Google ADS

Tahiri: Gjykata Speciale u krijua nga pretendimet e Dick Martit, por sot trafikimi i organeve s’u përmend askund

19:08 | 3 Prill 2023
Emir Abduramani

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka thënë se përkundër që Gjykata Speciale u themelua bazuar në pretendimet e raportit të Dick Martit, në seancën e sotme askund nuk është përmendur trafikimi i organeve.

Tahiri ka shkruar se ndonëse kjo gjykatë bazën e ka te trafikimi i organeve dhe te vetë raporti i Dick Martit, në pretendimet e Prokurorisë Speciale sot s’është përmendur asnjëherë as njëra e as tjetra.

“I tërë procesi i letërkëmbimeve, ligjit dhe ndryshimit të Kushtetutës për të mundësuar themelimin e Gjykatës Speciale, është bërë për shkak të pretendimeve të Dick Martit, për trafikim organesh nga UÇK-ja. Gjatë gjithë ditës së sotshme, nga salla e gjyqit dëgjova pretendimet Prokurorisë, por askund në asnjë rresht e as fjalë, nuk u përmend trafikimi i organeve, e as Dick Marti!”, ka shkruar Tahiri.

Ndërkaq, sot ka nisur procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë me akuzat për kryerje të krimeve të luftës.

Që të gjithë, pra Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi janë deklaruar të pafajshëm para trupit gjykues në Hagë.

Në lidhje me këtë gjykim, sot në Hagë është mbajtur një protestë nga shqiptarët e diasporës kundër kësaj gjykate.

Kurse dje në Prishtinë, është mbajtur organizimi më i madh në Kosovën e pasluftës “Marshi i Drejtësisë”, marsh ky që u organizua pikërisht kundër akuzave të pabaza dhe të padrejta ndaj ish-krerëve të UÇK-së./Arbresh.info

Të ngjashme