Google ADS

Seanca në Hagë, fillon dëgjimi i dëshmitarit të tretë

10:45 | 20 Prill 2023
Emir Abduramani

Seanca e sotme e Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi veçse ka filluar.

Pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit të dytë, sot fillon edhe dëgjimi i dëshmitarit të tretë në lidhje me rastin e tyre.

Seanca tanimë ka filluar dhe menjëherë ka kaluar në seancë private.

Dëshmitari i dytë i cili dje e përfundoi dëshminë, ka deklaruar në ditën e parë se është anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe se ka qenë prezent në daljen publike të UÇK-së.

Të hënën, ky dëshmitar ka konfirmuar se ka qenë dhe është anëtar i LDK-së që nga fillimi i viteve të 90-ta si dhe ka qenë pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Të martën, gjatë pjesës së hapur për publikun ka treguar për organizimin e strukturave të kësaj partie përgjatë viteve 90’, ndërsa pyetjet e prokurorit kanë qenë të fokusuara në organizimin e LDK-së në komunën e Malishevës.

Dëshmitari gjithashtu është pyetur nga prokurori për daljen e parë publike të UÇK-së, më 28 nëntor 1997, në fshatin Llaushë të Skenderajt. Dëshmitari ka pranuar se ka qenë prezent në këtë ngjarje bashkë me anëtarë të tjerë të LDK-së.

Para tij, dëshmitarja e parë ka qenë një grua.

Natyrisht, identiteti i saj nuk është zbuluar dhe seanca ka qenë e mbyllkur për publikun, si shenjë për transparencën “e madhe” që e karakterizon Gjykatën Speciale.

Gjykimi i Thaçit me shokë ka filluar më 3 prill, nën dyshimet e prokurorisë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Mbrojtja e tyre e ka dhënë fjalën e tyre, teksa tash do dëgjohen 12 dëshmitarë.

Ata gjenden në paraburgim në Hagë që nga 5 nëntori i vitit 2020./Arbresh.info

Të ngjashme