Në vazhdimin e intervistës nga deputetja Flora Brovina është folur për viktimat e luftës statusi i tyre, përkrahja, numri i këtyre viktimave, rrëfimet që zonja Brovina i tregon kur ato flasin për dhunimet që u janë bërë.
Arbresh.info: Lufta e fundit që ndodhi në Kosovë por edhe luftërat që ndodhën para kësaj lufte lanë mjaft viktima në Kosovë e që u maltretuan në forma të ndryshme. A mendoni se po u ofrohet përkrahje e mjaftueshme nga institucionet këtyre viktimave?
Flora Brovina: Në çdo shtet ligji i parë është ai për luftëtarët, viktimat, dëshmorët e luftës. Ne e kemi vonuar këtë ligj për shkak të statusit të veçantë kur na kanë udhëhequr ndërkombëtarët dhe nuk kemi pasur mundësi as materiale që të reflektojmë dhe, të jemi mirënjohës për ata që kontribuuan për lirinë por, përkundrazi ne më shumë i ofenduam sesa që i respektuam. Kosova ka pasur një numër shumë të madh të viktimave në çfarëdo forme si, invalidë të luftës, të pa trajtuar si duhet, të trajtuar ad hoc, ose pa trajtim nëpër spitale, qendra rehabilitimi. Nuk ishte vetëm faji i kuvendarëve pasi që ata shpesh herë nuk dëshironin ta përmendim fjalën dhunë në kuvend por u pjekën kushtet, u hap kjo temë edhe në Këshillin e Sigurimit u miratua rezoluta që dhunimi seksual është krim kundër njerëzimit dhe me këtë u hapëm mundësitë që e tillë të trajtohet. Në afirmimin e kësaj çështje punuan shumë organizata joqeveritare por ishin të anashkaluara dhe u përbuzën deri në atë çast kur Presidentja e Kosovës pas aprovimit të ligjit filloj të merret me këtë çështje. Ka shumë për të punuar.
Arbresh.info: Sa është numri i saktë i këtyre viktimave?
Flora Brovina: Ne ende nuk kemi mbledhur shënime as për 10% dhe nuk po mundemi me mbërri. Historitë e tyre janë aq të rënda sa që nganjëherë unë si mjeke e regjur në sfida më shkojnë lotët për shkak të historive aq të dhimbshme.
Edhe pse ekziston Instituti për Krimet e Luftës kujtoj që nuk e ka thënë fjalën e vet të fuqishme, e as në Gjykatën e Hagës nuk është dënuar krimi. Millosheviqi nuk është dënuar dhe jam ndier shumë keq kur ai ka vdekur e nuk ka marr vendimin as ‘post mortum’ kjo pasi që Gjykata e Hagës është një gjykatë politike, nuk ka ditur ta dënoj krimin. Aq më tepër që ajo e liroi edhe Sheshelin ndërsa në ditën kur unë jam liruar Shesheli ka organizuar protestë masovike rreth burgut të Pozharevcit për të pamundësuar që të lirohem dhe ka penguar veturën e Kryqit të Kuq të dal, ka mundur edhe të më vras. Me një fjalë si mundet ky njeri të lirohet.
Arbresh.info: Si kryetare e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, në mbledhjet e shumta keni pasur diskutim dhe ende keni këtë temë. Cilat janë të arriturat që keni bërë me anëtarët e komisionit lidhur me këto viktima?
Flora Brovina: Komisioni për Shëndetësi ka arritur që në mandatin e kaluar ta amandamentoj një ligj që kishte shumë probleme për t’u amandamentuar. Kemi pasur edhe presione nga jashtë si të ndërrohet data e kryesve të veprave por këtë nuk e kemi pranuar . Unë në dosjet e grave i kam edhe emrat që i kanë kryer këto dhunime. Dhunimi kryhet me urdhër të komandantit por dhunimi është akt edhe personal dhe a mundet një person me urdhër ta kryej një dhunim? Jo nuk mundet. Nga këta kryes të dhunimit nuk është e vërtetë që gratë nuk janë paraqitur, ato gra kanë pasur akuza tek UNMIK-u për njerëzit që i kanë dhunuar por, asnjërin se kanë dënuar. Dhe kam kërkuar me vite të tëra të dijë se sa akuza janë, a kanë filluar të studiohen, mirëpo nuk kanë qenë të aktivizuara dhe gjoja se tani po merren me to sepse janë thirr disa gra që në ‘99 ku i kanë dhënë këto akuza dhe, edhe 16 vjet pas luftës u thonë atyre grave a mund të dëshmoni në Beograd mirëpo pse atje, çka ka lidhje Beogradi.
Arbresh.info: Sa është e vështirë t’i shtysh të flasin viktimat e dhunës?
Flora Brovina: Në kohën e luftës ka qenë më e vështirë t’i shtysh të flasin sepse trauma ka qenë më e freskët por me profesionin tim kam mundur t’i identifikoj dhe të paktën të regjistroj dyshimin në fletoren time. Kam shënime dha ka gra që edhe pse i kam shënimet ende nuk kanë ardhur te unë. Sot kaq vite mbas ato fillojnë të flasin dhe pastaj duket sikur dhimbja fillon të shërohet. Sikur të kisha ekipe dhe kushte më të mira për të punuar unë do të kisha edhe më shumë shënime. Nuk mund të arrij deri të gjitha që më thërrasin dhe kanë nevojë për mua, të gjitha flasin. Më pëlqen besimi që kam fituar te këto gra, mirëpo unë kam ruajtur fshehtësitë e tyre, identitetin e tyre në dosjet e mia.
Arbresh.info: A do t’i dorëzosh këto shënime në organet kompetente për t’u shqyrtuar?
Flora Brovina: Në Hagë gjatë kontakteve që kam pasur kam thënë që gratë e Kosovës nuk mund të dhunohen për të dytën herë duke shkuar atje që të japin dëshmi. Pra nëse atyre u duhen shënime unë ua sjell atje dhe mund të vijnë edhe gratë që dëshirojnë të dëshmojnë mirëpo jo t’i ballafaqonin me Millosheviqin, ashtu si u dhunuan gratë e Bosnjës për të dytën herë në Hagë. Kështu nëse dikush nuk beson le të studion pak më mirë çka ka ndodhur në Kosovë. Ne tani kemi problem shoqëror, është edhe problemi i burrave pasi që ata janë detyruar t’i shohin këto dhunime. Këta burra që i kanë parë këto tragjedi do ta përcjellin traumën në shpirtin e tyre madje ka edhe të tillë që kanë pasoja mentale janë të dhunshëm nuk i duan këto gra.
Arbresh.info: Ju drejtoni edhe një Qendër për Rehabilitimin e nënës dhe fëmijës. Çfarë shërbimesh ofron kjo qendër dhe a ka përkrahje nga institucionet?
Flora Brovina: Kjo qendër është themeluar në prill të vitit 1998 për shkak të nevojës t’u grindemi grave që ishin të shashtisura nga përjetimet e luftës. Këtë qendër e njeh krejt bota dhe është një shembull shumë i mirë. Ne filluam t’i mbledhim këto gra dhe t’i trajtojmë menjëherë. Familjet e para kanë qenë fëmijët e familjes Jashari ndërsa sot jam e lumtur që këta fëmijë janë burra, gra dhe nga kjo përvojë më kanë mbetur kujtimet e hidhura por janë të rehabilituar dhe të aftë për shoqëri. Sa i përket rasteve tjera kanë qenë gratë e veja, fëmijët pa prindër dhe ne i kemi rritur, edukuar, dhe kemi përcjellur shkollimin e tyre.
Arbresh.info: Viktimat e luftës kanë qenë të formave të ndryshme, ndërsa sot në diskutim është edhe statusi i tyre. Sipas jush deri ku ka arritur kjo çështje dhe kujt do t’i ipet ky status?
Flora Brovina: Ligji për të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të ushtrisë çlirimtare të Kosovës, viktimave civile dhe familjeve të tyre është aprovuar në parlamentin e Kosovës. Ky është varianti i dytë i këtij ligji sepse ligji i përparshëm ka qenë më fleksibil. Ky variant e detyroi Qeverinë të formoj komisionin për verifikimin si të ushtarëve, dëshmorëve viktimave, ndërkaq me këtë variant mbetën jashtë disa kategori shumë të dhimbshme pra viktimat e dhunës seksuale ku kërkonin trajtim ndryshe dhe, doli ligji edhe për këtë. Në kohë të fundit ne po e vërejmë se në këtë ligj nuk janë të përfshirë disa emra të shquar që kanë kontribuar shumë për lirinë dhe kemi marrë si komision iniciativën të bëjmë plotësim ndryshimin e këtij ligji më këtë kategori sado që Fondi Ndërkombëtar Monetar thotë se lista është shumë e fryrë. Kategoria që ne dëshirojmë ta fusim që t’u njihet statusi janë ata që u vranë në demonstrata, që u vranë në burgje vetëm pse ishin shqiptarë dhe ushtarët të cilët erdhën me arkivole. Kur t’i mbledhim krejt janë 245 dhe nuk bankroton shteti për 245 dhe, në mesin e tyre shumica janë të rinj që nuk kanë lënë familje. Pastaj edhe ata të viteve ‘90 kanë mbetur me pasoja të rënda fizike si në karroca dhe, ne jo që nuk kujdesemi për ta por nuk kanë as status. Këta janë 250 pra gjithsej rreth 500. V.Berisha/Arbresh.info
Nga burgim i përjetshëm, Supremja ia ul në 35 vjet dënimin t...
Abdixhiku premton: Me ne, Kosova do të anëtarësohet në NATO ...
Milani duhet të sakrifikojë Fonseca-n apo Leao-n?
OKB: Situata humanitare në Liban është më e keqe sesa në luf...
Komuna synon largimin nga rruga të rreth 1500 qenve endacakë...
Haxhiu: Shah e ping-pong me Deharin, VV-ja do të duhej të di...