Google ADS

Specialja: Akuzohen katër persona, jo UÇK, masakrat kanë ndodhur

13:34 | 16 Dhjetor 2022
Emir Abduramani

Kryegjyqtari i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, në seancën mbi ecurinë në rastin “Thaçi e të tjerët”, diskutoi edhe mbi një propozim të prokurorisë.

Sipas kësaj kërkese të organit të akuzës, në procesin gjyqësor, nuk ka nevojë të diskutohet dhe debatohet mbi disa tema që tashmë janë të njohura.

Fillimisht kryegjyqtari i kësaj seance deklaroi se Dhomat e Specializuara, nuk janë institucion që merret me tema historike.

Ai tha se të akuzuar janë vetëm katër persona dhe nuk është duke u gjykuar Ushtria Çlirimtare e Kosovës apo dikush tjetër, raporton RTKlive.

“Janë katër persona të akuzuar dhe seancat mbahen ndaj tyre. Nuk ka nevojë këtu për leksione të ngjarjeve historike”, tha ai.

Ai deklaroi se masakrat e Serbisë në Kosovë nuk diskutohen (në kontekstin se ato kanë ndodhur dhe nuk ka pse duhet të vihen në pikëpyetje apo të diskutohet për ato ngjarje v.j).

Kryegjyqtari deklaroi se pajtohet me propozimin e prokurorisë se ato masakra kanë ndodhur dhe nuk ka nevojë të debatohet mbi to.

Ai tha se gjykata nuk do të lejojë paraqitjen e provave të krimeve serbe për të treguar ato ngjarje, raporton RTKlive.

“Nuk jemi shoqatë historike dhe nuk do të lejohet. Këtu janë vetëm këta persona të akuzuar dhe veprimet e tyre”, tha kryegjyqtari.

E derisa prokuroria i pajtua me këtë qëndrim të kryegjyqtarit, avokatët mbrojtës e kundërshtuan një gjë të tillë.

Sipas tyre, nuk mund të kalohet e gjithë ajo periudhë e luftës në Kosovë, vetëm me një deklaratë të prokurorisë se- “pranohen krimet edhe kaq”.

Ata thanë se për shumë akuza, duhet treguar e shpjeguar konketstin e ngjarjeve që të shpjegohet situata.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme