Fatmir Makolli: Kjo nuk është Kosova e idealeve tona

14:21 | 21 Mars 2015
Arbresh.info

Intervistë me Fatmir Makollin, aktivist i dikurshëm i ilegales…

Arbresh.info – Zotri Makolli si e konsideroni ju rolin e Ilegalës?

Fatmir Makolli: Viti 1981 mua më ka gjetur si nxënës të shkollës së mesme të vitit të dytë, kam pas fatin që atë botë ti kem profesor, Nezir Myrtën dhe Meriman Brahën, të cilët kanë kultivuar frymën e mirëfilltë kombëtare dhe idealin për çlirimin e Kosovës e më pastaj edhe atë të bashkimit kombëtar, ideal ky që u trashëgua që nga Lidhja e Prizrenit e së këndejmi.
Në vitin 1981 kemi marr pjesë aktive, në demonstrata edhe pse ishim relativisht të ri. Profesorët që i ceka sipër kanë luajtur rol shumë të rëndësishëm në organizimin tonë, ku më pastaj ne kemi filluar edhe më organizim ilegal. Në mesin e kësaj shoqërie ishte Esat Brajshori e Afrim Zhitia, që sot ky i fundit e mban titullin e merituar “Hero i Kombit”.

Arbresh.info – A bënit aksione aso kohe?

Fatmir Makolli: Po sigurisht se po, ne pas demonstratave filluam edhe të organizohemi më mirë dhe njëkohësisht edhe të vetëdisohemi për aksione më konkrete ku edhe filluam me aksione e rinis shkollore ku propaganda jonë kryesore ishte Lufta Për Liri, propaganduam edhe kundër Titos i cili nuk ishte ai që trumbetonte se ishte. Sot është turp se si akoma Azem Vllasi e lavdëron një figurë të tillë, duke hedh ende baltë mbi revolucionin tonë, që kushtimisht edhe ishte revolucion.
Ne aso kohe kemi shpërnda edhe libra e romane e revista që ishin të ndaluara, si p.sh.: Lajmëtari i Lirisë, si dhe shpërndanim pa ndërpre propaganda e parulla anti pushtuesit. Pastaj erdhi viti 1984, kur edhe u arrestua Afrim Zhitija, Esat Brajshori, Sejdi Veseli e shumë shokë të tjerë të Frontit Nacional Çlirimtar që u quante.

Arbresh.info – Na e evokoni një ngjarë që juve ju ka mbetur në kujtesë aso kohe dhe që ja vlen të theksohet?

Fatmir Makolli: Fillimisht para se të them diçka rreth evokimit, them se kjo punë e jona ka qenë përditshmëri me aksione të ndryshme aso kohe, ku më shumë tuboheshim në mbrëmje dhe vepronim po ashtu në mbrëmje. Diskutimet tona ishin nga më të ndryshmet edhe at`here kur rrinim për qejfi, po që të gjitha kishin të bënin me atë që na brengoste, çlirimin ndaj okupatorit të kamotshëm. Nezir Myrtën aso kohe e kishim si model e udhërrëfyes. Pik synim kishim ta luftonim degjenerimin e rinis sonë, dhe ta thyenim propagandën serbo-titiste që aso kohe fatkeqësisht kishte vërshuar botën si një shtet kuazi demokratik, duke bërë kështu shumë njerëz ta harronin se ne ishim të robëruar duke i aneksuar trojet shqiptare dhe duke i ndarë ato në mënyrën më të keqe të mundshme.

Arbresh.info – Pasi që e përmendët Azem Vllasin, a është e vërtetë se ne më shumë donim enverizmin e marksizmin leninizmin sesa çlirimin definitiv nga zgjedha serbo-jugosllave?

Fatmir Makolli:Çka të them, në atë kohë jo shumë të largët kanë ekzistuar dy rryma, shteti jugosllav siç e din ka qenë shtet socialist, ne nuk kemi trumbetuar për komunizëm, por kemi luftuar me çdo kusht për bashkim kombëtar, ky edhe qenë ideali jonë, kjo ka qenë rruga jonë. Aso kohe nuk kemi mundur të themelojmë parti demokrate, në kuadër të sistemit është dashtë të vepronim në forma të tilla për ti arrit synimet e idealet tona të kamotshme, pra përfundimisht, Azem Vllasi është njeri i humbur sepse nuk ka arrit ta ngrit ideologjinë titiste, shkollë kjo që ai e kishte kryer dhe shërbyer me përkushtim.

Arbresh.info – A mund të na tregoni ndonjë ndodhi që ju ka rastis që të jeni afër apo bashkë me Heroin, Afrim Zhitia?

Fatmir Makolli: Afrim Zhitia, siç e ceka më sipër, është burgosur në vitin 1984, dhe fill mas daljes nga burgu, bashkë me te kemi marr pjesë në organizime e demonstrata. Një rast që ja vlen të cekët, të cilin edhe sot e kujtoi. Ishim tek hekurudha duke hedhur gur kundër milicisë së at`hershme ata në gjuanin me automatik ku plumbat kalonin mbi kokat tona, në ato momente e gjithë turma jemi shpërnda, 50 metra pasi jam larguar nga vendi e kam parë se Afrimi kishte ngelur i vetëm duke hedhë gur kundër tyre, jam kthyer dhe mezi e kam tërhequr zvarrë sepse nuk donte të largohej. Kjo më ka mbet në kujtesë, megjithëse me Afrimin kam shumë kujtime sepse kam kaluar shumë kohë me të edhe në shtëpinë time kur vinte edhe në rrugë e takime që kishim.

Arbresh.info – A keni qenë aktivist i ndonjë partie?

Fatmir Makolli: Kam qenë aktivist i LDK-s, si tërë Kosova aso kohe, ku për herë të par na erdh mundësi që ato që i kishim bërë në ilegalitet në njëfarë forme tani mund ti shprehnim edhe publikisht, pavarësisht që më pastaj rrodhën gjërat ndryshe. Në zgjedhjet e at`hershme paralele parlamentare të viti 1992, ku parlamenti i parë i Kosovës u vendos të mbahet në Medresen Alaudin ,në Prishtinë. Unë me disa shokë, kemi organizuar vëzhgimin dhe mbrojtjen e objektit, ku kishim përgatitur edhe disa koktej molotovi që po që se ishte nevojë të luftonim me aq sa kishim nëse cenohej mbajtja e tubimit. Me gjithë tentimet tona, forcat policore serbe arritën ta rrethojnë Medresenë, dhe ta anulojnë mbajtjen e seancës parlamentare. Ndoshta ai organizim i ishte vetëm mllef, dhe ndoshta as që do të mbahej një organizim i tillë, por megjithatë ne pësuam, mua mu arrestuan shokët dhe vëllau po atë natë.

Arbresh.info – Deri në cilën kohë i qëndruat besnik LDK-s?

Fatmir Makolli: Pas komunikatës se Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës (LKÇK), se koha është për luftë të armatosur, se ne: “e kemi forcën edhe të mendjes edhe të armës”, e kujtoi edhe sot këtë komunikatë që e kemi plasuar si pamflete, prej ati momenti unë kam punuar aktivisht me LKÇK-në, por paralel kontribuoja edhe ne LDK, se drejt kujtoi që edhe lëvizjet radikale aso kohe e kishin si ombrellë LDK-në, sepse ishte parti legale dhe kumtesat i plasonte edhe në shtypin ditorë, kurse ne i plasoni edhe në formën ilegale.
Arbresh.info – Pse u zbeh LDK pas një kohe?

Fatmir Makolli:Sipas mendimit tim LDK si parti ishte në nivelin e duhur, sepse në të njëjtën kohë ishte edhe lëvizje gjithë popullore, pastaj me kalimin e kohës LDK filloi ta humb si të them hapin drejt luftës çlirimtare, pastaj disave aty filloi tu pëlqej ajo agoni sepse kishin komoditetin e plotë në kolltuqe të rehatshme, filluan edhe të krijojnë pushtet paralel, në një formë apo tjetrën filloi burokratizimi i LDK-së.

Arbresh.info – Si e vlerësoni luftën e UÇK-së, pasi që kjo edhe erdhi si fryt i po atyre organizimve që i ceke më lartë?

Fatmir Makolli: Pas një kohe grupet tona organizative dolën me parullën “Kosova Republikë” dhe këtu edhe fillon fronti i armatosur. Lufta e lavdishme e UÇK-s, sipas mendimit tim është një rezistencë e organizuar mirë dhe shumë e suksesshme, ajo i përfshiu të gjithë territorin e Kosovës, dhe për popullin tonë gjithmonë duhet të konsiderohet luftë e shenjtë. Tanket kundër automatikëve, çka të flitet më tepër, edhe ushtritë botërorë them se ja kishin lakminë organizmit të mirëfilltë gueril ushtarak, ku si fryt i kësaj ne edhe morëm mbështetjen ndërkombëtare për çlirimin definitiv nga zgjedha serbe.

Arbresh.info – Z.Makolli, si e vlerësoni Kosovën e pasluftës?

Fatmir Makolli: Kosova e pasluftës, nuk është ajo e idealeve tona, bilës as afërsisht jo. Mirëpo është një fakt, serbet më nuk e kanë pushtetin, represalie më nuk ka…por ne edhe pse është kështu Kosovën e kemi ëndërruar ndryshe. Çka ndryshe? Kemi menduar se do të kemi mirëqenie më të mirë, organizmi kombëtar do të jetë më i mirë, ku do të kishim një bashkëpunim shumë më të madh mes Shqipërisë dhe Kosovës. Këto që sot po ndodhin nuk janë as përafërm me ato që në trumbetonim.

Arbresh.info – Do të thotë se jeni të zhgënjyer nga elitat e politike të pasluftës?

Fatmir Makolli: Çdo njeri që e ka punuar për Kosovën e lirë, e sidomos ata që nuk jetojnë më, të cilët ranë në altarin e lirisë, çdo njeri është i zhgënjyer në këtë drejtim. Zhelet e ndërkombëtarëve i shndërruan edhe patriotet tanë të bëhen vegël e tyre, jo kapitalet, por zhelet sepse kapitalet shumica e i morën ndërkombëtarët me vete.

Arbresh.info – Si aktivist i hershem besoi që ndiheni shumë i zhgënjyer dhe i mërzitur me lëvizjet e fundit dhe ikjet, si i vlerësoni ikjet masive nga Kosvova?

Fatmir Makolli: Ikjet janë shkatërrim i dinjitetit në rend të parë, rezultat i politikës aktuale, rezultat i zhgënjimit të popullit, me politikanët tanë edhe pse këta të fundit shpesh herë thirrën në emër të ndërkombëtarëve, neve thjesht po na mungojnë sot iniciativat që ne i bënim dikur. Por ikjet mendoi se janë edhe të instrumentalizuara edhe nga pushteti Serb me elementet etj që i ka këtu, që Kosovën ta shohë edhe bota si shtet të dështuar. Mes tjerave fuqishëm mendoi se këto struktura politike duhet të çrrënjosen dhe thjesht duhet të bëhen ndërrime radikale. Ne kemi edhe shokë të idealit aty, por ata sot janë tjetërsuar duke i hedhur si lecka njerëzit e merituar e duke i favorizuar bijat e bijat e UDB-ashve dhe atyre që i shkoni në favor pushteti që ne e luftonim jo shumë kohë më parë.

Arbresh.info – Ndryshimet radikale shpësh vinë me veprime radikale, a mendoni se do të shprthej masa?

Fatmir Makolli: Sot është e dhimbshme të mendohet një gjë e tillë, sepse ne dikur kishim një armik me emër e mbiemër, sot në policinë tonë janë po thuaj se të gjithë shqiptar…por çdo vuajtje e ka fundin, shumë shpresoi në ndryshime demokratike, me votën e lirë të qytetarëve, e mos dashtë zoti të vijë deri tek më e keqja. Ne më shumë se kurrë kemi nevojë për një prijës të denjë që do ta udhëzonte këtë popull drejt asaj që e meriton dhe e ka merituar qysh moti.

Arbresh.info – Ku është sot Fatmir Makolli?

Fatmir Makolli: Unë sot punoi në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, kam një pagë mujore, kam një jetë solide që nuk i gëzohem, jo për faktin se do të doja më mirë, por për faktin se shumë shokë e atdhetar që kontribuuan denjësisht këtij vendin sot nuk mund ta sigurojnë as kafshatën e gojës dhe ballafaqohen me sfida shumë të vështira jetësore. Dikur të njëjtit luftonin për liri sot luftojnë për ekzistencën.

Fatmir Makolli është i lindur në vitin 1964 në fashatin Marevc të Gollakut

/Arbresh.info/intervistoi A.Jashari/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme