Lladrovci i përgjigjet Ajazit: S’mund të dëshmoj kundër Thaçit që kam një jetë bashkë me të

00:19 | 2 Nëntor 2021
Trina Galanxhi

Ramiz Lladrovci i është kundërpërgjigjur kundërkandidatit të tij për Drenasin, Driton Ajazit, ku ky i fundit deklaroi në Klan Kosova se Lladrovci përfolet se është dëshmitar kundër ish-krerëve të UÇK-së që janë duke u gjykuar në Hagë.

Lladrovci në “Edicionin Special” tha se gjithë çfarë ka thënë Ajazi është shpifje dhe këtë e ka bërë gjatë gjithë fushatës elektorale, njofton Klankosova.tv.

”Është i tmerrshëm deklarimi i tij, është njëjtë si të them unë se më kanë thirrur dhjetëra njerëz nga fshati Sankoc dhe më kanë thënë që Driton Ajazi është djali i Lufti Ajazit, një krimineli që akoma u dhemb kurrizi qytetarëve të Drenasit dhe Kosovës prej tij. A më e rëndë është të themi se dyshohet se jam dëshmitar në Hagë sesa të them se është djali i tij – edhe unë njësoj po them”.

“Është shpifje dhe e pavërtetë. Për një muaj rresht në fushatë kanë bërë shpifje lidhur me këtë”.

Lladrovci deklaroi se kurrë nuk do të mund të dëshmonte kundër ish-presidentit të vendit, Hashim Thaçi.

”Kah e merr ai informacion se kam qenë në Hagë, unë kam qenë i ftuar dhe intervistën e kam dhënë në Prishtinë dhe për këtë kam qenë transparent”.

”S’kam qenë as s’jam e as nuk do të jem dëshmitarë, si mund të jem dëshmitar kundër miqve të mijë. Si mund të jem dëshmitar kundër Hashim Thaçit me të cilin kam një jetë bashkë. Po të isha dëshmitar do të vinin Eulex-i do të më arrestonin këtu në studion tuaj”, deklaroi Lladrovci.

Lladrovci mes tjerash tha se ka biseduar në telefon me ish-presidentin Thaçi dhe ish-deputetin, Rexhep Selimi,

“Kam biseduar me ta në telefon dhe ka qenë gëzim i jashtëzakonshëm për mua”

Të ngjashme