Google ADS

Deputeti Gashi: Çështja e Demarkacionit me Malin e Zi mund të shkojë në Gjykatën e Arbitrazhit

10:10 | 9 Qershor 2016
Arbresh.info

Në një intervistë  për Arbresh.info deputeti i Kuvendit të Kosovës Arben Gashi nga LDK-ja, ka folur për ngjarjet e fundit që kanë ndodhur brenda kësaj partie, ku mes tjerash ai thotë se rasti i Donika Gërvallës është keqmenaxhuar.

Sa i përket koalicionit LDK-PDKGashi thotë se bërja e koalicionit me PDK-në ka qenë e gabuar për kohën që është bërë, mënyrën si është bërë, sepse për gjatë muaj është ngritur pritshmëria e qytetarëve që të ketë një ndryshim në konceptin e qeverisjes së vendit dhe në momentin kur nuk u arrit që të jetësohet koalicioni LDK, VV, AAK dhe NISMA për shkak të qëndrimeve rigoroze të partnerëve të atëhershëm të koalicionit, ndodhi ky koalicion shumë i shpejtë me PDK-në.

Po ashtu Gashi foli edhe për Demarkacionin, që BE-ja e ka futur në listën e kushteve për arritjen e marrëveshjes për lëvizje të lirë në zonën Shengen.

Arbresh.info: Jeni njëri prej deputetëve të LDK-së , që me qëndrimet tuaja dalloni nga kolegët tuaj të këtij subjekti drejtuar nga Isa Mustafa. A po hasni në telashe në grupin parlamentar të LDK-së?

Arben Gashi: Jo nuk mundem me konsideruar që hasim në telashe, bile raportet personale janë shumë të mira me gjithë kolegët , qëndrimet janë politike nuk kanë të bëjnë me qëndrime personale, kështu që nuk mendoj që ka ndonjë problem personal me asnjërin prej deputetëve e as me kryetarin e kësaj partie Isa Musafën.
Ka pas raste ku qëndrimet tona politike kanë qen diametralisht të kundërta ato kanë qen situatat më të rënda që kanë mund të jenë në aspektin politik, kemi debatuar për të gjetur një zgjidhje alternative dhe në fund kur nuk është gjetur zgjidhja atëherë kemi mbërri në seancë me qëndrime të kundërta në procesin e votimit.

Arbresh.info: Gjatë dy viteve të fundit, LDK krijoi një aleancë me partinë më të madhe, PDK-në. Besoni se do të vazhdojë ky partneritet edhe në proceset e ardhshme zgjedhore, pasi që shumë nga anëtarët e simpatizant të LDK-së përfshi edhe ju keni qenë kundër këtij koalicioni?

Arben Gashi: Koalicionet janë çështje të situatave politike, mendoj se situata politike pas zgjedhjeve të vitit 2014 nuk ka qenë shumë optimiste dhe nuk ka mundur askush të krijoj bllokada të tilla. Mendoj se bërja e koalicionit me PDK në ka qenë e gabuar për kohën që është bërë , mënyrën si është bërë, sepse për gjatë muaj është ngrit pritshmëria e qytetarëve që do të ketë një ndryshim, do të ketë një ndryshim në konceptin e qeverisjes së vendit dhe në momentin kur nuk u arrit që të jetësohet koalicioni LDK, VV, AAK dhe NISMA për shkak të qëndrimeve rigoroze të partnereve të atëhershëm të koalicionit, ndodhi ky koalicion shumë i shpejt me PDK, nuk ishte e përgatitur as skena politike në Kosovë e as LDK ja dhe as qytetarët e Kosovës dhe pati një zhgënjim shumë të madh. Kjo është situata e cila u krijua , kjo ka qenë problem i asaj kohe, tash është çështja si të qeveriset vendi, por problemet e formimit të koalicionit akoma nuk kanë përfunduar, sepse vazhdon të jetë koalicioni, ndërsa koalicioni në gjithë periudhën e tij është shoqëruar me sfida të shumta, përplasje me opozitën me reagime shpesh të shoqërisë civile dhe të qytetarëve, siç ka qenë rasti i ish-ministrit Jabllanoviq dhe raste tjera, prandaj nuk ka qenë proces normal politik këto dy vitet e fundit në vend. Mendojë se vendi duhet t’i kthehet normalitetit politik, dhe normalitet politik kuptojë se duhet të qeverisin ata që kanë marr besimin e qytetarëve dhe në këtë rast LDK duhet të jetë konkurrentë serioze për të marr shumicën e përkrahjes qytetare në Kosovës të jetë ajo e ngarkuar që drejtpërdrejt ta qeveris vendin.

Arbresh.info: A është zbehur imazhi i LDK-së pas koalicionit me PDK-në?

Arben Gashi: Çështjet e imazhit janë perceptime, ka pas një imazh të pakënaqësisë të strukturave të LDK- së por edhe tek qytetarët e Kosovës në përgjithësi, kjo është shprehur në forma të ndryshme por mbetet të shihet në zgjedhjet e ardhshme qytetarët e Kosovës a do ta vlerësojnë LDK dhe opsionin qeverisës të LDK së.

Arbresh.info: I përmendët zgjedhjet e ardhshme, sa janë reale pritjet e disa subjekteve politike që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme?

Arben Gashi: Partitë e opozitës normalisht që kanë strukturë të veten mënyrë të funksionimit të veten kërkimin e zgjedhjeve në çdo kohë. Por sa është reale që të mbahen zgjedhjet është diçka tjetër, sepse jemi me një fazë ku dy procese të rëndësishme siç është procesi i Demarkacionit dhe procesi i asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe procesi tjetër po ashtu formimi i Gjykatës Speciale, mendojë se të gjitha këto janë probleme që po përballet qeverisja dhe skena politike në Kosovë në përgjithësi. Se kur do të kërkojnë partnerët e koalicionit që të mbahen zgjedhje, a do të insistojnë që zgjedhjet të mbahen me afatin ligjor dhe kushtetues apo do të jenë dakord që zgjedhjet të mbahen më herët varët nga partnerët e koalicionit sepse numerikisht partneri i koalicionit është stabil dhe teknikisht mundet të shkohet edhe deri në fund të mandatit, se sa është në gjendje që ta ruaj këtë bashkëjetesë LDK dhe PDK është çështje tjetër. Mendojë se do të ketë sfida në vazhdimësi, por mbetet të shihet a do të ketë zgjedhje.

Arbresh.info: Demarkacioni është kusht për liberalizimin e vizave sipas BE-së. Ju keni thënë se Demarkacioni nuk duhet të jetë kusht për heqjen e vizave të kosovarëve. Sipas jush si duhet të veproj pala kosovare në këtë rast?

Arben Gashi: Demarkacioni për mendimin tim nuk duhet të jetë kusht nuk është e drejtë me qenë kusht sepse shumica e vendeve të rajonit të cilat kanë kaluar në faza të ngjashme me rastin e Kosovës nuk i kanë pasur të mbyllura çështjet e kufijve, prandaj nuk është vendos kusht për procesin e lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe mallrave drejt Bashkimit Evropian. Përcaktimi i kufirit me Malin e Zi është kompleks por të njëjtën kohë është edhe i thjesht sepse nuk ka armiqësi ndërshtetërore ndërmjet dy Republikave, ka bile një qasje miqësore dhe përderisa ka qasje miqësore mendoj se ka mundësi diskutimi, të identifikohen problemet dhe të eliminohen problemet të cilat janë në linjën kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi. Prandaj unë mendojë se nuk duhet të lejohet që një çështje e cila mund të zgjidhet me dialog dhe miqësisht të shndërrohet në një problem brenda Kosovës i cili mund të bartet edhe jashtë vendit dhe t’i kërcënoj raportet në mes të Kosovës dhe Malit të Zi. Mendoj se kjo çështje duhet dhe do të zgjidhet në rrugë miqësore dhe do të kalohet kjo situatë.

Arbresh.info: Si do të kalohet sipas jush, pasi që nuk pajtoheni që Demarkacioni të jetë kusht për lëvizje të lirë?

Arben Gashi: Mund të diskutohet me Malin e Zi, mund të bëhet një komision i veçantë , kjo çështje nuk ka mbërri akoma në Kuvendin e Kosovës. Në momentin kur vjen në Kuvendin e Kosovës atëherë Kuvendi i Kosovës duhet të shoh si të veproj me këtë çështje. Duhet të formohet një komision special për trajtimin e kësaj çështje, dhe ky komision i rekomandon miratimin ose mos miratimin e kësaj marrëveshje ose paraprakisht të merren vesh Kosova dhe Mali i Zi që kjo çështje të trajtohet në Gjykatën e Arbitrazhit, ose nëse ka dokumente shtesë të cilat nuk janë marr në konsideratë për shkak të gabimeve teknike të përcaktimit të modaliteteve, të përcaktimit të kufirit atëherë mundet me u diskutua dhe me mbërri në një konkluzion i cili nuk lë dyshime për asnjërën palë, në momentin që nuk ka dyshime nga asnjëra palë atëherë të dy vendet mund të ecin përpara.

FOTO 12

Arbresh.info: Pas disa muajve tension në Kuvend dhe largimi i opozitës nga ky institucion, tani opozita ka dhënë shenjë që te kthehet në Kuvend. A mendoni që do të prishet qetësia me ardhjen e opozitës dhe sa është e shëndetshme për demokracinë funksionimi pa opozitë kaq gjatë?

Arben Gashi: Jo domosdoshmërisht pjesëmarrja e opozitës krijon destabilitet në kuvend dhe po ashtu jo domosdoshmërisht mospjesëmarrja e opozitës në kuvend nënkupton destabilitet politik.

Por situatat janë komplekse dhe opozita ka rikonfirmuar që është e gatshme të përdor mjete të njëjta, për qëllimin e njëjtë. Do të thotë mund të përdor mjete të cilat i ka përdorur në të kaluarën, me qëllim që ta parandaloj ratifikimin e marrëveshjes me Malin e Zi për çështjen e Demarkacionit. Po ashtu mospjesëmarrja e opozitës në Kuvend nuk ka arritur ta bllokojë punën në Kuvend, por të njëjtën kohë nuk është e shëndetshme për demokracinë që opozita të mos jetë pjesë e institucioneve.

Vetëm një deputet nëse nuk merr pjesë në seanca për arsyeje politike është për tu shqetësuar dhe duhet të marrët në konsideratë në aspektin politik. Por në këto dy situata janë procese të cilat Kosova po kalon, mendoj se me kalimin e kësaj situate askush në Kosovë nuk do të bëjë këso veprimesh. As pozitë e as opozitë nuk kanë me u sjell qysh janë sjell në të kaluarën e afërt , gabimet që i kanë bërë si në veprim politik, si në deklarim, si në veprim të kundërshtimit dhe sjelljeve, si në kuvend ashtu edhe jashtë kuvendit, por edhe sjelljeve politike që i kanë bërë, sepse e kanë marr mësimin e duhur.

Arbresh.info: Një imazh jo të mirë e kemi parë kohëve të fundit që është shfaqur në media. Gjatë takimit të Anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm të LDK së, ku Donika Gërvalla nxirret zvarrë nga ky takim. Si e komentoni ju këtë ngjarje?

Arben Gashi: Situata që është krijuar në rastin e zonjës Gërvalla ka qenë situatë e paarsyeshme dhe e panevojshme. LDK ka mundur ta menaxhojë më mirë këtë situatë. Zonja Gërvalla ka qenë kryetare e zgjedhur e LDK- së në Gjermani mirëpo kryesia e LDK-së si duket e ka kontestua mënyrën se si është zgjedh, megjithatë zonja Gervalla është zgjedhur me vota të fshehura dhe procesi ka qenë i lirë dhe demokratik. Nëse ju i referoheni rastit të incidentit të zonjës Gërvalla në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, atëherë mendoj se ka pasur keqmenaxhim të situatës dhe ka qenë ditë kur është trajtuar çështja e problemit për degën në Gjermani, Zvicër dhe në Kllokot.

Në këtë situatë zonja Gërvalla ka pasur të drejtën legjitime që të jetë pjesë e Këshillit të Përgjithshëm dhe të jap mendimet dhe sugjerimet e veta, dhe në fund Këshilli është ai që merr vendim dhe sipas gjitha gjasave ka qenë i gatshëm të merr vendim që të përsëriten zgjedhjet në këto tri degë të LDK-së, dhe nuk ka pasur nevojë të bëhet ato veprime që kanë dëmtuar imazhin e LDK-së, dhe krimin e një situate të panevojshme dhe të paarsyeshme.

Arbresh.info: A është marr ai vendim Ad-Hock nga kryetari i partisë, apo disa persona të kryesisë janë dakorduar që zonja Gërvalla të mos jetë pjesë e Këshillit?

Arben Gashi: Jo nuk e ka ditë askush se çka po ndodh jashtë, unë kam qenë në sallë, kam dëgjuar ca zëra dhe se kam ditë se diçka po ndodh. Kryetari i partisë ka qenë duke folur as ai nuk e ka ditur se çka është duke ndodhur, ai ndoshta ka pasur informacion se ajo do të vij, mirëpo se çfarë po ndodh jashtë sallës askush nuk e ka ditë.

Ai që ka pas detyrë të merret me çështje teknike ka qenë Ismet Beqiri, Sekretar i Përgjithshëm i partisë , ai ka mundur të ketë pasur informacion për ngjarjen që është zhvilluar në atë forme.

Arbresh.info: Zonja Gërvalla për Arbresh.info, thotë se ka kërkuar nga zoti Beqiri që të sjell fakte se ku janë bërë çalimet në atë Kuvend zgjedhor në Gjermani dhe ai nuk ka pasur asnjë fakt relevant?

Arben Gashi: Personalisht mendoj se është e paarsyeshme ajo që po i bëhet zonjës Gërvalla, sepse zonja Gërvalla është një kontribut-dhënëse për një kohë të gjatë në LDK, kjo teori që ju po e sugjeroni atëherë është gabim i madh. Nëse ka pasur materiale të cilat e kanë vu në dyshim se si është zgjedhur zonja Gërvalla kryetare e LDK së në Gjermani, atëherë është normale që Kuvendi i LDK-së të shpall zgjedhjet dhe ato flasin se kush do të jetë kryetar. Gërvalla ka të drejtë të konkurroj prapë dhe mund të fitoj, nëse ajo fiton, atëherë strukturat e LDK -së në Prishtinë “nuk kanë qare pa e pranu”.

Arbresh.info: Në një të ardhme a synoni ta sfidoni Isa Mustafën për të parin e LDK së?

Arben Gashi: Rasti im dhe rasti i zonjës Gërvalla janë të ndryshme, unë personalisht kam pasur momente të mira të qëndrimit të ndryshëm politik, brenda grupit parlamentar të LDK së dhe në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, po ashtu edhe ne Kuvendin e partisë, ndërsa incidenti me zonjën Gërvalla është shumë i ndryshëm dhe shumë i rënd dhe nuk është dashur t’i ndodh LDK-së. Unë mendoj se është gabim, ndërsa sa i përket kryetarit të LDK së, kryetari aktual ka mandatin edhe tri vite, kështu që është shumë herët me fol për këto gjëra tilla.

Arbresh.info: Tri vite në demokraci dhe dinamizëm që jemi duke jetuar shkojnë shumë shpejt?

Arben Gashi: Vitet shkojnë por edhe situatat zhvillohen, ndryshojnë situatat politike, realiteti ku behet politika..

Arbresh.info: Pyetjen që po e drejtojë është se ju gëzoni një simpati nga elektorati i LDK-së, dhe në anëtarësinë e kësaj partie, prapë po insistoi, në një të ardhme të afërt a do të kandidoni për kryetar të LDK-së?

Arben Gashi: Në të ardhme e afërt nuk ka zgjedhje në LDK, askush që është ne politik nuk përjashton apriori ose nuk paragjykon ndonjë rezultat final kështu që situatat do të zhvillohen edhe ne jemi në politik dhe do të vlerësojmë se sa elektorati i LDK së përkrah ose nuk përkrah ndonjë subjekt apo individ, ndonjë alternativ dhe në bazë të saj merren vendimet./Arbresh.info/

Intervistoi: A. Jashari & Z. Bekteshi

Foto: R. Pacolli

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme