Google ADS

Krejt çka u tha sot në seancën e Jakup Krasniqit

11:39 | 5 Prill 2023
Emir Abduramani

Jakup Krasniqi ka dhënë fjalën e tij pa betim para trupit gjykues sot në Hagë duke filluar me tregimin e të kaluarës së tij që nga fëmijëria, e kaluar e cila sipas tij, ndriçon pafajësinë e tij.

Krasniqi deklaroi se aktakuza e Prokurorisë Speciale sipas tij është absurde dhe ai asnjëherë s’ka qenë i përfshirë në ndonjë vepër kriminale siç janë vrasjet, burgosjet, apo keqtrajtimet.

“I përmenda torturat ndaj meje për të nënvizuar një fakt të pakontestueshëm. Asnjë gjyqtar jugosllav asnjëherë as s’kanë qenë objekt kritike në shkrimet e mia, i kam lënë t’i brejë ndërgjegjja. S’e kuptoj logjiken e aktakuzës, ndaj popullit tonë është bërë vrasje, tortura, krime, burgosje, unë ato i urrej, jo sepse janë bërë ndaj popullit tim. Asnjëherë s’kam qenë i përfshirë ne asnjë vrasje, burgosje, apo trajtim çnjerëzor, kjo sepse intelektualiteti im më ka bërë të mësoj forma tjera”, tha Krasniqi para trupit gjykues.

Ai përmendi kohen kur ka dalë nga burgu në Serbi, nga i cili tha se “nga burgu i Novi Sadit dola në burgun me 2 milionë shqiptarë që quhej Kosovë”, tha Krasniqi.

Krasniqi: Vetë kam qenë pjesë e LDK-së, është absurde të mendohet se kam persekutuar anëtarët e saj

Para trupit gjykues, Jakup Krasniqi ka komentuar pjesën e aktakuzës ku flitet për vrasjen dhe përndjekjen e anëtarëve të LDK-së, gjoja se ata janë parë si kundërshtarë të UÇK- së.

Krasniqi tha se pasi u kthye nga burgu në Kosovë ai është angazhuar në partinë e LDK-së në Drenas.

“Më 1992 u organizuan zgjedhjet ku fitova 96% të votave në zonën time ku edhe u zgjodha deputet. Më pas kam udhëhequr këshillin e financave në Drenas dhe deri më 1998 kam qenë kryetar i këshillit për arsim në Drenas dhe kryetar i degës së LDK-së në Drenas”, tha Krasniqi.

Ai theksoi se meqë vetë ka qenë anëtar i kësaj partie, është absurde që të mendohet se ai është përfshirë në vrasjen e tyre, sepse ajo nënkuptonte që ai po vret veten dhe familjarët e tij.

“Absurde që të akuzohem për persekutimin e anëtarëve të LDK-së, unë vetë isha pjesë e tyre, familjarët e mi, bashkëluftëtarët e mi. Vetëm një mendje e çoroditur mund të mendojë se unë kam qenë i përfshirë në vrasjen time dhe familjarëve”, tha ai.

Ai përmendi se vajza e vëllait tij ka qenë asamblistë e LDK-së edhe pasluftës, teksa tha se përkundër rrugëve të ndara me këtë parti, ai ende ka respekt për kontributin e tyre.

“Vëllai im Agim Krasniqi ka qenë deri pas luftës anëtar i LDK-së, vajza e tij u zgjodh si anëtare në asamble, ndërkaq pas luftës edhe pse kemi pasur rrugë të veçanta, ruaj respektin për këtë parti dhe anëtarët e saj për shkak të kontributit të përbashkët që kemi dhënë”, tha Krasniqi.

Jakup Krasniqi: Komunikatat kanë qenë për t’ia rritur respektin UÇK-së

Jakup Krasniqi deklaroi se veprimtari Adem Demaçi ka qenë faktori kryesor që e shtyu atë të bëhet pjesë e luftës së lavdishme të UÇK-së.

Nga fjalët e Demaçit, Krasniqi tha se kuptoi që nuk mund ta vazhdojë jetën me kokën ulur.

“Adem Demaçi më tha se liria nuk arrihet pa luftë dhe sakrifica. Nga këto fjalë emocionuese kuptova që më nuk mund të jetoja me kokën e ulur në zall si struci. Ishin momente vendimtare, thashë; liri o vdekje por jo kurrë më nën sundimin e politikave gjenocidale të Serbisë”, tha ai.

Ai tregoi se në vitin 1998 kur e mori pozitën e zëdhënësit, e gjithë familja e tij ka qenë nën rrezikun nga forcat serbe.

“Thosha se jemi strukturë e organizuar mirë sepse ishte e vetmja mënyrë për të mbajtur gjallë shpresat për liri dhe ballafaqim me serbët, këto duhet të shihen në funksion të propagandës tonë. Ato ishin në funksion të thirrjeve për bashkim me Shqipërinë”, tha Krasniqi.

Ai foli edhe për komunikatat e UÇK-së për të cilat tha se kanë përmbajtur shkrime se UÇK-ja ka qenë e organizuar me qëllim të rritjes së respektit për UÇK-në, në mënyrë që njerëzit t’i bashkohen ushtrisë.

Krasniqi: Kam jetuar me dinjitet dhe dua të vdes me dinjitet, aktakuza më ka lënduar më shumë se torturat serbe

Ish-kryeparlamentari i Kosovës, Jakup Krasniqi, ka deklaruar se aktakuza e Prokurorisë Speciale e ka lënduar më shumë se gjitha torturat që ia kanë bërë regjimi serb.

Krasniqi tha se ai kurrë s’ka qenë pjesë e krimeve ndaj askujt, duke theksuar se ka jetuar tërë jetën me dinjitet dhe do vdes me të.

“Kurrë s’kam qenë pjese e ndonjë krimi andaj kam qenë kaq i qetë, kam jetuar me dinjitet dhe dua të vdes i tillë. As para, as gjatë e as pas luftës s’kam bërë ndonjë veprim kriminal, gjatë gjithë jetës kam qenë i angazhuar për bashkim kombëtar dhe jam krenar për jetën time dhe angazhimin tim në të mirë të vendit gjithmonë jam përpjekur të ruajë dinjitetin tim intelektual dhe asgjë tjetër, andaj kam qenë aq i qetë”, tha ai.

Ai përmendi edhe rastin “Panda” në Pejë, për të cilin serbët pretenduan se anëtarët e uck -së kanë vrarë katër të rinj serbë në një kafene në këtë qytet.

Për këtë rast ai tha se veçse është vërtetuar se serbët e kanë bërë një gjë të tillë, me urdhër nga Millosheviqi. Më 14 tetor 1998 u vranë 42 ushtarë të UÇK-së. Katër ditë më vonë u vranë katër të rinj serbë të njohur si rasti “Panda”. U akuzuan shqiptarët dhe u torturuan shumë njerëz derisa gjashtë të rinj u detyruan ta pranojnë rastin derisa Vuk Drashkoviqi deklaroi se Millosheviqi kishte urdhëruar atë vrasje. Këto dëshmi duhet të konfirmojnë se prapa vrasjes së civilëve në Kosovë janë serbët”, tha Krasniqi.

Ai pati edhe tri lutje për trupin gjykues, lutje të cilat kishin të bëjnë me mendimet individuale të pasluftës, shkrimet e Krasniqit dhe për komunikatat e uck -së të cilat janë përmendur edhe në rastin e Fatmir Limajt dhe Ramush Haradinajt në Tribunalin e Hagës.

Për ju i nderuar gjykatës kam tri lutje:

Mos lejoni të keqpërdoren mendimet individuale të pas luftës të përdoren për luftë.

Mos lejoni që shkrimet e mia të përdoren si dëshmi për aktakuzat e prokurorisë.

Për komunikatat, ato ishin me qëllim të rritjes së respektit për UÇK-në dhe autoritetit të saj me qëllimin e vetëm që njerëzit të bashkohen me të.”, tha ai.

Seancat e radhës të gjykimit ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së do fillojnë të martën e 11 prillit dhe do të mbahen edhe më 12 dhe 13 prill.

Avokatja e Krasniqit: Prokuroria është bërë pjesë e propagandës kundër UÇK-së

Avokatja e Jakup Krasniqit, Venkateswari Alagendra, ka deklaruar para trupit gjykues sot se klienti i saj nuk ka pasur asnjë kontakt me ata që kanë kryer krime ashtu siç pretendohet në aktakuzë.

Ajo i tha Prokurorisë se është bërë pjesë e propagandës kundër UÇK-së, pasi UÇK-ja ka qenë shumë pak e organizuar, e jo ashtu siç thuhet në aktakuzë.

“Prokuroria pretendon se UÇK-ja ka qenë më e organizuar se që ka qenë në të vërtetë. Mjafton që të them se prokuroria është bërë pjesë e propagandës kundër UÇK–së duke treguar fakte që nuk përkojnë me realitetin. Ata kanë qenë pak të organizuar, por asnjëherë nuk kanë arritur atë organizimin formal”, tha ajo.

Mbrojtja theksoi se luftëtarët e UÇK-së kanë qenë vullnetarë të cilën kanë marrë armët për të mbrojtur vendin, tokën dhe fëmijët e tyre, dhe asnjëherë s’kanë qenë të fokusuar në vrasjen e civilëve.

“Lojaliteti personal apo familjar mblodhi luftëtarët e UÇK-se dhe jo sistemi ushtarak. Ata ishin vullnetarë dhe përpjekjet e tyre janë fokusuar në mbrojtjen e vendit dhe jo në sulmin ndaj civiliëve, pjesa më e madhe e tyre nuk kishin pasur kurrë shërbim ushtarak, shumë nga ta ishin mësues, jurist etj. Ata morën pushkët për të mbrojtur fëmijët e tyre dhe për të çliruar vendin. Ne po flasim për vullnetarë të cilët duhej të shkonin në Shqipëri për të marrë armë, në rrugë të vështira të kontrolluara nga serbët”, tha mbrojtja.

Avokatja: Jakup Krasniqi ka qenë vetëm zëdhënës, s’ka pasur të bëjë me operacionet ushtarake

Avokatja e Jakup Krasniqit ka thënë sot para trupit gjykues se Krasniqi ka qenë vetëm zëdhënës dhe nuk kishte një rol të saktë ashtu siç nuk kishte as shtabi i përgjithshëm.

Ajo tha se roli i tij ka qenë vetëm informimi i publikut dhe s’ka pasur të bëjë me asnjë operacion, aq më pak të jep urdhra për operacione ushtarake.

“I dimë shumë mirë kufizimet e zëdhënësit, zëdhënësit nuk përfshihen në çështjet operacionale, por ata janë vetëm për kontakt me publikun. Ai nuk ka qenë përgjegjës për komunikatat që janë nxjerrë, e para është nxjerrë më 1994 dhe atëherë Krasniqi as nuk ka qenë zëdhënës”, tha Alagendra.

Për dokumentet që janë gjetur gjatë bastisjes së shtëpisë së Krasniqit, ajo tha se ai mund të ketë pasur të tillë meqë ka qenë shkrimtar dhe historian, andaj ato i duhen si materiale për veprat e tij.

“Në shtëpinë e tij janë gjetur dokumente dhe kjo nuk vërtetohet se ai është autor i atyre dokumenteve dhe ato vërehet qartë se nuk janë autentike. Ai është shkrimtar dhe historian, mbledh materiale për librat e tij, ai mbledh materiale dhe koleksione ndër vite”, ka thënë ajo.

Ajo ka komentuar edhe pretendimet e prokurorisë se Krasniqi si zëvendëskomandant ka dhënë urdhra për vrasjen dhe përndjekjen e shumë personave.

Avokatja për këto tha se këto bien poshtë meqë pas shkurtit të vitit 1999 nuk ka asnjë dëshmi që ai ka qenë në këtë pozitë.

“Në verën e vitit 1999 ai u emërua ministër i ndërtimit dhe zhvillimit, dhe jo nga UCK-ja por nga një parti tjetër, pra LDB-ja. Aktivitetet e tij si zëdhënës nuk mund të lidhen me pretendimet e prokurorisë.”, tha mbrojtja e Jakup Krasniqit./Arbresh.info

Të ngjashme