Anëtari i Kryesisë së Aleancës Kosova e Re (AKR), Naim Maloku, beson fuqishëm në rikthimin e kësaj partie në skenën politike.
Ai ka deklaruar se fuqizimin e këtij subjekti politik do ta ndihmojnë bllokadat politike që subjektet aktuale politike ia kanë shkaktuar vendit pas zgjedhjeve.
Në këtë intervistë për “Epokën e re”, Maloku ka vlerësuar se po të ishte kjo parti pjesë e Kuvendit të Kosovës nuk do të ndodhnin këto bllokada. “Mendoj se është koha e AKR-së. Në këta dy vjet një numër i madh i elektoratit e ka kuptuar se sa e rëndësishme do të ishte prania e AKR-së në Kuvendin e Kosovës. Besoj se, po të kishim qenë brenda Kuvendit, nuk do të ndodhte kjo bllokadë që kemi aktualisht. Jam i bindur se AKR-ja do të jepte ndikim shumë pozitiv për zhbllokimin e situatës politike prej mbajtjes së zgjedhjeve e deri më sot”, ka thënë Maloku.
Ai ka bërë me dije se, nëse tash mbahen zgjedhjet e përgjithshme, kalimi i pragut zgjedhor nuk do të vije në shprehje për AKR-në. “Duke u bazuar në vullnetin dhe dëshirën e qytetarëve, jam shumë i bindur se, në qoftë se tani mbahen zgjedhjet, nuk do të vijë në pikëpyetje kalimi i pragut zgjedhor. Këtë e tregojnë edhe sondazhet të cilët nuk i kemi bërë ne. Këto sondazhe, që të tjerët i kanë bërë, AKR-në e nxjerrin mbi 7 për qind”, është shprehur ai. Sipas Malokut, rikthimi i AKR-së në institucione do të ndodhte për shkak të programit ekonomik që ka. “Mendoj se do të rikthehet elektorati në AKR sepse do të shohë një mundësi të orientimit të duhur për vendin. AKR-ja është një parti që mbi 90 për qind të programit të saj e ka program ekonomik. Një program ekonomik të tillë e ka pasur në të gjitha fushatat zgjedhore. Gjithashtu, edhe sa i përket bashkimit kombëtar, kur z. Pacolli ka qenë president i Kosovës. Z. Pacolli bashkimin kombëtar e ka parë përmes lidhjes ekonomike. Ju i dini idetë e tij që i ka promovuar për këtë çështje”, ka thënë Maloku. Më tutje, ai ka deklaruar se edhe idetë për ndryshimin e emrit të këtij subjekti politik janë duke u diskutuar, por deri më tani nuk është vendosur asgjë.
Lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka paralajmëruar fuqizimin e këtij subjekti politik. Ju, z. Maloku, sa besoni në këtë rikthim?
Maloku: Duke marrë parasysh situatën politike që po mbretëron tani në Kosovë, pra bllokimin e Kuvendit, duke mos lëshuar pe as pozita dhe as opozita, mendoj se është koha e AKR-së. Në këta dy vjet një numër i madh i elektoratit e ka kuptuar se sa e rëndësishme do të ishte prania e AKR-së në Kuvendin e Kosovës. Besoj se po të kishim qenë brenda Kuvendit nuk do të ndodhte kjo bllokadë që kemi aktualisht. Jam i bindur se AKR-ja do të jepte ndikim shumë pozitiv për zhbllokimin e situatës politike prej mbajtjes së zgjedhjeve e deri më sot.
Sa do të jetë i vështirë fuqizimi i kësaj partie, kur prej mbajtjes së zgjedhjeve të fundit parlamentare ka qenë shumë pasive me aktivitete?
Maloku: Ne nuk kemi qenë edhe aq pasivë. Kemi qenë goxha aktivë në Pejë, pastaj kemi qeverisur dhe jemi aktivë në Mitrovicë dhe në Gjakovë. Po ashtu, në Dardanë e kemi një degë të fuqishme. Kemi efekte mjaft pozitive nga qeverisja në Mitrovicë dhe Gjakovë, ku kemi investime të ndryshme. Dy-tre hidrocentrale janë në ndërtim e sipër në Mitrovicë, gjithashtu është fabrika e kërpudhave atje. Në të veç janë punësuar një numër i punëtorëve. E rëndësishme për AKR-në është se nuk kemi afera të korrupsionit në dy komunat që qeverisim. Gjithashtu, në Gjakovë janë bërë dy investime të jashtme domethënëse, ku prodhimet e tyre shkojnë direkt në eksport. Pra, është krijuar një bazë e mirë që AKR-ja të marrë mbështetje në riorganizimin e saj. Jemi në terren shumë aktivë dhe po punojmë me elektoratin në gjithë Kosovën. Besoj se tani është koha për një riparaqitje të AKR-së në skenë në mënyrë më të fuqishme.
Z. Pacolli ka paralajmëruar edhe ndërrimin e emrit të këtij subjekti. Mund të ndikojë në fuqizimin e AKR-së?
Maloku: Në Kosovë deri më tani ka pasur shumë parti liberale dhe ka ende. AKR-ja është anëtare e liberalë demokratëve evropianë, krahas Partisë Liberale të cilën e drejton z. Gjergj Deda. Pra, prej fillimit programi politik i AKR-së ka qenë liberal. Edhe para zgjedhjeve të kaluara ka pasur ide të ndryshme që ky subjekt ta ndërrojë emrin e të bëhet si parti liberale, meqenëse programi dhe struktura e brendshme e partisë ka qenë liberale. Kjo është një ide për të cilën do të vendosë Këshilli i Përgjithshëm i AKR-së.
A do të thotë kjo se ju e keni propozuar këtë emër, meqenëse dikur keni udhëhequr një parti me këtë emër?
Maloku: Nuk e kam prezantuar këtë emër, por natyrisht se edhe unë kam dhënë idetë e mia. Idetë për ndryshimin e emrit unë i kam gjetur brenda AKR-së, kur kam aderuar në këtë subjekt politik. Të gjitha aktivitetet e mia kanë qenë në funksion të frymës liberale. Menjëherë pas luftës kam udhëhequr Partinë Qendra Liberale, pastaj jam bashkuar me AAK-në, sepse në fillim AAK-ja ka qenë parti liberale, duke anuar kah e djathta liberale. Edhe tash jam në parti liberale. Unë i jam bashkuar AKR-së për këtë çështje. Po ashtu, edhe gjatë luftës mediet e huaja kanë shkruar për mua se kam qenë krahu liberal i udhëheqësve të UÇK-së. Për momentin nuk do të thosha se do të ndryshojë emri i AKR-së. Kjo varet nga vendimi i Këshillit të Përgjithshëm.
Në çfarë e bazoni bindjen tuaj se AKR-ja do të kthehet atje ku ishte dikur, në skenën politike të vendit?
Maloku: Duke u bazuar në vullnetin dhe dëshirën e qytetarëve, jam shumë i bindur se në qoftë se tani mbahen zgjedhjet, nuk do të vijë në pikëpyetje kalimi i pragut zgjedhor. Këtë e thonë edhe sondazhet të cilët nuk i kemi bërë ne. Këto sondazhe e nxjerrin AKR-në mbi 7 për qind. Pra, mendoj se do të rikthehet elektorati në AKR, sepse do të shohin një mundësi të orientimit të duhur për vendin. AKR-ja është një parti që mbi 90 për qind të programit të saj e ka program ekonomik. Këtë e ka pasur në të gjitha fushatat zgjedhore. Edhe sa i përket bashkimit kombëtar, kur z. Pacolli ka qenë president i Kosovës, bashkimin kombëtar e ka parë nëpërmjet lidhjes ekonomike. Ju i dini idetë e tij që i ka promovuar për këtë çështje.
Shpeshherë gjatë kësaj kohe është folur edhe për ndryshimet e mundshme në krye të kësaj partie. Mund të ketë ndonjë ndikim kjo garë?
Maloku: Pas zgjedhjeve nacionale, z. Pacolli pati paralajmëruar se ai do të tërhiqet nga pozita e presidentit të partisë, që në mënyra të tjera ta ndihmojë partinë. Pastaj, pas kësaj u krijua njëfarë mendimi se atë duhet ta pasojë znj. Kusari-Lila, sepse ishte nënkryetare e parë dhe kishte një autoritet të mirë në elektorat. Më pas ka pasur edhe individë të tjerë që kanë shprehur dëshirë ta sfidojnë znj. Kusari-Lila. Këto kanë qenë vetëm ide, që nga dikush janë interpretuar si përçarje. Unë ju them se këto kanë qenë vetëm lobime të brendshme normale për një parti kur mendohet të ndërrohet lideri. Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Përgjithshëm të AKR-së nuk kishte përkrahje ideja që z. Pacolli ta lë postin e presidentit të partisë dhe ashtu u mbyll kjo mbledhje. Tash varet se si do të vendoset, por këto pretendime unë i shoh si garë normale të individëve brenda partisë. Kjo besoj se është e shëndetshme për raportet e brendshme partiake.
Yamal: Nuk ka rëndësi kush është në finale, ne duam titullin
Deklaratat e Trump për Groenlandën, OKB: Sovraniteti dhe int...
Mbi 1.5 milion njerëz mbesin pa energji elektrike në Kalifor...
Gjesti fut dy produksionet në “sherr”- BBVK paralajmëruan se...
Napoli interesohet për Zhegrovën, mirëpo Lille nuk e lëshon ...
Katër thasë me monedha ari dhe argjendi gjenden të fshehura ...