të cilave është që ta shkretërojnë, marrëzojnë trurin e qytetarëve me gjithfarë ndotësish, që të hedhin baltë në fytyrat e kritikëve të regjimit, që ta ushqejnë popullin me rrena, mashtrime, shpifje, servilizëm përulës, që me të gjitha këto e të tjera si këto janë bërë, si e tha një i huaj “ligji ynë, shteti ynë, poshtërimi ynë”.

Pronarët e këtyre medieve i ushqejnë familjet e tyre, pronarët e këtyre medieve i krijojnë bizneset e tyre me paratë e fituara poshtër duke besuar se dora e drejtësisë, e ligjit dhe e nderit të mbrojtur të të përndjekurve të tyre nuk do t’i zërë kurrë!/epokaere.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme