Krasniqi: Kemi qasje në treg prej 500 milionë konsumatorësh

12:30 | 13 Qershor 2016
Arbresh.info

Në një intervistë ekskluzive për Arbresh.info, Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi, ka folur për shumën e subvencionimit direkt të planifikuar për këtë vit. 

Sipas tij, Ministria e Bujqësisë do të fillojë të merret edhe me aktivitete të reja siç është bujqësia organike dhe akuakultura apo kultivimi i peshkut.

Ministri i Bujqësisë foli edhe për rritjen e eksportit në vitin e kaluar, por sipas tij, prioritet tash për tash është zgjidhja e problemit të importit.

Ndërsa sa i përket kritikave të OJQ-ve për favorizim të rajonit të  Skenderajt dhe Drenasit me subvencione, ministri thotë se një gjë e tillë nuk qëndron.

Krasniqi si një ndër figurat kryesore të Partisë Demokratike të Kosovës, ka folur edhe për zgjedhjen e kryetarit të ri të partisë, duke cekur se pavarësisht ndërrimit të kreut të PDK-së, ajo do të vazhdojë të jetë partia e parë në Republikën e Kosovës.

Arbresh.info;  Ku po i drejtoni subvencionet, për çfarë kulturash bujqësore dhe pse?

Krasniqi: Programi i pagesave direkte apo subvencioneve siç njihen ndryshe, është një program që është rritur nga viti në vit në kultivimin e numrit të kulturave dhe të aktiviteteve bujqësore, të cilat i mbështesim.

Ne në këtë vit kemi planifikuar 23 milion euro për subvencionim direkt të fermerëve dhe realisht kemi arritur ta zgjerojmë gamën te çdo lloj i kultivimit, duke përfshirë drithërat siç është gruri si kulturë strategjike, pastaj misri dhe bimët industriale si lule dielli. Këtu përfshihen të gjitha llojet e pemëve, përfshirë ato drufrutor dhe manure, kultivimin e perimeve në fushë të hapur, pastaj subvencionimin në blegtori të lopëve qumështore, deleve, të dhive, gjithashtu raportimin e therjeve, duke vazhduar edhe tek aktivitetet e reja për këtë vit që përfshijnë bujqësinë organike, akuakulturën apo kultivimin e peshqve.

Do të thotë është me të vërtetë një program ambicioz, me përmasa më të gjera se shumica e vendeve të rajonit, por edhe si shumë, realisht jemi më mirë se shumë vende të Ballkanit Perëndimor, nëse  konsiderohet shuma për kokë banori. Gjithsesi ne mendojmë në shtimin e rritjes së buxhetit, vitin e kaluar i kemi rritur të gjitha shumat e subvencioneve.

Sivjet e kemi rritur shumen e subvencioneve për bletarinë , 10 deri në 15 euro për koshere dhe mendojmë se si program ka qenë tepër i rëndësishëm, veçanërisht të kuptimin e mirëmbajtjes së punës dhe gjenerimit të të hyrave familjare.

Arbresh.info: Sipas Statistikave të OJQ-ve, ministria e juaj pjesën më të madhe të subvencioneve po i drejton në Skenderaj dhe Drenas. Ka pasur ankesa edhe nga fermerët e Rahovecit, pse?

Krasniqi: Një konstatim i tillë nuk qëndron, e dyta edhe sikur të ishte e vërtetë, një gjë e tillë do të ishte qasje shumë diskriminuese dhe paragjykuese nga cili do rajon, në fakt e vërteta është që mjetet e shumta ndahen për komunën e Rahovecit çdo vit qoftë tek subvencionet por edhe tek grantet, sepse është e kuptueshme që numri më i madh i aplikuesëve vjen nga Rahoveci.

Pastaj është një garë e hapur siç thuhet për vend të dytë, mes komunave si Skenderaj, Istog, Ferizaj, Podujevë dhe disa të tjera, të cilat nga viti në vit e kanë rritur numrin e aplikuesve dhe përfituesve.

Një gjë duhet të jetë e qartë sa ju përket subvencioneve dhe jo për grantet. Subvencionet i marrin të gjithë aplikuesit që i plotësojnë kriteret, vetëm ata të cilët tentojnë të mashtrojnë me aplikimet e tyre, në kuptimin e sipërfaqes së deklaruar apo krerëve të deklaruar, sanksionohen komfor udhëzimeve administrative vjetore  që bazohen  në ligjin për bujqësi dhe zhvillim rural. Të gjithë të tjerët i marrin subvencionet apo pagesat direkt.

Po ashtu vlen të theksohet se këtë vit e kemi bërë një amnisti të plotë të të gjithë fermerëve që kanë qenë në të ashtuquajturën “listën e zezë”. Në faza të ndryshme në 2 -3 vitet e fundit, janë gjetur tentimet për të mashtruar. Këtë vit kemi një fillim, një përfshirje të plotë të të gjithë fermerëve aplikues, të cilët kanë aplikuar dhe tashmë janë në fazat e vlerësimit të aplikacioneve për pagesa direkt,   po ashtu edhe për grantet që janë pjesë e programit për zhvillim rural.

Do të isha shumë i lumtur nëse Organizatat Joqeveritare do te merreshin me analizën e sektorit të bujqësisë. Për fat të keq përveç OJQ-ve, që janë asociacione përfaqësuese të fermerëve, deri tash mos të them fare, por pothuajse askush nga shoqëria civile nuk është marrë me bujqësinë dhe nuk merret ne mënyre të vazhdueshme, në kuptimin e monitorimit të sektorit të bujqësisë.

Arbresh.info: Sa janë të kënaqur fermerët e vegjël me ndarjen e subvencioneve, pasi që ka pasur ankesa që këto subvencione shkojnë vetëm tek fermerët e mëdhenj?

Krasniqi: Për këtë duhet ti pyesni fermerët mirëpo, subvencionet janë pagesa direkte që u japin të gjithëve që dëshmojnë për atë që kanë aplikuar, ndërsa grantet janë proces konkurrues, i cili është 100%  transparent dhe i hapur dhe është proces konkurrues, sepse aty përfitues shpallen atë të cilët arrijnë numër më të madh të pikëve , komfor buxhetit në masa të caktuara.
Tani normalisht, ta zëmë tek pemëtaria, fermerët që aplikojnë në sipërfaqe më të madhe marrin pikë më shumë dhe janë më të favorizuar në selektime si përfitues potencial, sepse procesi është i bazuar në politikat e IPARD-it, të cilat janë politika të BE-së dhe si qasje aplikohet programi edhe në shtetet e BE së.

Grantet kanë qasje zhvillimore, bujqësia në Kosovë nuk mund të zhvillohet me pemishte, 20 ari as 50 ari as 1 hektar. Kjo gjë duhet të zhvillohet prej atyre që krijojnë ekonomi të shkalles. Për ne, prioriteti apo objektivi kryesor është rritja e prodhimtarisë e cila pastaj ka si efekt zëvendësimin dhe zvogëlimin e importeve që janë ende tepër të mëdha, po ashtu edhe stimulimi i atyre sektorëve dhe produkteve të cilat kanë potencial eksportues.
Në këtë kuadër normalisht që fermat apo  fermerët që kanë potencial më të madh në programin e zhvillimit rural, janë më konkurrues, por në anën tjetër nuk duhet harruar që ne i kemi lehtësuar kriteret edhe për fermerë të mesëm dhe të vegjël.

Këtë vit në sektorin e qumështit, kemi zvogëluar kriterin e posedimit të lopëve nga 15 sa kanë qenë vitin e kaluar, në 10 lopë për qumështore, në mënyrë që ti ndihmojmë fermerët e vegjël dhe të kenë mundësi të përfitojnë nga grantet e Ministrisë.

Arbresh.info: A pritet të ketë rritje të eksportit, pasi që shumë prodhues kanë pasur problem me këtë çështje?

Krasniqi: Normalisht që ka pasur rritjëe graduale në vitin e kaluar është rritur për 6 %,  ne besojmë që ky trend i rritjes do të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme, veçanërisht në ato kultura dhe në ato produkte të cilat kanë një mbështetje komplete edhe nga programet e ministrisë. Ju e dini që suksesi i kulturës së mjedrës është evident, si shembull para 3 viteve kemi pasur 30 hektar me mjedra në Kosovë, në vitin e kaluar kemi pasur prodhimtari 400 hektarë, ndërsa në këtë vit pritet t’i kemi 1000 hektarë  prodhimtari.

Mbi 95 % e prodhimit të mjedrës në Kosovë i dedikohet tregjeve të huaja pra eksportohet. Vet ky fakt dhe zhvillim i këtij nënsektori, tregon që eksporti do të jetë në rritje. Në këtë fazë objektivi ynë primar nuk është eksporti por zëvendësimi i importeve Janë mbi 400 milionë euro që Kosova dhe konsumatorët e Kosovës i blejnë çdo vit, prodhime ushqimore por edhe prodhime bujqësore, kështu që qëllimi ynë është që kjo të zvogëlohet.

Arbresh.info: MSA ja ka hapur dyert tashmë edhe për prodhuesit e Kosovës. Sa kanë mbështetje nga ju këta prodhues?

 Krasniqi: Natyrisht Marrëveshja e Stabilizim Asociimit është jashtëzakonisht e rëndësishme për ekonominë e Kosovës dhe për prodhuesit e Kosovës. Tashmë kemi qasje me një treg me mbi 500 milion konsumatorë, pa pasur barriera doganore të cilat kane ekzistuar në të kaluarën, dhe produktet tona nuk janë bërë konkurruese.

Mbi 2500 produkte të ndryshme bujqësore dhe ushqimore tash mund të prodhohen në Kosovë dhe mund të shiten të barabarta në tregjet e Evropës.

Tashmë në komunikimet tona të vazhdueshme me fermerët dhe me agrobiznese vendit tonë, tashmë kanë filluar t’i vijnë kontratat e para të reja për prodhimet nga Kosova që tani kanë mundësi të gjenden në tregjet Evropiane. Pikërisht për shkak të lehtësimit ndërmjet Kosovës dhe BE-së.

FOTO 0118

Arbresh.info: Pas gjithë këtyre lehtësimeve, a janë të interesuar të rinjtë për bujqësinë?

Krasniqi: Është shumë e mirëseardhur dhe shume e veçantë që nga viti në vit kemi rritje të interesimit të të rinjve dhe të rejave në Kosovë, që dëshirojnë të merren me bujqësi dhe ne i vërejmë më së miri përmes konkurrentëve në programin për zhvillimin rural, për përfitim të granteve.

Deri sa në shumicën e vendeve të BE së por edhe në rajon ky trend është negativ sepse të rinjtë nuk duan të merren më bujqësi , në Kosovë e kemi një trend pozitiv dhe mendoj që shpjegimi është i thjeshtë. E para është papunësia tek të rinjtë e cila është mjaft e madhe. Bujqësia ofron një potencial  jashtëzakonisht të madh për të krijuar biznese të cilat krijojnë profitabilitet për një kohë të shkurtër.

Dhe e dyta për faktin që Kosova si vend i vogël realisht aproksimitetin ose afërsinë ndërmjet fshatit dhe qytetit e ka mjaft të vogël dhe nuk është problem që një i ri të jetojë në qytet dhe ta ketë vendin e punës në një fermë në fshat . Është po ashtu e mirëseardhur sepse ka një diveresitet të aplikuesve dhe përveç të rinjve nga zonat rurale, edhe të rinjtë nga qytetet që kanë interesim dhe duan të merren me bujqësi janë të mirëseardhur. Ka shumë storie të suksesshme të këtyre të rinjve të cilët realisht kanë pasur suksese me agrobizneset e tyre.

Arbresh.info: Ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit është vënë kusht për viza, si do të bëhet një gjë e tillë kur në vazhdimësi opozita e kundërshton?

Krasniqi: Mendoj që liberalizimi i vizave është një domosdoshmëri për qytetarët e Kosovës sepse për një kohë jashtëzakonisht të gjatë ne kemi qenë të izoluar dhe kemi qenë realisht të përjashtuar nga mundësia e qarkullimit të lirë në shtetet e zonës Shengen.  Për dallim nga vendet të tjera të rajonit, mendoj që interesi i qytetarëve të Kosovës është që ky proces të realizohet sa më shpejt.

Në anën tjetër sa i përket procesit të Demarkacionit, ka pasur shumë diskutime, mendime pro e kundër dhe keqkuptime të natyrave të ndryshme, por mendoj që përveç punës që është bërë te instancat vendore, si verifikimet që janë bërë nga komisioni  ndërkombëtar i emëruar nga ish presidentja Atifete Jahjaga  dhe nga deklarimet e shteteve kryesore mike të Kosovës, duke e përfshirë SHBA-në, konkretisht Departamentin e shtetit, mendoj qe këtu ka një qartësi.

Por e fundit që duhet të thuhet për këtë çështje është në dorën e deputetëve të Republikës së Kosovës , asnjëherë deri më tash nuk ka ardhur Demarkacioni në rend të ditës në Kuvendin e Republikës së Kosovës, por si do që të jetë përfundimi i kësaj çështje, qytetarët e Kosovës nuk meritojnë të mbeten peng i dallimeve politike për çfarëdo interesa që mund t’i kenë kushdo qoftë.

Arbresh.info: Ju njiheni si njëri i afërt me ish kryetarin e PDK së, Hashim Thaçin, a mendoni që me ardhjen e Veselit në krye të PDK së do të ketë rënie të elektoratit të partisë suaj?

Krasniqi: Partia Demokratike e Kosovës,  është dëshmuar tashmë shumë vite që është partia që e ka organizimin më efikas të brendshëm dhe strukturën organizative më të qëndrueshme, por edhe elektoratin  më të qëndrueshëm dhe lojal. Në këtë drejtim më i rëndësishëm se individët është pikërisht struktura, programi, misioni dhe vizioni i një organizate politike, në këtë rast i Partisë Demokratike të Kosovës.

Ndërsa ju e  keni parë që asnjëherë, asnjë parti politike shqiptare e madhe kudo në hapësirat shqiptare, nuk e ka kaluar tranzicionin politik të lidershipit të saj, në mënyrë më të mirë unifikuese dhe më të qëndrueshme se sa PDK-ja .

Z.Veseli ka një vizion të qartë për fazën e ardhshme në të cilën ka hyrë PDK-ja. Ai e ka mbështetjen e plotë të strukturave udhëheqëse dhe strukturave organizative në teren. Gjithsesi, ekipi i njëjtë i Partisë Demokratike të Kosovës vazhdon të punojë me lider të ri në krye dhe po ashtu duhet theksuar se z.Veseli ka qenë njeriu i dytë më i votuari në zgjedhjet e kaluara.

Kështu që ne kemi pasur një natyrshmëri të plotë në tranzicionit politik të lidershipit partiak, dhe siç vërehet në të gjitha sondazhet e publikuara por edhe në ato të pa publikuara, gjë që se konteston asnjë parti opozitare dhe askush tjetër. PDK-ja vazhdon me qenë dhe do të jetë edhe në të ardhmen numër një në Republikën e Kosovës./Arbresh.info.

Intervistoi: Zejnepe Bekteshi
Foto: Ruzhdi Pacolli

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme