Google ADS

Veseli s’donte të arrestohej nga Specialja, kishte propozuar dorëzimin

00:12 | 27 Nëntor 2020
Trina Galanxhi

Dy javë para se të arrestohej dhe të dërgohej në Hagë për gjykim nga Gjykata Speciale, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, kishte pranuar se do të dorëzohej vullnetarisht dhe ndaj tij s’duhej të ketë urdhërarrest po që se i konfirmohet aktakuza.

Sipas një dokumenti të fundit të publikuar nga Specialja lidhur me kërkesat për urdhërarreste dhe urdhra për transfere, avokati mbrojtës i Veselit, Ben Emmerson, kishte kërkuar nga Prokuroria që nëse konfirmohet aktakuza ndaj Veselit, të mos lëshohet fare urdhërarresti pasi klienti i tij do të udhëtonte vullnetarisht drejt Hagës për t’u dorëzuar. Letra e Emmersonit u dorëzua më datë 21 tetor, pesë ditë para se të konfirmohej aktakuza dhe dy javë para se Veseli dhe të tjerë të dërgoheshin drejt Hagës.

“Z.Emmerson kishte shkruar, ndër të tjera, se nëse aktakuza kundër z.Veselit konfirmohet, do të jetë e panevojshme për gjyqtarin e procedurës paraprake që të lëshojë një urdhër për arrestin e tij pasi: Veseli garanton se do të udhëtojë vullnetarisht drejt Hagës për t’u dorëzuar para Dhomave të Specializuara dhe se s’ka dëshmi që mund të justifikojë një qëndrim se ai do të ikën apo do të ndërhyjë në dëshmitarë. Për më tej, ai kishte shtuar se, z. Veseli është figurë e njohur publike që jeton me familjen e tij në Prishtinë dhe mban disa pozita publike politike, që eliminojnë çfarëdo rreziku që të ikën si dhe ka pasur njohuri për akuzën që nga qershori i 2020-s dhe prandaj, një konfirmim s’do të mund të ndryshonte ndjeshëm vlerësimin e rreziqeve”, thuhet në përshkrim të letrës së Emmersonit.

Veseli bashkë me Hashim Thaçin dhe Rexhep Selimi ishin dërguar drejt Hagës më 5 nëntor. Ndaj tyre dhe Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat për krime lufte e krime kundër njerëzimit. Gjykimi ndaj tyre nuk pritet të nisë para verës së vitit të ardhshëm./eo/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme