Në konferencën përgatitore për gjykimin e rastit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, prokurori Matthew Howling ka thënë se do t’iu duhen pak më shumë se 700 orë për të paraqitur çështjen e tyre.
Gjykatësi Charles L Smith II, i cili paraprakisht tha se gjykata do të bëjë shkurtime nëse ka nevojë për të respektuar të drejtën e të akuzuarve sa i përket kohëzgjatjes së gjykimit, kërkoi që prokuroria të tregojë numrin e dëshmitarëve që duan të thërrasin dhe se më parë kanë dhënë një listë prej 323 dëshmitarëve dhe kërkoi të informohet nëse mendojnë të thërrasin të gjithë.
“Është një numër dëshmitarësh në këtë listë që synojmë të mos i thërrasim, do të mbështetemi në dëshmitë e tyre. Jo të gjithë këta mund të vijnë këtu, por ata që do të vinë janë në listë. Është e mundur që gjatë gjyqit dëshmitarët të paraqesin dëshmi që të bëjnë të panevojshme paraqitjen e dëshmitarëve të mëvonshëm. Udhëzimet tuaja dhe pritshmëritë janë të qarta. Po shikojmë me dëshmitarët e Rregullës 154 nëse do të mund të zvogëlojmë kohën që do të marrim në pyetje”, tha ai.
Fillimisht, prokurori Matthew Howling, ka deklaruar se kanë përfunduar shqyrtimin e materialeve shfajësuese për të gjitha materialet në fillim të kësaj jave. Ai bëri të ditur se janë në hapa për të përgatitur në paketë tjetër, që ka 15 materiale në të dhe se do të ketë kërkesë për masa mbrojtëse. Lidhur me këtë paketë, ai tha se është e vetmja që janë duke e përgatitur, raporton Betimi për Drejtësi.
“Sikurse e vëmë në dukje edhe në parashtrimin tonë, nuk kemi asnjë dëshmitar të rregullës 153 në 40 të parët. Për rregullën 154 mund ta bëjmë për 12 dëshmitarë deri më 7 shkurt. Për të gjithë dëshmitarët dua të them se duam të përgatisim diçka më afër datës, do të bëjmë të konsoliduar, do të jemi në gjendje të dërgojmë kërkesë për dëshmitarët e 3 muajve tjerë, në të njëjtën kohë që do të dorëzohet edhe materiali në përputhje me urdhrin 73”, ka thënë ai.
Derisa, avokati i Thaçit, Gregory Kehoe, tha se për përgjigje për 12 dëshmitarët e parë beson se do t’iu duhen dy javë kohë.
Kurse, prokurori tha se për 12 dëshmitarët e parë ka me dhjetëra materiale dhe se nuk kanë kundërshtim për t’u përgjigjur mbrojtja për dy javë.
Prokurori deklaroi se lidhur me dëshmitarët që kanë vdekur dhe ata që nuk janë të disponueshëm janë duke përgatitur kërkesë dhe se të paktën për gjysmën prej tyre do të dorëzojnë kërkesën brenda datës së caktuar.
“Gjysma e parë do të dorëzohen brenda datës 1 mars 2023”, tha ai.
Avokati Kehoe tha se mendon se janë rreth 32 dëshmitarë, ku disa prej dëshmitarëve kanë qenë po ashtu në çështje të tjera dhe janë trajtuar te gjykatës tjerë te TPNJ dhe tha se do u duhen shumë materiale të shqyrtojnë brenda datës 1 mars 2023.
“Është e vështirë që deri 1 mars 2023 t’i shqyrtojmë të gjitha këto materiale. Po kërkojnë kohë të konsiderueshme. Kjo është në përputhje me gjithë punën tjetër që bëjnë ekipet e mbrojtjes. Për të bërë këtë gjë, na duhet kohë e konsiderueshme të përgjigjemi për 155 dokumente brenda 1 marsit”, tha ai.
Krahas certifikatave të vdekjes dhe raporteve mjekësore, prokuroria u pyet se a ka probleme tjera.
Prokurori konfirmoi se deklaratat e dëshmitarëve të vdekur u janë dhënë mbrojtjes dhe se nuk ka ndonjë problem.
Nga avokatët e mbrojtjes u kërkua që një muaj të jetë afati për përgjigje në këtë çështje.
Paraprakisht, prokurori kur u pyet nga kryetari i trupit gjykues, Charles L Smith III, tha se nuk kanë kundërshtime që të jetë një muaj ky afat.
Prokurori Howling tha se po përgatisin kërkesë për të gjitha faktet e gjykuara, në mënyrë që të jenë në gjendje të identifikojnë para gjykimit të gjitha.
Avokati Kehoe tha se së bashku do të dorëzojnë një njoftim për faktet e gjykuara.
“Për pjesën më të madhe kolegët pajtohen se cilat do të jenë faktet e gjykuara, do të ketë disa përjashtime. Por besoj që jemi në të njëjtën faqe”, tha ai, derisa ekipet e tjera të mbrojtjes u pajtuan me këtë.
Tutje, avokati Kehoe deklaroi se dëshiron të flas për mocionin që kanë bërë në bazë të deponimeve që kanë marrë nga dëshmitarët dhe e kanë dorëzuar më 9 janar.
“Ky mocion është ende në pritje, nuk e di nëse është pjesë e kategorisë 117, por po e ngre në këtë moment para trupit gjykues që të jetë në dijeni. Një tjetër që dua të ngre është mundësia për bigëzimin e çështjes mbi konfliktin e armatosur e kemi diskutuar me njëri-tjetrin, kemi njoftuar se duam të ngremë këtë me ZPS në këtë aspekt, do të diskutojmë këtë kur të diskutojmë me hollësi për paragrafin 7”, tha ai.
Tutje, u tha se nga Zyra Administrative, nuk ka asnjë indicie për kërkesa të tjera për persona që dëshirojnë të jenë viktima pjesëmarrëse në këtë proces.
“Askush nuk na ka kontaktuar individualisht as përmes përfaqësimit. Kanë qenë 8 kërkesa që janë marrë kur është transferuar çështja, Zyra Administrative është duke i trajtuar këto. Mund të ketë në të ardhmen. Në rast se trupi gjykues do të caktojë një afat për dorëzimin e kërkesave, mbase kjo do të nxisë”, tha ai.
Gjykatësi e pyeti nëse mendon se 15 shkurti do të jetë datë e konsiderueshme për të vënë afatin, kurse prokurori Hoëling deklaroi se janë gati të fillojnë gjykimin më 1 mars,
“E di që mbrojtja propozon të jetë në fund të marsit. Ne nuk e kundërshtojmë”, tha ai, duke shtuar se dëshirojnë që gjykimi të fillojë në muajin mars.
Avokati Kehoe, deklaroi se janë gati të fillojnë gjykimin më 1 mars, por se kanë komente për këtë.
Kurse, avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, deklaroi se parimisht nuk ka ndonjë arsye mos të fillojë më 1 mars gjykimi.
“Kemi një periudhe të jashtëzakonshme intensive pune në këtë muaj që mbase do të krijojë probleme teknike”, tha ai.
Tutje, tha se kanë pasur vështirësi për pikën e kontaktit në Kosovë dhe disa nga këto aspekte mund të krijojnë pengesa, por se nuk parashikohen këto dhe nuk sheh problem të fillohet më 1 mars.
Nga ekipi i mbrojtjes së Selimit, u tha se incidenti që ndodhi në seancën e fundit mund të ketë ndikim në përgatitjen e tyre dhe se duan të fillojnë gjykimin sa më shpejtë të jetë e mundur dhe se idealisht do të donin të fillonin më 1 mars.
Ai tha se po trajtojnë pasojat e asaj që ndodhi në seancën e kaluar dhe do të përpiqen të fillojnë më 1 mars apo afër asaj date, si dhe se mund të ketë arsye që do të shkaktojnë pengesa dhe varet nga identiteti i 12 dëshmitarëve.
“Të bëhet një ndërprerje 1 javë apo 10 ditë nga deklarata hyrëse”, u tha tutje.
Po ashtu, mbrojtja tha se dëshirojnë që në 12 dëshmitarët e parë të mos ketë dëshmitarë që flasin drejtpërdrejt për Selimin, në mënyrë që të kenë mundësi të përgatiten.
Mbrojtësi i viktimave, Simon Laws, tha se nuk kërkojnë të ketë vonesa në këtë gjykim dhe nuk kërkojnë të shtyhet data 1 mars.
Palët janë pajtuar që të mos lexohet aktakuza me rastin e fillimit të gjykimit.
Prokuroria deklaroi se do të bëjë deklaratë hyrëse që mund të zgjas 6 orë, kurse mbrojtja e viktimave deklaroi se do të bëjnë fjalë hyrëse që mund të zgjas 45 minuta.
Kehoe deklaroi se do të bëjnë fjalë hyrëse pas ZPS që do të zgjas 3-4 orë. Ndërsa, Emmerson tha se do të rezervojë në të drejtën dhe mund të zgjasë 45 minuta.
Nga ekipi i Selimit, u tha se do të zgjas më pak se 1 orë deklarata e tyre hyrëse, derisa mbrojtja e Krasniqit tha se ajo e tyre do të zgjas deri në 1 orë e gjysmë.
Arsenali kërkon një transferim befasues në janar për yllin e...
Edi tregon se si humbi 50 mijë euro për ditëlindje
Ismaili pranon letër urimi nga guvernatori i Bankës së Angli...
Ambasadori italian takoi Tërnavën, diskutuan për tolerancë e...
Kurti: Investimi në fëmijë është investimi për një ardhme të...
Dhënia e gratit prej 100 mijë euro vëllait të deputetes së V...